Ndryshimet ligjore, të cilat Qeveria dëshiron të miratohen para se të shpërbëhet Parlamenti, në pjesën e shërbimit diplomatik parashihet edhe avancim automatik deri në nivel të këshilltarit, ndërsa për shkallë më të lartë – sipas ndryshimeve të propozuara, do të jetë e nevojshme edhe mbështetja nga Kolegjiumi, do të jetë i përbërë nga ministri, zëvendësministri, sekretari shtetëror dhe katër drejtor gjeneral. Ndryshimet në Ligj, po ashtu parashohin që ambasadorët të mund të kenë edhe shtetësi të dyfishtë, që deri më tani nuk ishte praktikë
Destan JONUZI
Shkup, 4 janar – Ndryshimet dhe plotësimet në Ligji për Punë të Jashtme kanë hyrë në procedurë parlamentare. Përveç rritjes për 80 për qind të ambasadorëve nga radhët e diplomatëve të karrierës, propozohen edhe zgjidhje politike që ambasadorët të mund të tërhiqen nga detyra nëse për një gjë të tillë ka pajtueshmëri mes Qeverisë dhe Presidentit. Ndryshimet të cilat tanimë kanë kaluar në Qeveri, i ka paralajmëruar edhe vet ish-kryeministri Zoran Zaev.
“Propozojmë zgjidhje të re për ambasadorë, e cila do ta mbrojë shërbimin diplomatik në të ardhmen, duke u dhënë hapësirë diplomatëve të karrierës”, ka deklaruar Zaevi. Por ndryshe nga Zaevi, mendon ish-shefi i diplomacisë, Antonio Milloshovski. Ai thotë se në formën se si janë propozuar ndryshimet, Ligji është shumë larg reformave në diplomaci. “Propozim-teksti është shumë larg Ligjit reformues për punë të jashtme, më shumë ngjason me Ligj i cili synon të krijojë një elitë të veçantë diplomatike, me autorizime dhe trajtim siç tani kanë disa nga strukturat policore. Barrierë plotësues për këtë Ligj është se e propozon Qeveria në largim”, deklaroi për KOHA, Milloshovski.
Partitë politike shqiptare parimisht janë pro ndryshimeve në Ligj me të cilat profesionalizohet diplomacia, por shprehen se nuk do të mbështesin zgjidhjet të cilat janë politike. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është pro ndryshimeve në Ligjin për Punë të Jashtme, për arsye se më këtë arrihet një nga synimet e saj partiake për profesionalizim të diplomacisë. Me ketë, siç brifojnë nga kjo parti, vendi do të ketë jo vetëm diplomaci më efikase por edhe një stimul plus në proceset euro-integruese. Deputeti Syrija Rashidi thotë se Aleanca për Shqiptarët do ta thotë qëndrimin e saj zyrtar në seancën parlamentare ku ndryshimet do të jenë në rend dite.
“Në Parlament janë një grumbull ligjesh, por megjithatë mendoj se ka kohë deri në shpërbërjen e Parlamentit që të miratohen këto ndryshime. Ne si parti qëndrimin do ta themi në vet seancën që do të jenë në rend dite ndryshimet. Po i shqyrtojmë ndryshimet dhe aty ku ka elemente pozitive, pa dyshim se do i mbështesim, po aty ku shkelen normat ndërkombëtare dhe të përfaqësimit të shqiptarëve, nuk do i mbështesim”, deklaroi për KOHA, deputeti Rashidi. Nga ana tjetër, deputeti Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA thotë se parimisht janë pro ndryshimeve në Ligj, pasi siç shprehet ai, synimi i partisë së tij është që të profesionalizohet diplomacia. “Parimisht jemi pro. Në pjesën e ndryshimeve që kanë të bëjnë me profesionalizimin e diplomacisë me njerëz të karrierës ne jemi pro. Pasi që në këtë mënyrë depolitizohet diplomacia. Ndërsa në pjesën ku rregullohet çështja e shtetësisë së kandidatëve për ambasadorë ne do të reagojmë me amandamnete. Normë ndërkombëtare është që kandidati të ketë një shtetësi. Jemi këtu dhe po i ndjekim dhe shqyrtojmë ndryshimet”, deklaroi deputeti Zendeli.
Ndryshimet ligjore të cilat Qeveria dëshiron të miratohen para se të shpërbëhet Parlamenti, në pjesën e shërbimit diplomatik parashihet edhe avancim automatik deri në nivel të këshilltarit, ndërsa për shkallë më të lartë sipas ndryshimeve të propozuara do të jetë e nevojshme edhe mbështetja nga Kolegjiumi, i cili përsëri si organ i ri i propozuar në Ligj, do të jetë i përbërë nga ministri, zëvendësministri, sekretari shtetëror dhe katër drejtor gjeneral.
Ndryshimet në Ligj parashohin që ambasadorët të mund të kenë edhe shtetësi të dyfishtë, që deri më tani nuk ishte praktikë. Ndërkohë, që pikërisht shtetësia e dyfishtë ishte ajo që hapi Kutinë e Pandorës për listën e re të kandidatëve të propozuar për ambasador të cilët duhet të plotësojnë 19 vende të zbrazëta. Madje, katër kandidatë të propozuar janë me shtetësi të dyfishtë, deri sa nuk miratohen këto ndryshime shtetësitë e tyre të dyfishta janë në kundërshtim me nenin 36 të Ligjit për Punë të Jashtme, i cili nuk lejon emërimin për ambasadorë të një kandidati që posedon dy pasaporta. Jozyrtarisht flitet se në rast se ato dërgohen edhe zyrtarisht për ambasador do të heqin dorë nga shtetësia e dyfishtë. Kontestuese po ashtu është edhe çështje se edhe ato si kandidatë të zgjedhur për ambasadorë në Ministrin e Jashtme kanë dorëzua deklarata të notarizuara se nuk janë shtetas të një shteti tjetër përveç Maqedonisë, që paraqet dëshmi të rrejshme me qëllim që të arrihet në pozitën e ambasadorit.
Përveç kësaj njëri nga kandidatët e kontestuar për ambasadorë njëherë vetëm se ka qenë ambasador, edhe pse ka shtetësi të dyfishtë. Por edhe ky nuk është rast i vetëm. Jozyrtarisht mësohet se Maqedonia po ashtu ka pasur edhe ambasador në Gjermani i cili ka pasur shtetësi gjermane, por edhe të Maqedonisë. Përveç kandidatëve me shtetësi të dyfishtë në listën e ambasadorëve janë gjetur edh emra të të punësuarve në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga eshalonët më të ulëta, por edhe nga ata të cilët në të kaluarën kanë dëmtuar diplomacinë e vendit. Kështu që me propozim të partisë së Liljana Popovskës, Ripërtrirja Demokratike e Maqedonisë, për ambasadorë është propozuar ish-këshilltarë në ambasadën e Romës për të cilin ka informacione se në mënyrë të drejtpërdrejt është përgjegjës për kontekst gjyqësor për të cilin MPJ duhet të paguaj 250.000 euro. Ndërkohë që për një kandidat tjetër po zhvillohet procedurë disiplinore në MPJ, dhe është në përfundim para Gjykatës Penale. Më shumë kontradikta dhe debat në opinion ka zgjuar hoxha nga Dibra, propozim i Alternativës për ambasadorë në Kinë, i cili përveç “hoxhallëkut” nuk ka asnjë ditë karrierë diplomatike, madje sipas informacioneve tona nuk i posedon as certifikatat duhura. Bazuar në këtë do të jetë vështirë që Pekin ti hapë dyert për një “mysafirë” të tillë nga Maqedonia. (koha.mk)