Shkup, 27 gusht – Ligji i ri për Prokurorinë Publike me të cilin duhet të zgjidhet edhe statusi i ardhshëm i Prokurorisë Speciale Publike (PSP), sot është vendosur në rend dite të seancës së 108-të parlamentare. Ligji, i cili ka një rëndësi të veçantë për integrimin e vendit në BE, hyn në procedurë parlamentare me flamur evropian dhe procedurë të shkurtuar.
Në prag të seancës, dje mbajtën mbledhje për ligjin grupet e punës të pushtetit dhe opozitës, por nuk është arritur përparim lidhur me çështjet e kontestueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska pas takimit tha se çështja kryesore për të cilën nuk pajtohen të dyja palët është statusi i lëndëve të PSP-SË.
“Propozimi ynë është që këto raste të transferohen në Prokurorinë për Krim të Organizuar nga pika deri te e cila kanë mbërritur në PSP me qëllim që të mos ketë zvarritje dhe të mos ketë ngecje në procedurat dhe humbje të provave. U morëm vesh, vërejtjet që i ka VMRO-DPMNE-ja t’i shndërrojë në amendamente. Duke marrë parasysh se Ligji nesër hyn në procedurë parlamentare, ndërsa debati i komisionit duhet të fillojë të enjten, deri atëherë duhet të parashtrohen amendamentet, kështu që, në tekst konkret do të merremi vesh edhe në varësi nga gatishmëria e tyre, do të ulemi gjatë periudhës deri të enjten”, tha Deskoska.
Ajo pret në seancë plenare të gjitha partitë politike të mbështesin nevojën e miratimit të kësaj zgjidhjeje ligjore që është e rëndësishme për procesin e aderimit të vendit në BE.
Në lidhje me statusin e ardhshëm të PSP-së, Deskoska përsëriti se pozicioni i tyre, i cili është reflektuar edhe në ligjin e propozuar, është se PSP-ja duhet të bashkohet me Prokurorinë për Krim të Organizuar, ndërsa lëndët e filluara nga prokurorët special duhet të vazhdojnë të procedohen.
E pyetur nëse pas rastit “Reket” dhe paraburgimit të shefes së PSP-së Katica Janeva, është dëmtuar besueshmëria e prokurorëve të tjerë, Deskoska u përgjigj se përgjegjësia është personale, e jo kolektive, dhe se institucioni nuk duhet të varet nga ajo se kush e drejton atë.
Deskoska tha se ishte rënë dakord që vërejtjet e VMRO-DPMNE-së të parashtrohen si amendamente gjatë procedurës në Parlament. Ajo shfaqi shpresë se të gjitha grupet parlamentare do të mbështesin miratimin e ligjit, i cili është i rëndësishëm për procesin e aderimit të vendit në BE. Ndërkohë, njoftoi se do të punojnë për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare.
Deputeti Antonio Milloshoski, i cili kryeson grupin punues të VMRO-DPMNE-së, nuk saktësoi se çfarë qëndrimi do të ketë partia sot, por bëri të ditur se qeveria e propozon ligjin pa opozitën, dhe se ajo nuk mund të kishte qasje pozitive ndaj kësaj.
“Por, po lëmë mundësinë që në debatin e komisionit me amendamente cilësore të përmirësojmë tekstin e ligjit nëse ka gatishmëri nga shumica parlamentare për të pasur ligj që do të pranohet gjerësisht dhe i mbështetur në standardet e Strasburgut”, tha Milloshoski.
Për lëndët e PSP-së, bëri të ditur, nuk janë të kontestueshme lëndët që janë inicuar dhe janë duke u zhvilluar në përputhje me afatin ligjor që e kishte PSP-ja, dhe duhet të vazhdojnë deri në një epilogun përfundimtar gjyqësor.
Sipas tij, afera “Reket” paraqet nevojën e miratimit të një zgjidhjeje sistemore, e lidhur me transferimin e prokurorëve nga PSP-JA në prokurorinë e re, Milloshoski përsëriti se qëndrimi i tyre është se nuk do të duhej, me automatizëm, secili të jetë në ndonjë pozitë të rëndësishëm në këtë Prokurori.
“Shumë varet nga hetimi që zhvillohet për “Reket”-in, por në përgjithësi ekziston një dyshim i bazuar se Katica Janeva nuk ka mundur vetë si individ të bëjë keqpërdorim të resurseve të PSP-së dhe është e sigurt se ka pasur më shumë bashkëpunëtorë. Kush janë dhe në çfarë nivele kanë qenë, kësaj mund t’i përgjigjet vetëm një hetim rrënjësor, por për këtë konsiderojmë se me automatizëm nuk do të mundej secili të jetë në ndonjë pozitë të rëndësishme në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë”, tha Milloshoski.
Ai pret që dialogu të vazhdojë me qëllim që në një kohë të afërt të afrohen qëndrimet dhe të shndërrohen në një draft tekst të përbashkët ose projekt-amendament të përbashkët që mund të përmirësojë propozim-ligjin aktual të harmonizuar mes LSDM-së dhe BDI-së.
Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar dje vlerësoi se rasti “Reket” është transformuar në një spektakël realiteti, ndërsa lajmet e rreme dhe vënia në pikëpyetje të çdo gjëje, u bënë modus operandi në vend. Sipas tij, vetëm nëse tregon se mund të përballet me të gjitha rastet e krimit dhe korrupsionit, gjyqësori mund të rikthejë besimin e qytetarëve në të dhe në politikën.
“Mendoj se gjyqësori e kupton se ndoshta e ka mundësinë e fundit që sërish të ndërtojë besimin te qytetarët me një hetim dhe procedim të pavarur, të plotë dhe të shpejtë të lëndës “Reket”, si dhe të gjitha rastet e tjera të PSP-së. Gjyqësori duhet të gjejë forcën për t’i bërë rezistencë presionit, pavarësisht nga vjen dhe në këtë drejtim e ka mbështetjen e plotë nga ne”, theksoi Zhbogari, gjatë fjalimit në një forum në Odën Ekonomike.
Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski konsideron se çështja “Reket” nuk është bençmark, e as që do të jetë deri në tetor, nëse autoritetet shtetërore vazhdojnë me këtë trajtim deri tani përkatës të rastit.
“Në këtë moment nuk është, ky është vlerësimi im, është vlerësimi ynë se as që do të jetë deri në fund të vitit, meqë atë që e kanë bërë deri tani organet kompetente shtetërore është një reagim përkatës. Mirëpo, është evidente se rasti është kompleks, t’ua lëmë autoriteteve kompetente që të vazhdojnë punën. Nëse nuk vazhdojnë me këtë ritëm, me këtë gjerësi dhe thellësi me të cilën kanë filluar deri tani, kjo mund të bëhet. Por, tani nuk është dhe nuk do të jetë deri në tetor”, theksoi presidenti Pendarovski, i cili dje mbajti fjalim në mbledhjen e Këshillit të Ambasadorëve.
Edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, shprehet, se nuk mund të thotë që “Reketi” është një bençmark ose një kusht, mirëpo, shton, sa më shumë që të ecet në rrugën e mirë edhe në raport me hetimin, kjo do të jetë e dobishme dhe mbështetëse për përpjekjet e diplomatëve tanë dhe kreut shtetëror që të sigurojë një vendim pozitiv në tetor.
Sa i përket ligjit të PP-së, miratimit të tij, theksoi Dimitrov, është një ndihmë e madhe në punën e diplomacisë sonë që të sigurojë vendim pozitiv në BE për fillimin e bisedimeve aderuese.
“Kjo nuk është sekret, porosi të tilla vijnë edhe nga Delegacioni këtu, edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare edhe nga ministrat, qoftë nëse ne shkojmë atje për vizitë qoftë nëse ata janë këtu. Pse, për shkak se suksesi i tillë siç është në punën e deritanishme të PSP-së, resurset që janë krijuar duhen të ruhen dhe sendërtohen, për të ndjekur korrupsionin e lartë jo vetëm në raport me krizën në vitet 2015 dhe 2016, por në përgjithësi”, sqaroi ministri Dimitrov, duke shtuar se nuk është sekret se për disa vende anëtare kjo është veçanërisht e rëndësishme.
Me propozim-ligjin për PP-në parashikohet që Prokuroria Publike për ndjekjen e veprave penale që lidhen dhe që rezultojnë nga përmbajtja e ndjekja e paautorizuar e komunikimeve, gjegjësisht PSP-ja dhe Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të bashkohen në një Prokurori Publike, që do ta mbajë emrin Prokurori Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.
Kompetencat e PSP-së dhe të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të kalojnë në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, e cila do të vazhdojë të drejtojë procedurat e filluara në fazën në të cilën janë ndërmarrë. Më tutje, sipas tekstit të propozuar të ligjit, prokurori aktual publik i Prokurorisë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion Vilma Ruskoska është propozuar që të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj si prokurore publike e Prokurorisë Publike për krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë deri në përfundim të mandatit të saj, për të cilin është zgjedhur.
Lidhur me prokurorin publik që drejton PSP-në, bëhet e ditur se pas përfundimit të mandatit, do të zbatohet neni 68 paragrafi (4) i këtij ligji (prokurori publik i Prokurorisë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, i cili nuk do të rizgjidhet, Këshilli i Prokurorëve Publikë të RMV-së, e sistemon atë si prokuror publik në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut). Ndryshe, Këshilli i Prokurorëve Publikë do të vlerësojë sot nëse do të fillojë procedurë për shkarkimin e prokurores speciale Katica Janeva, e cila momentalisht është në paraburgim në burgun e Shkupit për lëndën “Reket” të Prokurorisë Themelore Publike për krim të organizuar dhe korrupsion.
Njëherësh, prokurorët publik në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdojnë të ushtrojnë postin e tyre në Prokurorinë Publike për krim të organizuar dhe korrupsionin e lartë deri në përfundimin e mandatit për të cilin janë zgjedhur, ndërsa prokurorët publik në PSP deri në skadimin e pesë viteve, nga dita e zgjedhjes se tyre.
Që nga dita e fillimit të zbatimit të këtij ligji, të punësuarit në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të punësuarit në PSP do të risistemohen në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë në vende përkatëse të punës në përputhje me titujt dhe vendet e tyre të punës të përvetësuara paraprakisht. E njëjta vlen edhe për hetuesit që i janë caktuar PTHP-së për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe prokurorit publik të PSP-së të cilët vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetet e tyre në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, ndërsa arkivi, mjetet materiale dhe pajisja që i përdorin dhe posedojnë PTHP-ja për krim të organizuar dhe korrupsion dhe PSP-ja, gjithashtu kalojnë si mjete materiale dhe pajisje të Prokurorisë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë me të drejtën e përdorimit dhe posedimit të tyre.
Në dispozitat kalimtare dhe përfundimtare të ligjit është përcaktuar që ai të fillojë së zbatuari më 15 shtator të këtij viti.