Drejtori i Agjencisë, për dallim nga ajo që ishte paraparë më herët, tani parashihet të zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, gjegjësisht me konkurs publik paraprak. Nuk parashikohet që Agjencia të ketë zv.drejtor.
Sipas draftit, të punësuarit po ashtu mund të zgjidhen përmes konkursit publik por disa prej tyre do të duhet të kalojnë procesin e verifikimit të sigurisë. Në propozim – ligj parashikohet edhe opsioni që të punësuarit të mbarten edhe nga institucionet tjera. Siç mëson jozyrtarisht Alsat M, ata do të transferohen nga DSK-ja, edhe përskaj skandalit të këtij institucioni me përgjimet e jashtëligjshme. Konkurset për drejtorin dhe të punësuarit do të publikohen në dy gjuhë, por nuk theksohet nëse në këtë institucion do të zbatohet parimi i përfaqësimit të drejtë. Gjegjësisht, nuk dihet nëse ndonjë shqiptar do të mund të drejtojë me këtë organ.
Kuadrot e QTO-së
- Drejtori i Agjencisë do të zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, me konkurs publik paraprak.
- Nuk parashihet që QTO-ja të ketë zv.drejtor.
- Të punësuarit do të zgjidhen përmes konkursit publik.
- Parashihet opsioni që të punësuarit të mbarten edhe nga institucionet tjera.
Kuvendi duhet të formojë Komision të veçantë për vëzhgimin e punës së QTO-së, me kryetar dhe 2 anëtarë nga radhët e opozitës dhe dy anëtarë të tjerë nga radhët e pushtetit.
Për vëzhgim, duhet të formohet edhe Këshilli i Sektorit Civil me kryetar dhe anëtarë nga radhët e ekspertëve dhe sektorit civil. Rol vëzhgues mbi QTO-në do të kenë edhe Avokati i Popullit dhe Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale. Trupat juridike kontrolluese të Qendrës do të jenë Prokurori Publik i lëndës, gjykatësi i procedurës para-hetimore, prokurori publik ose një gjykatës i supremes.
Vëzhgim dhe kontroll juridik mbi QTO-në
- Komisioni i veçantë në Kuvend,
- Këshilli i Sektorit Civil,
- Avokati i Popullit dhe
- Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale
- Prokurori publik i lëndës,
- Gjykatësi i procedurës para-hetimore,
- Prokurori publik ose
- Një gjykatës i supremes
Operatorët telefonik duhet të sigurojnë vetë të gjitha kushtet teknike për të mundësuar ndjekjen e komunikimeve, tek të cilat Qendra do të kërkojë qasje. QTO-ja mund të fillojë me zbatimin e detyrës së saj, e shumta deri më 1 nëntor të vitit 2018. Mjetet e nevojshme financiare do të sigurohen nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë propozim-ligjet nuk sqarojnë se çfarë do të ndodhë me pajisjet tjera të MPB-së, siç është rasti me pajisjet mobile për përgjim, të cilat në të kaluarën dyshohet se mund të jenë keqpërdorur. Për tregti ose posedim pa leje të pajisjes për përgjim, personat juridik të Qendrës mund të ndëshkohen me 10-30% të të ardhura vjetore, kurse ata fizik me 3 deri 5 mijë euro./alsat/