Komisioni për Çështje Evropiane (KÇE) i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, me të cilin kryesoi Kryetari i komisionit, Artan Grubi sot e përfundoi shqyrtimin e përgjithshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në lexim të parë, me çka Komisioni me nëntë vota “pro” dhe me asnjë votë “kundër” dhe “abstenim” e miratoi konkluzionin se Ligji është i pranueshëm, edhe nga aspekti i harmonizimit të tij me legjislacionin e BE-së, dhe duhet të jepet në lexim të mëtejmë. Paraprakisht, koordinatorët e katër grupeve më të mëdha të deputetëve në Kuvend i dhanë qëndrimet e tyre përfundimtare për leximin e parë të Projekt-ligjit. Koordinatori i BDI-së, Ejup Halimi tha se gjuha është e drejtë e natyrshme dhe i takon çdo bashkësie etnike dhe se miratimi i këtij ligji e përfshin realitetin faktik.
Koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev tha se me diskutimin e deritanishëm ngrihet pluhur në drejtim të gabuar, shtrembërohet e vërteta, duke mos u fokusuar në atë se çfarë shkruan dhe çfarë duhet të prezantojë ky Propozim-ligj. “Ajo që duhet të jetë punë rreth asaj që do të bashkohemi bëhet gurë rrëzimi. Mendimi i ndryshëm nuk do të thotë linçim, nuk do të thotë sulm, do të thotë bazë për të menduar. Populli thotë “sa më shumë gjuhë që flet, aq më shumë vlen”. Është një e vërtetë që quhet amendamenti 5 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”, tha Tuntev.
E përsëriti se ky Projekt-ligj as nuk është ndryshim, as nuk do të thotë dygjuhësi, dhe as të drejta të dikujt jashtë Kushtetutës. “Nëse keni të drejtë të flisni, krijoni në gjuhën e juaj amtare, duke ua dhënë këtë të drejtë edhe të tjerëve nuk humbisni asgjë prej përvojës tuaj nacionale. Përkundrazi, fitoni bashkëkombës me të cilët së bashku e ndërtoni shoqërinë. Ky ligj është vetëm avancim i asaj që shumica parlamentare e filloi në vitin 2001, 2008 dhe 2011”, tha Tuntev.
Sipas Fadil Zendelit, nga BESA, ligji duhet të jetë gjithëpërfshirës, por kjo, siç tha, e sheh në këtë projekt. “Projekt-ligji është avancim, dhe jo zyrtarizim. Të gjithë së bashku duhet të sillen me përgjegjësi. Shoqëria ndëretnike duhet të jetë edhe shtet multietnik siç e parasheh edhe Marrëveshja e Ohrit. Gjashtëmbëdhjetë vite pas nënshkrimit ne akoma debatojmë. Për fat të keq, do të debatojmë edhe më tej pasi që ky projekt-ligj nuk e përfshin atë. Ne vetëm jemi duke e avancuar gjuhën shqipe, por nuk jemi duke e zyrtarizuar në territorin e gjithë shtetit”, deklaroi Zendeli. Derisa kryetari i Komisionit, Artan Grubi e hapi votimin, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski u përpoq që të kërkojë në vërejtje procedurale votimi të jetë individual, propozim i cili nuk u pranua.