Nga Dr. Bekim KADRIU
Në kolumnën time të fundit të titulluar “Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Kampionati Evropian në Hendboll” zhvilloj dy teza. E para është se një pjesë e maqedonasve, duke përfshirë edhe disa intelektualë, për fat të keq, ende mendojnë se maqedonasit dhe shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të kenë status të barabartë në Republikën e Maqedonisë. Përkatësisht, ideja është se Maqedonia është shtet kombëtar i maqedonasve, ndërsa bashkësitë e tjera duhet të kenë statusin e pakicave. Megjithëse mund ta kundërshtojë dikush këtë tezë, e njëjta u konfirmua të dielën, në protestat e organizuara nga të ashtuquajturit “Tvrdokorni”, në të cilat slogan kryesorë ishte se me Ligjin “humbet karakteri maqedonas i shtetit “. Kjo ide e pengon Republikën e Maqedonisë të jetë një shtet i vërtetë qytetar gjë që reflektohet edhe në çështjen e gjuhës shqipe.
Teza e dytë që unë zhvilloj në kolumnën e fundit, e cila bie në kundërshtim me të parën, është se Maqedonia është një shtet i qytetarëve të barabartë, qytetarë që iu përkasin bashkësive të ndryshme etnike, të cilët mund të flasin gjuhë të ndryshme. Përdorimi i gjuhëve në shtet si gjuhë zyrtare është një çështje që ligjvënësi e vendos, në përputhje me nevojën reale të qytetarëve, gjë që nuk e rrezikon fare karakterin qytetar të shtetit. Për më tepër, besoj se kjo mundësi do të kontribuojë më shumë për integrimin e qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Në këtë tekst, do të jap argumente në favor të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke iu referuar edhe disa kritikave kundër tij. Nga kritikat, nuk do të ndalem te ato që i pohojnë se Ligji për përdorimin e gjuhëve rrezikon karakterin unitar të shtetit (që teorikisht nuk mund të ndodhë) ose që zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve do të jetë një barrë e madhe financiare për shtetin (natyrisht që ka, nëse një deputet në emër të shpenzimeve të udhëtimit për një vit mund të marrë 100,000 euro nga buxheti, mund të investohet edhe në përdorimin e gjuhës së bashkësisë që është 30% e popullsisë së përgjithshme dhe kontribuon në mbushjen e buxhetit. Mos të flasim edhe për tarifat e anëtarëve të KSHZ-së apo projektit mafioz Shkupi 2014.
LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE DHE “FLAMURI EVROPIAN”
Një kritikë e Ligjit është që është miratuar në procedurë të parashikuar për legjislacion me të cilin implementohet e drejta e BE-së, dhe nuk ka asnjë direktivë ose rregullore që vlen për gjuhët dhe që implementohet me këtë ligj. Është e vërtetë se nuk ekzistojnë direktiva apo rregullore të tilla. Por është gjithashtu e sigurtë se Komisioni Evropian ka përsëritur në raportet e progresit të Republikës së Maqedonisë (Progress Reports) se është i nevojshëm avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Kështu, në Raportin e progresit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2014, Komisioni Evropian, duke diskutuar për prioritetet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shprehimisht pohon se “ka vend për përmirësime në fushën e mosdiskriminimit, përfaqësimit të drejtë, përdorimit të gjuhëve dhe arsimit” (faqe 13) . Nga kjo del se çështja e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe, si pjesë e kriterit të gjerë politik për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut (dhe i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit) është një nga çështjet që duhet të përmirësohet dhe të avancohet. Kur Parlamenti i Republikës së Maqedonisë miraton një ligj i cili është i nevojshëm për të përmbushur kriteret politike për anëtarësim në BE, është e nevojshme të mbajë flamurin Evropian dhe të zbatohen dispozitat e Rregullores së Punës së Parlamentit në lidhje me këto ligje.
Në anën tjetër, në Traktatin e Lisbonës si burim primar i së drejtës së BE-së, parashikohet që “Unioni të njohë të drejtat, liritë dhe parimet e parashikuara në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian” (neni 6.1). Karta (si pjesë e Traktatit të Lisbonës) përcakton se “Unioni duhet të respektojë diversitetin kulturor, fetar dhe gjuhësor” (neni 22). Shtetet nuk kanë detyrim të respektojnë të drejtat e Kartës nëse nuk zbatojnë të drejtën e BE-së, por fakti që BE-ja promovon diversitetin gjuhësor absolutisht lë hapësirë për shtetet që ta përshtatin atë diversitet në kontekstin e tyre shoqëror. Republika e Maqedonisë bën pikërisht këtë.
STANDARDET NDËRKOMBËTARE JANË STANDARDET MINIMALE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Një argument tjetër që përdoret kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve është se gjuha shqipe duhet të ketë statusin e një “gjuhe të pakicës”, ndërsa zgjidhja e pranuar shkon përtej asaj që përmbajnë standardet ndërkombëtare që i referohen përdorimit të gjuhëve të pakicave. Për këtë “argument”, së pari duhet të thuhet se termi “pakicë” në rendin kushtetues të Republikës së Maqedonisë është i panjohur. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë përdor termin “bashkësi/komunitete”, ndërsa para vitit 2002 është përdorur termi “nacionalitete”. Dhe pohimi se 30% e popullsisë së Republikës së Maqedonisë duhet të trajtohet si pakicë (dhe kështu gjuha- si gjuhë “e pakicës”) është me të vërtetë absurde.
Së dyti, të gjithë ata që merren me shkencën juridike ose politike, dhe jo vetëm ata, në mënyrë të qartë e dinë se standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut (përfshirë edhe standardet që kanë të bëjnë me pakicat dhe gjuhën e tyre), janë standardet minimale dhe nuk ekziston asnjë pengesë që një shtet të shkojë jashtë asaj dhe mbi atë që është e përcaktuar me këto standarde. Kështu, Karta Evropiane për Gjuhët Regjionale dhe të Pakicave parashikon se ajo (Karta) nuk ka ndikim në të drejtën kombëtare ose marrëveshjet ndërkombëtare që vendi ka ratifikuar, të cilat mund të kenë dispozita më të avancuara mbi statusin e gjuhëve në vend (neni 4) . Kështu, pretendimi se gjuha shqipe duhet të ketë statusin e një gjuhe të pakicës nuk mban, mund të jetë vetëm dëshira e dikujt, por jo një pengesë për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe.
Së treti, dhe po t’a pranojmë se ndaj gjuhës shqipe duhet të zbatohen standardet ndërkombëtare në lidhje me gjuhën (e pakicave), ja Karta Evropiane për Gjuhët Regjionale dhe të Pakicave siguron përdorimin e gjerë të gjuhëve dhe, unë do të argumentoja se, ligji për përdorimin e gjuhëve është në masë të madhe në përputhje me këtë Kartë. Për shembull, Karta parashikon një detyrim për shtetin që të sigurojë arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë në gjuhën e komunitetit (neni 8). Sa i përket dy fushave specifike, Karta parashikon detyrimin e shteteve-palë që gjykatat të sigurojnë, me kërkesë të vetëm njërës palë, që të zhvillojnë procedurën në gjuhën e bashkësisë në çështjet penale, civile dhe administrative “…courts, at the request of one of the parties, SHALL conduct the proceedings in the regional or minority languages “(neni 9). Pra, përsëris, të zhvillojnë procedurën në gjuhën e bashkësisë. Ligji për përdorimin e gjuhëve bën gjithashtu të njëjtën gjë. Njejtë, sa iu përket organeve shtetërore, organeve lokale dhe rajonale, orgaen me autorizime publike (në pronësi publike dhe private, për aq kohë sa mbeten nën kontrollin publik, si zyrat postare, spitalet, shërbimet e transportit, shërbimet komunale, etj) ekzisiston detyrim për shtetet-palë të sigurojnë këto organe, organizata, institucione, kompani, agjencione (pavarësisht nga emërtimi), të përdorin gjuhën e bashkësisë (që do të thotë vetë institucioni, në funksionimin e tij, të përdorë gjuhën e bashkësisë (“to ensure that administrative authorities use the regional or minority languages”); punonjësit në kontakt me anëtarët e komunitetit të përdorin gjuhën e komunitetit; të sigurohet që anëtarët e bashkësisë të mund të paraqesin shkresat dhe përgjigjet e tyre t’i dorzojnë gjegjësisht t’i pranojnë në gjuhën e tyre; të lejohen institucionet të hartojnë dokumente në gjuhën e bashkësisë (neni 10). Ligji për përdorimin e gjuhëve bën gjithashtu të njëjtën gjë. Në jetën ekonomike, Karta parashikon detyrim për shtetet-palë të sigurojnë që fletëpagesat, çeqet, kambialet, kontratat për punë dhe tjera, të jenë në gjuhën e bashkësisë (neni 11).
Dhe diçka tjetër. Kjo Kartë lejon një gjuhë tjetër të jetë gjuhë zyrtare në shtet, kur kërkohet që te dokumenti i ratifikimit shteti të përcaktojë se kush është gjuha rajonale, e pakicës apo gjuhë zyrtare që është më pak e përdorur në një pjesë apo në të gjithë vendin të cilës i referohen detyrimet e Kartës (…shall specify in its instrument of ratification…each regional or minority language, or official language which is less widely used on the whole or part of its territor…). Dispozitat e cituara sipas kësaj Karte, të miratuara në kuadër të Këshillit të Evropës, në pjesën më të madhe pranohen në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Së bashku me faktin se këto janë standardet minimale, asgjë nuk pengon Republikën e Maqedonisë për të shkuar drejtë përmirësimit të përdorimit të gjuhës shqipe (si gjuhë zyrtare).
Por, këtu unë e parashtroj pyetjen: pse Republika e Maqedonisë ka nënshkruar Kartën 22 vite më parë (1996), dhe ende nuk e ka ratifikuar???
PËR KUSHTETUTSHMËRINË E LIGJIT PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE
Kritika kryesore kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve është se i njejti, të paktën në disa pjesë, qenka jokushtetues. Së pari, ajo që të gjithë e dinë, kushtetuta është një akt i përgjithshëm juridik dhe nuk mund të rregullojë marrëdhëniet shoqërore në detaje. Kushtetuta përcakton se gjuha shqipe (gjuha e folur nga 20% e qytetarëve) është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, por parasheh që është e nevojshme të miratohet një ligj që do të përcaktojë në cilat fusha dhe si do të përdoret gjuha shqipe si gjuhë zyrtare. Një ligj i tillë u miratua për herë të parë në vitin 2008. Askush nuk foli për atë se ligji ishte antikushtetues, edhe pse edhe ai shkonte përtej normës kushtetuese. Edhe ligji aktual shkon përtej normës kushtetuese, por kjo përcaktohet nga vetë Kushtetuta. Përkatësisht, Kushtetuta përsërit katër herë se duhet të miratohet një ligj për përdorimin e gjuhës shqipe. Një prej dispozitave kryesore të amendamentit V të Kushtetutës thekson se “në organet e pushtetit shtetëror në vend, si gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja, mund të përdoret në përputhje me ligjin.”
Pra, po të donte kushtetutvënësi të mbetet vetëm në normë kushtetuese, nuk do të kishte paraparë miratimin e një ligji, por çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe do ta rregullonte vetëm me kushtetutë. Sidomos kur bëhet fjalë për ligjet që rregullojnë çështjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, shtrirja e tyre (e lirive dhe të drejtave) me ligj nuk mund të konsiderohet jokushtetuese. E kundërta do të ishte më problematike, domethënë nëse liritë dhe të drejtat kushtetuese kufizohen me ligj, edhe pse një gj♪7 e tillë ekziston në Republikën e Maqedonisë. Vetëm si shembull, kur flet për të drejtën e votës, Kushtetuta numëron që një person të jetë madhorë, të ketë shtetësi dhe të mos jetë i privuar nga zotësia e veprimit (neni 22). Por, Kodi Zgjedhor parashikon kusht shtesë, dhe kjo është që qytetari të ketë, nga njëra anë vendbanimin të përhershëm në Republikën e Maqedonisë, dhe nga ana tjetër, për regjistrim në regjistrin zgjedhor, duhet të ketë letërnjoftim apo pasaportë të vlefshme (neni 41.4). Edhe pse kushtet e tilla nuk ekzistojnë në normën kushtetuese, asnjë nga këto kërkesa shtesë të Kodit Zgjedhor nui konsiderohen ato jokushtetuese. Një shembull tjetër i kufizimit të lirive dhe të drejtave kushtetuese me ligj është e drejta në privatësi nga neni 25 i Kushtetutës. Ky nen aspak nuk parashikon mundësinë e kufizimit, ndërsa Ligji për ndjekjen e komunikimeve, për shembull, lejon kufizim të privatësisë. Askush nuk pretendon se ky ligj është jokushtetues.
Për ta përmbledhur, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e konkretizon normën kushtetuese të Amendamentit V të Kushtetutës. Një ligj i tillë ekziston që nga viti 2008, ndërsa Ligji i ri i propozuar zgjeron dhe avancon përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. I njëjti nuk e barazon gjuhën shqipe me gjuhën maqedonase, që do të ishte në kundërshtim me paragrafin 1 të Amendamentit V, por vetëm e zgjeron përdorimin e saj në përputhje me nevojat e qytetarëve shqiptarë.
LIGJI MBI PËRDORIMIN E GJUHËVE NUK RREZIKON GJUHËT E BASHKËSIVE TJERA
Ligji mbi përdorimin e gjuhëve vetëm shtrin mundësinë e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Ai nuk e rrezikon gjuhën maqedonase, e cila mbetet si gjuha e vetme zyrtare në përdorim të përgjithshëm. Ndërsa gjuha shqipe do të zbatohet vetëm në ato fusha që parashihen me ligj, dhe jo jashtë atyre fushave. Këtë e parasheh vetë ligji i propozuar, në nenin 1, paragrafi 3. Në të gjitha institucionet, qendrore dhe lokale, në të gjitha fushat dhe procedurat, gjuha maqedone mbetet e paprekur, ndërsa vetëm në ato fusha që parasheh ligji i propozuar, gjuha shqipe do të zbatohet së bashku me maqedonishten. Por gjuha maqedonase nuk përjashtohet në asnjë mënyrë. Kështu, ligji nuk bie ndesh me normën kushtetuese për gjuhën maqedonase si e vetmja gjuhë zyrtare në përdorim të përgjithshëm.
Sa iu takon gjuhëve të bashkësive më të vogla, dallimin në statusin e gjuhës shqipe me ta e bën vetë Kushtetuta kur parashikon se gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë është gjuha që flitet nga më shumë se 20% e popullsisë. Ky ligj e implementon këtë normë kushtetuese dhe nuk diskriminon gjuhët e tjera. Nëse gjuha shqipe, siç pretendohet, diskriminon gjuhët e tjera, atëherë gjuha maqedonase, me të njëjtën logjikë, diskriminon të gjitha gjuhët, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe edhe gjuhët e bashkësive më të vogla. Në fund, unë mendoj se debati duhet të fokusohet në zbatimin e ligjit dhe pengesat e mundshme (teknike, financiare, kadrovike), jo me shpirtligësi dhe me teza sipërfaqësore të mohohet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe. Sa më shpejt ta kalojmë këtë fazë, aq më shpejt do bindemi se kemi qenë në lajthim. Përdorimi edhe i një gjuhe tjetër në institucione ose në procedura nuk do të dëmtojë askënd. Dhe gjuha nuk ndryshon thelbin e mendimeve dhe ideve. Ato mbeten të njëjta. (koha.mk)