Nga VMRO thonë se janë të angazhuar për zgjidhje kualitative, por se kundërshtojnë ashpër ndërprerjen e mandatit të udhëheqësve aktual të Këshillit Programor të RTVM-së dhe Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuele
Fatos RUSHITI
Shkup, 2 maj – Për të tretën herë me radhë në Komisionin parlamentar për transport dhe lidhje u shty diskutimi rreth ndryshimeve në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele. Kjo për shkak të nevojës për koordinim të partisë më të madhe opozitare – VMRO, e cila ka propozuar amendamente për Ligjin për mediat.
Nga VMRO thonë se janë të angazhuar për zgjidhje kualitative, por se kundërshtojnë ashpër ndërprerjen e mandatit të udhëheqësve aktual të Këshillit Programor të RTVM-së dhe Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuele.
“Nuk është ligjore, nuk është parimore të ndërpriten mandatet e udhëheqësve të trupave të përhershme të institucioneve, siç është Këshilli Programor i RTVM-së dhe ai i Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuele me sjelljen e Ligjit të ri. Çfarë do të ndodhë nesër?! Do të vijnë zgjedhje, ndoshta do të vijë ndonjë garniturë e re politike në pushtet, do të duhet që ajo të sjellë, kushtimisht thënë, Ligj të ri që t’i ndërrojë anëtarët e deriatëhershëm të Këshillave programor”, deklaroi Zoran Ilioski, deputeti i VMRO-së.
Ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, i apeloi opozitës të debatojë hapur dhe të mos pengojë sjelljen e këtyre ndryshimeve të rëndësishme në sferën e mediave dhe kërkoi që politika t’i heq duart nga institucionet mediatike.
“Pikërisht për zgjedhjen e organeve dhe trupave të Këshillit programor të RTVM-së dhe atë të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio propozojmë që anëtarët e rinj të zgjidhen me shumicë prej 2/3. Me të vërtetë vlerësojmë se kështu sigurojmë konsensus të gjerë, sigurojmë debat kualitativ, që profesionistët të hynë në këto trupa, kurse ne – politikanët, të heqim duart nga institucionet mediatike. Pikërisht ky është qëllimi i këtij propozimi”, deklaroi Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike.
Miratimi i ndryshimeve ligjore vjen pasi Këshilli Programor rizgjodhi Marian Cvetkovskin për drejtor të RTVM-së. Zgjedhja e Cvetkovskit pasoi me reagime nga SHGM, e cila vendimin e Këshillit Programor e cilësoi si produkt të trysnisë së Cvetkovskit të ushtruar ndaj anëtarëve të Këshillit.
Ndryshe, në seancën e 45, shumica parlamentare e ka hedhur poshtë propozimin e grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të shfuqizohet rritja e akcizës së dizelit, me çka do të ulej çmimi i derivateve. Ishte deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev, ai që propozoi që në rend dite të vendoset propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për akciza, duke thënë se prioritet numër një i pushtetit duhet të jetë standardi i qytetarëve. Sipas tij, në vitin 2017 për 1000 denarë mundej të bliheshin 21 litra dizel, ndërkaq në vitin 2018 – vetëm 16 litra. Edhe përskaj kësaj, vetëm 29 deputetë votuan që propozimi të vendoset në rend dite, ndërkaq 56 të tjerë ishin kundër. (koha.mk)