Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore përmes projektit USAID – Partneritet për rregullativë më të mirë afariste, sot në Tetovë në sesion informativ i prezantoi dispozitat ekzistuese dhe kërkesat ligjore të cilat ndikojnë tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), lidhur me të drejtat apo obligimet që dalin nga ky ligj. Qëllimi i këtyre sesioneve është mbledhja e të dhënave të vlefshme, çështjet e të cilave janë më të rëndësishme dhe më të vështira për t’i përballuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Në takimin informativ në Tetovë u prezantuan rregullat dhe problematikat që kanë të bëjnë me tatimin e të ardhurave personale, tatimi në fitim, tatimi në burim, TVSH dhe tatimet e tjera. Pjesëmarrësit kishin mundësi të njihen me përcaktimet e sakta të bazës tatimore për llogaritjen e tatimit të të ardhurave personale, tatimi në fitim, tatimi në burim, TVSH dhe tatimet tjera, si dhe rastet kur bëhet pagesa me fokus të veçantë në gabimet e mundshme nga përvoja praktike”, thuhet në kumtesën nga OEMVP-ja. Projekti financohet nga Qeveria e SHBA-së, me qëllim për të mbështetur rritjen ekonomike përmes lehtësimit të presionit mbi NVM-të të shkaktuara nga ndryshimet e shpeshta të rregullave ligjore. Takimi i radhës me po të njëjtën temë do të mbahet me kompanitë e Ohrit më datë 26 prill 2017.