Omer XHAFERI
Shkup, 17 shkurt – Rritja e shkallës së specializimit të gjykatësve dhe formimi i sektorëve për procedim të lëndëve nga sferave e ekonomisë brenda gjykatave civile, parashihet në ndryshimet e fundit të Ligjit për gjykata, shkruan gazeta KOHA. Plotësim shtesë i këtij Ligji, siç thuhet në propozim-versionin e Ministrisë së Drejtësisë, pritet të bëhet edhe në sferën e dispozitave për mënyrën e ndarjes së lëndëve gjyqësore në Gjykata.
Me ndryshimet e Ligjit të gjykatave, i cili fillimisht duhet të kalojë në Qeveri, mendohet të bëhet edhe precizimi i kompetencave të Gjykatës Supreme/Lartë të Maqedonisë, e cila thuhet se do të ketë të drejtën e formimit të Këshillit për shqyrtim të ankesave që i adresohen Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë. Detyrim tjetër të cilin Gjykata e Lartë e Maqedonisë duhet ta përmbush pasi këto ndryshime të kalojnë në Parlament, lidhet me obligimin ligjor të publikimit të qëndrimeve parimore dhe mendimeve ligjore në adresën elektronike të saj. Përmes respektimit të këtyre dispozitave, ndryshimet e Ligjit për gjykata synojnë sigurimin e unitetit në zbatimin e ligjeve nga gjykatat. Propozimi-ligji i ri për gjykata, i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, mes tjerash parasheh kushte të reja për pranim të gjykatësve të porotës.
Shfuqizimi i kushtit për “arsim të lartë”, të cilën duhej ta përmbushin kandidatët për gjykatës porotë, në ta ardhmen nuk do të vlejë. Dhënia e provimeve shtesë për gjykatësit, sipas propozim-ligjit, thuhet se është dëshmuar si masë jo efikase, e cila ka ndikuar në rritjen e nevojës për gjykatës porotë në të gjitha instancat gjyqësore të vendit.
Kriter i vetëm i cili edhe në të ardhmen do të duhet të plotësohet nga kandidatët për gjykatës porotë, konform Ligjit aktual, është trajnimi profesional i cili realizohet nga ana e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik. Deputetët me votimin “për” ndryshimet e Ligjit për gjykata, do të vendosin kushte të reja për zgjedhje të gjykatësve, respektivisht me plotësimin e Ligjit në fjalë pritet të fshihet (shfuqizohet) kushti për “minimum mesataren 8”. Në arsyetimin ligjor, ku sqarohet intervenimi në nenin 8 të Ligjit për gjykata, thuhet se ky kriter ndryshohet për shkak se sistemi i studimeve të disperzuara ka konstatuar një sistem të pabarabartë të vlerësimit të dijes, i cili nuk ka dhënë vlerësim real të suksesit të kandidatëve.
Njëkohësisht, me këto ndryshime, sic thuhet në këtë propozim-ligj, bëhet harmonizimi me plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor në sferën e mënyrës së vlerësimit të gjykatësve dhe precizimin (konkretizimin) e dispozitave të përmbajtjes për Programin e punës që duhet ta parashtrojë kandidati për kryetar i një gjykate deri te Këshilli në fjalë.
Ndalese e gjykatësve për ta shfrytëzuar funksionin e tyre dhe reputacionin e gjykatës për interese personale është njëra prej shumë ndryshimeve që pritet të futën në përmbajtjen e re ligjore të Ligjit për gjykata. Mes tjerash, këto ndryshime synojnë përforcimin e të drejtës të palës gjatë kohës kur ajo ankohet për një veprim të caktuar të gjykatësit apo nëpunësit gjyqësor. Ndryshe, me plotësimin e këtij Ligji, pritet të ridefinohen arsyet për një shkelje më të rëndë disiplinore, për shkak të së cilës është iniciuar procedura për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësit, si bazë për shkarkim.
Gjykatësit, ndaj të cilëve do të inicohet procedurë disiplinore, e cila brenda kohës nga ana e Këshillit për konstatim të përgjegjësisë, do të vërtetohen këto shkelje, të njëjtit parashihet t’i nënshtrohen një trajnimi shtesë pranë Akademisë për gjykatës dhe prokuror publik. Nga ana tjetër, masa disiplinore mund të shqiptohet edhe në drejtim të uljes së rrogës mujore, e cila mund të arrijë deri nga 15 deri në 30 për qind më pak nga të hyrat e rregullta. Sidoqoftë, meqë bëhet fjalë për ligje sistemore, miratimi dhe votimi i tyre në Parlament, siç qëndrojnë punët, nuk pritet të bëhet në një të ardhme të shkurtër.
Arritja e dy të tretave të votave (81 deputetë), është shkalla e domosdoshme që duhet ta plotësojë Parlamenti, që këto ligje dhe të tjerët të ngjashëm si ky të hyjnë në fuqi. Mirëpo, gjatë muajve të kaluar, shumë profesorë universitar dhe njohës të rrethanave politike kanë theksuar se pa përfshirjen e opozitës maqedonase në reformat e gjyqësorit, të VMRO-së në këtë rast, kjo nismë e LSDM-së dhe partive tjera nuk do të mund të realizohet. (koha.mk)