Shkup, 20 nëntor – Eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han vlerëson se ligji për gjuhët është kërkesë tejet e arsyeshme, por përmendi se ai nuk është pjesë nga prioritetet e Brukselit, që për momentin kërkohet nga Maqedonia në rrugën e integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Han sot në Shkup në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Zoran Zaev tha se autoritetet e Maqedonisë duhet t’i shënojnë sferat prioritare për të cilat do të fitojnë vlerësime pozitive nga Brukseli. Ai theksoi se ligji për gjuhët kalon nëpër procedurë kuvendore dhe se ai është miratuar në fazën e parë, në bazë të rekomandimeve paraprake nga Komisioni i Venecies, por shtoi se për momentin është me rëndësi Qeveria të përqendrohet në ligjet dhe në përmbushjen e kushteve për fitimin e rekomandimit pozitiv. “Ligji për gjuhët nuk është pjesë e asaj që është dakorduar në këtë kontekst, por edhe një herë do të them se në Bruksel angazhohemi fokusi të vendoset në prioritetet, nëse kjo çështje mund të zgjidhet në kushte të tilla në rregull, nëse ka nevojë të definohen prioritetet, atëherë ato duhet të definohen sipas interesave kombëtare”.