Shkup, 30 janar – Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në seancën e 32-të të djeshme e anuloi debatin për Ligjin për përdorimin e gjuhëve në lexim të tretë, e cila ishte pika e tetë dhe potencoi se debati për këtë pikë do të vazhdojë pasi të plotësohen kushtet për të.
“Përpunimi i të gjitha amendamenteve, të cilat janë në numër prej 35.569, nuk kanë përfunduar. Duke e pasur parasysh obligimin sipas Rregullores që të përkthehen kushtet formale për hapjen e debatit për këtë pikë nuk janë plotësuar. Prandaj kalojmë në pikën e ardhshme”, tha Xhaferi.
Paraprakisht, në pjesën e paradites deputetët kishin debat të ashpër rreth përcaktimit të rendit të ditës në seancë. Para se ta përcaktohet rendi i ditës, shumica nuk i përkrahën kërkesat e opozitës që ligji të jetë pika e fundit e rendit të ditës, e as ta tërheqin nga seanca.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani paraprakisht deklaroi se ligji për përdorimin e gjuhëve do të sillet edhe krahas mosnënshkrimit nga ana e presidentit Gjorge Ivanov dhe përpjekjen e VMRO-DPMNE-së opozitare me amendamentet e parashtruara ta bllokojë. Kundërshtimi i tyre është konfirmim për mungesën e ndjenjës së përgjegjësisë dhe të ndjeshmërisë në raport të këtyre çështjeve”, deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Ai në takim me gazetarët duke i’u përgjigjur pyetjes së gazetarëve, theksoi se Ligji për gjuhët del nga amendamenti 5 i Kushtetutës së RM-së, dhe nga Marrëveshja kornizë, dhe se me sjelljen e tij do të rrumbullaksohet implementimi i marrëveshjes politike e cila është sjellë para 17 viteve.
Paraprakisht Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët e akuzoi VMRO-DPMNE-në se me parashtrimin e mbi 35 mijë amendamenteve për Ligjin e gjuhëve i kundërshton interesat e të paktën një të tretës së qytetarëve dhe bëri thirrje për ndërprerjen e politikave të tilla.
Për Aleancën e Shqiptarëve, gjithashtu, nuk është i pranueshëm definicioni “gjuha, të cilën e flasin së paku 20 për qind” e qytetarëve.
Para Kuvendit dje u mbajt protestë kundër vendosjes së dygjuhësisë dhe ndërrimit të emrit.