Omer XHAFERI
Shkup, 1 nëntor – Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Speciale Publike, gjatë periudhës së kaluar i kanë harmonizuar qëndrimet e tyre sa i përket plotësim-ndryshimit të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Në një njoftim për gazetën KOHA, nga PSP-ja kanë thënë se të gjitha rekomandimet dhe vërejtjet për ligjin në fjalë, nga ana e tyre janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë. Ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, nga prokuroria speciale e Katica Janevës, vazhdimisht i kanë cilësuar si nevojë e domosdoshme për procedimin e mëtutjeshëm të lëndëve, siç janë “Monstra”, “Martin Neshkovski” e kështu me radhë. Me këtë rast, ata kanë nënvizuar se dispozitat e ligjit në fjalë në përgjithësi janë qëndrueshme, megjithatë propozimin e ndryshimeve të cilët ata e kanë iniciuar, kryesisht ka të bëjë me procedimin dhe shqyrtimin e rasteve të tyre.
”Procedura aktuale që një person të vendoset në programin e dëshmitarëve të mbrojtur, ligji aktual e parasheh ta bëjë një Këshill pesë anëtarësh, për të cilën ne nuk kemi asnjë vërejtje. Mirëpo, propozimi ynë në këtë drejtim, është që në vend të Këshillit, i cili duhet ta shqyrtojë mundësinë se një person duhet apo nuk duhet të vendoset në program, ne kërkojmë që në rastet e tona, këtë vendim ta miratojë prokurori special. Duam të theksojmë se ne nuk kërkojmë që të bëhen ndryshime të përgjithshme të ligjit, por vetëm shtimin e paragrafëve”, tha prokurorja speciale, Lençe Ristovska, për gazetën KOHA.
Njëkohësisht, nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se propozim – ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, janë vendosur në Regjistrin e vetëm elektronik kombëtar për dispozita (REKD), i cili parasheh inkuadrimin e opinionit në fazën fillestare të përgatitjes së ligjeve. Përveç publikimit në REKD-ë, nga kjo ministri, për gazetën KOHA, kanë bërë të ditur se Propozim ligji në fjalë u është dorëzuar për shqyrtim dhe vlerësim në më shumë institucione shtetërore dhe se pas kalimit të këtyre filtrave, i njëjti do të futet në procedurë qeveritare. Ndryshe, plotësimi i Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili sipas të gjitha paralajmërimeve duhet të ndihmoi palët në zbardhjet e plotë të vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, pritet të bëhet në dispozitat e neni 6 dhe 10. Me propozim të Prokurorit Publik, në të gjitha proceset e deritanishme gjyqësore, Këshilli pesë anëtarësh i përbërë nga përfaqësues të më shumë institucioneve, ka vendosur se një person i caktuar do të futet ose jo në programin e dëshmitarëve të mbrojtur. Në këtë drejtim, kërkesa e PSP-së, është që kjo e drejtë kur flitet për rastet që burojnë nga përgjimet e jashtëligjshme, t’ju takojë vetëm atyre. Përfaqësues nga radhët e gjykatësve në Gjykatën Supreme, përfaqësues nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë Publike, drejtori i Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, përfaqësues i Ministrisë për Punë të Brendshme dhe përfaqësues nga Sektori për mbrojtje të dëshmitarëve, e përbëjnë Këshillin, i cili, siç thuhet në nenin 10, paragrafi 3, ka të drejtë të miratimit të vendimit për “ndryshimin e identitetit” si masë e sigurisë. Ekspertët juridik, të akuzuarit dhe avokatët e tyre në më shumë proces gjyqësore në vend, të kategorizuar a si “montime politike”, kanë akuzuar se Këshilli në fjalë është keqpërdorur në shumë raste për qërimin e hesapeve politike. Krahas rastit “Monstra” ku deklaratat e dëshmitarin të mbrojtur ishin argumente kyçe për aktgjykimin me burg të përjetshëm, proces tjetër ku dëshmitari i mbrojtur ka pasur fjalën përfundimtare ka qenë vrasja e njësitit “Alfa” në vitin 2008 në lagjen Gazi Babë. (koha.mk)