Importuesit e veturave të vjetra në vend nuk presin që nga viti i ardhshëm të shtrenjtohet çmimi i veturave nga importi si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore. Një parashikim i tillë vjen pas paralajmërimit qeveritar se deri në fund të vitit, do të miratohet Ligji për tatimin e veturave
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 dhjetor – Importuesit e veturave të vjetra në vend nuk presin që nga viti i ardhshëm të shtrenjtohet çmimi i veturave nga importi si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore. Një parashikim i tillë vjen pas paralajmërimit qeveritar se deri në fund të vitit, do të miratohet Ligji për tatimin e veturave. Një ligj i tillë parashikon që çdo kush që importon vetura të vjetra me standarde më të ulëta ekologjike, do të paguajë tatim më të madh, shkruan gazeta KOHA.
Njëherazi, krahas vjetërsisë së veturës, në tatim do të kalkulohet edhe emetimi i dyoksidit të karbonit në mjedis, apo sa vetura e ndot ambientin. Me fjalë të tjera, pritet që nga 1 janari i vitit 2020, në vend të akcizës – të paguhet tatim, ndërsa lartësia e tij do të varet nga viti i prodhimit të veturës dhe çmimi i tij blerës, si dhe niveli i ndotjes që shkakton vetura.
Tregtarët që shesin vetura të vjetra në Shkup nuk presin që të ketë ndonjë shtrenjtim të veturave nga importi për blerësit. “Çmimet do të mbeten të njëjta dhe nuk do të ketë shtrenjtim të veturave të vjetra si rrjedhojë e rritjes së tatimit prej 18 në 20 për qind. Tani mund të presim në fakt që do të zvogëlohet fitimi i tregtarëve”, thonë nga “Autoplac Kimbar” në Shkup. Edhe tregtarët e tjerë nuk presin që të ketë ndonjë luhatje të çmimeve .
“Njëherë të shohim a do të miratohet ky ligj deri në fund të vitit, dhe pastaj mbetet të shohim se realisht sa do të ndikojë dhe a do të ndikojë në shtrenjtimin e veturave nga importi”, thonë në në parkun e veturave të vjetra “Banda” në Shkup. Edhe nga pikat e tjera të shitjes së veturave në Shkup nuk presin ndonjë shtrenjtim eventual të veturave të vjetra që importohen në vend nga shtetet perëndimore. Nga Ministria e Ekologjisë kanë paralajmëruar se janë vendosur disa masa që nuk do të kërcënojnë shtresat sociale të prekura të popullatës, por do të dërgojnë një sinjal se me të vërtetë importi i veturave të vjetra ndikon negativisht në ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike.
“Ky ligj për tatim ndaj veturave do të zëvendëson ligjin për akciza, sipas të cilit, akcizat paguheshin sipas vlerës së veturës, ndërsa tani në formulë është përfshirë edhe faktori i CO2 emetimeve. Kjo nënkupton se këto masa gradualisht do të ndikojnë në ndërrimin e parkut vozitës. Të ardhurat nga taksat do të shkojnë për rritjen e investimeve për uljen e ndryshimeve klimatike”, thotë Ana Petrovska, sekretare shtetërore në Ministrinë e Ekologjisë. Sipas saj, masat e reja synojnë zëvendësimin gradual të veturave të vjetra duke marrë parasysh se transporti së bashku me energjetikën, mbeturinat dhe ndërtimtarinë – janë ndër faktorët kryesor të ndotjes në vend. Në mesin e vitit 2020, pritet të hyjnë në fuqi ndryshimet e reja ligjore me të çilat të gjitha veturat do të fitojnë ngjitëse ekologjike me ngjyra të ndryshme që do të tregojnë se cili automobil sa e ndot ambientin. Kjo nënkupton se me ndryshimet ligjore do të shënohet çdo veturë në varësi prej emetimit të gazrave ndotës. Në këtë mënyrë do të seleksionohen veturat që do të largohen nga komunikacioni gjatë ndotjes së madhe të ajrit në muajt e dimrit.
Statistika tregon se në dhjetë vitet e kaluara janë importuar më shumë 300 mijë vetura të vjetra nga jashtë. Vetëm në vitin 2019 janë importuar 37 mijë vetura, prej të cilave afër 90 për qind kanë qenë më të vjetra se 10 për qind dhe me 90 për qind kanë ngasje me dizel. Ndryshe, ekspertët e automobilizmit vlerësojnë se tregu i veturave të vjetra në Maqedoni ndikohet edhe nga fuqia e ulët blerësve në shtet dhe pamundësia e blerjes së veturave të reja nga njëra anë. (koha.mk)