Evis HALILI
Shkup, 5 gusht – Ndryshimet që pësoi Ligji i Kulturës në vitin 2011 dhe ato që pasuan tre vjet më pas – në 2014, do të shfuqizohen, shkruan gazeta KOHA. Me paketën e pesë propozimeve për ndryshime dhe plotësime në Ligjin e Kulturës që pritet të shqyrtohet nga Parlamenti me procedurë të përshpejtuar, arsyetohen kërkesat e Ministrisë së Kulturës, për të rishikuar shumën e pensioneve të artistëve, fitues të çmimeve kombëtare, formën e menaxhimit të institucione të kulturës, e të tjera. Të parët në listën e propozimeve të ministrit të Kulturës, Robert Allagjozovski, janë pensionet e artistëve dhe punonjësve të tjerë të artit dhe kulturës, përllogaritja e të cilave do të bëhet në mënyrë të atillë që të mos e tejkalojë vlerën tavan prej 38.500 denarë – propozim ky që vlen për mbi 60 artistë, fitues të tre çmimeve shtetërore: “11 Tetori”, “Shën Klimenti i Ohrit” dhe “23 Tetori”, përllogaritja e pensioneve që sipas Ligjit në fuqi – ka arritur edhe deri në më shumë se 47 mijë denarë. Po ashtu, pritet që listës së përfituesve të pensioneve t’i shtohen edhe ata artistë që çmimin “11 Tetori” e kanë marrë gjatë viteve 1959-1987, përkatësisht të krijohet baza ligjore që edhe ata të kenë trajtim të barabartë me fituesit e tjerë të këtij çmimi.
“Duke pasur parasysh faktin se janë plotësuar kushtet dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë ligj voluminoz dhe të komplikuar dhe me miratimin e tij do të reduktohen detyrimet financiare për likuidimin e kompensimeve për pensionistët, fitues të çmimeve kombëtare të kulturës, dhe të sigurohet zbatimi sa më efikas i Ligjit në pjesën e punës së drejtorëve të institucioneve nacionale dhe efikasitet më i madh në inspektim, sugjerojmë që Propozimi për ligjin të miratohet me procedurë të përshpejtuar”, ka kërkuar ministri Allagjozovski. Ndryshime të tjera ligjore, që do të shfuqizojnë ato të tre viteve më parë janë edhe ato që lidhen me nënshkrimin e kontratave menaxheriale mes drejtorëve dhe ministrit të kulturës, pas emërimit të tyre. Kjo dispozitë do të shfuqizohet, pasi sipas analizës së bërë nuk ka sjellë efekte pozitive, por ka krijuar pengesa për monitorimin efikas të punës së drejtorëve, por edhe marrjes së masave ndaj tyre, në rastet e shkeljeve dhe abuzimeve prej tyre. Po ashtu do të ndryshojë edhe një tjetër pikë e Ligjit, sipas së cilës çdo gjashtë muaj drejtorët e institucioneve duhet t’i raportojnë ministrit për punën e bërë, dhe po gjashtë muaj kanë në dispozicion për të përmirësuar mangësitë apo vërejtjet eventuale. Kjo dispozitë do të shfuqizohet, pasi Ministria vlerëson se afati i këtillë ligjor mundëson që mangësitë të thellohen dhe të reflektohen negativisht në punën e institucionit. Pas raportimit të drejtorit është ministri ai që do të vendosë afatin për përmirësimin e të metave, varësisht rastit dhe problemit. Në ndryshimet e propozuara të Ligjit për kulturë po ashtu kërkohet edhe të ndëshkohen drejtorët dhe personat përgjegjës nëpër institucione nëse nuk i binden kërkesave të inspektorëve të kulturës për të siguruar të gjitha dokumentacionin që pasqyron gjendjen e përgjithshme të institucionit që drejtojnë në rastet e inspektimit dhe kontrolleve mbikëqyrëse. Paketa me propozimet do të shqyrtohet nga Komisioni i Kulturës përpara se të miratohet nga Parlamenti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.