Fatos RUSHITI
Shkup, 8 mars – Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, nuk pritet të thërret seancë plenare për një javë me qëllim që ti jepet kohë partive parlamentare që të arrijnë marrëveshje në lidhje me miratimin e Ligjit për gjuhët pas dështimit të ditës së martë që i njëjti të hidhet në votim, shkruan gazeta KOHA. Në të njëjtën vijë me të janë dhe deputetë e BDI-së që thonë se nuk do të ketë seancë plenare tjetër pa u miratuar Ligji për gjuhët. Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të LSDM-së thonë se mund të veprojnë siç thotë BDI, por për shtetin nuk do ishte mirë të luajnë në mënyrë kaq agresive. Deputetë të BDI-së thonë se debati mbi amendamentet është harxhuar në lexim të dytë, ndërsa sa i përket vërejtjeve të presidentit, shprehen se është në vullnetin e shumicës nëse i përfill apo jo.
“Ne jemi Parlamenti dhe në këtë organ ka një shumicë që vendos për çështje të rëndësishme në vend dhe miraton ligjet. Kjo shumicë nuk ka pse të përfill vërejtjet e presidentit e as amendamentet për të cilat debati thjeshtë është harxhuar në lexim të dytë. E ka thënë dhe kryetari i Parlamentit, nuk jemi ne ata që vlerësojmë nëse një ligj është në pajtim me Kushtetutën apo jo, por ne votojmë ligjet që i propozon Qeveria”, thonë deputetë e BDI-së. Siç shprehen ata, seancë nuk do të ketë pa u votuar Ligji për gjuhët, ndërsa janë të sigurt se atë do ta votojnë dhe deputetë e LSDM-së.
“Jemi të sigurt se Ligji do të votohet edhe nga deputetët e LSDM-së, ndryshe nuk do të bëhet kjo punë. Seancë plenare nuk do të ketë pa u votuar ky ligj. Tjetra, neve nuk na intereson forma se si VMRO do ti përkrah ligjet reformuese meqë ky është një problem tjetër që nuk duhet të lidhet me Ligjin për gjuhët, është problem si i menaxhon LSDM punët me VMRO-në”, thonë deputetë e BDI-së. Ata përmendin rastin e njëjtë kur në vitin 2008, presidenti i atëhershëm, Branko Cërvenkovski, nuk e nënshkroi Ligjin për gjuhët dhe të njëjtin u detyrua ta nënshkruaj përsëri.
“Në vitin 2008 kishim të njëjtën situatë kur presidenti Branko Cërvenkovski refuzoi ta nënshkruaj Ligjin për gjuhët, dhe e ktheu atë në Parlament bashkë më vërejtjet që normalisht – shumica e atëhershme nuk i përfilli dhe e votoi tekstin e njëjtë të Ligjit, bile në mos gabohemi – atëherë kishte dhe deputetë të LSDM-s që votuan pro ligjit. Pas kësaj, Cërvenkovski u detyrua ta nënshkruaj Ligjin për gjuhët meqë ashtu e thotë Ligji dhe Kushtetua dhe po njëjtë do të detyrohet ta nënshkruajë edhe presidenti Ivanov”, thonë për gazetën KOHA deputetët nga Grupi parlamentar i BDI-së. Në LSDM, sekretari i përgjithshëm i partisë, Aleksandër Kiracovski pajtohet me deputetët e BDI-së që shumica mund të vendos gjithçka vetëm, por siç thotë ai, nuk do të ishte mirë për shtetin. “Mund të them se ne nuk e kemi problem të vendosim gjithçka vetëm edhe për Ligjin për gjuhët, por nuk do të ishte mirë për shtetin të luajmë agresisvisht”, thotë shkurt Kiracovski nga LSDM në pyetje e gazetës KOHA nëse shumica ka të drejtë të votojë Ligjin pa përfillur amendamentet e partive opozitare në rastet kur atë e kthen presidenti. Në ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar të VMRO-së, Dragan Danev thotë për gazetën KOHA se bazuar në Rregulloren e punës, e vetmja gjë që mund të shfrytëzojë shumica është që diskutimet mbi amendamentet të akumulojë në një të vetëm, por nuk mund të shmanget votimi i amendamenteve një nga një.
“Në asnjë mënyrë Ligji nuk mund të kalojë nëse i referohemi Rregullores së punës, pa u mos u shqyrtuar amendamentet e propozuara nga deputetët, në këtë rast deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ajo që nuk dëshirohet aspak nga ne është që shumica të shfrytëzojë mundësinë që e jep Rregullorja për ti akumuluar diskutimet mbi amendamentet në një diskutim të vetëm. Por shumica nuk ka asnjë mundësi ti shmanget votimit të amendamenteve një nga një”, thotë Danev. Ndryshe, sipas asaj që deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, ekziston mundësia pas konsolidimit të shumicës parlamentare për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i njëjti të hidhet në votim pa diskutim të amendamenteve.
“Unë shikoj kompetencat dhe veprimet procedurale të cilat dalin nga Rregullorja e Parlamentit. Ligji i ka kaluar të gjitha procedura ligjdhënëse, por u kthye pas për shkak të mosdekretimit të tij nga ana e presidentit të shtetit. Mosdiskutimi i amendamenteve është çështje interpretimi dhe unë bazohen në Rregulloren e Parlamentit. Ajo çfarë nënkuptojë me këtë, është se kjo do të shihet gjatë konvertimit të seancës plenare”, tha Xhaferi.
Ndryshe, praktika qëndron në anën e BDI-së meqë ka pasur raste më herët kur ishte kohabitacion me VMRO-në dhe LSDM-në, kur presidenti Branko Cërvenksovi ka kthyer ligje të caktuara, por që shumica i ka votuar pa debat në lexim të tretë duke mos përfillur propozimet e deputetëve të LSDM-së. Pikërisht në këtë kohë, Parlamenti është në vlugun madh të procedimit me ligje të rëndësishme, si ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm, ndryshimet në Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për sigurimin material të personave të papunë për shkak të privatizimit të kompanive me pronësi dominuese të shtetit, ndryshimet në Ligjin për mbrojtje sociale. Në rendin e ditës janë edhe ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë Publike dhe Ligjin mbi Procedurën Penale.
Deri në fund të javës, vetëm festimi i 15 vjetorit të formimit të Klubit të Përfaqësuesve do të shpallet në faqen e internetit, me një debat për rritjen e pjesëmarrjes politike të grave. Gjithashtu, do të presin për miratimin edhe ndryshimet e Ligjit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, i cili është një Ligj kyç për përmirësimin e efikasitetit të Prokurorisë Speciale Publike, ndryshimet në Ligjin për Gjykatat, Ligjin për mbrojtjen nga pirja e duhanit dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Do të zgjatet edhe votimi për ndryshimet me të cilat ulen pagesat për rrugën e funksionarëve dhe për deputetët. Ndryshimet në Ligjin për resurset minerale janë gjithashtu në pritje të votimit, të cilat duhet të vendosin për fatin e minierave. (koha.mk)