Nga Agim RUSHITI
Në konceptin e çdo politike zhvillimore të një shteti bashkëkohor, respektivisht të një kombi civilizues, prioritet është zhvillimi dhe avancimi i arsimit, në të gjitha nivelet, në të gjitha sferat e jetës, në çdo veprimtari. Në shekullin në të cilin tani më gati dy decenie po hapërojmë, analfabet më nuk konsiderohet ajo kategori e njerëzve që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, por ata individ të cilët nuk mund të mësojnë, ata të cilët nuk mund të heqin nga mendja atë të cilën tani më e kanë mësuar dhe të reflektojnë gatishmëri (të shoqëruar me aftësi) që të rimësojnë rishtazi.
Në diskutimet të cilat na vazhdimësi bëhen lidhur me reformat në arsim, të cilat në të shumtën e rasteve mbeten vetëm në kuadër të debateve (sa për të kënaqur formën, por jo edhe esencën), me shumë pak konkrete në aspektin e marrjes së veprimeve dhe masave adekuate, më së shumti zihet në gojë sintagma ARSIM KUALITATIV. Dhe, çka është edhe më e rëndësishme, një sintagmeje të tillë i shoqërohet edhe paradigma RËNDËSIA. Kualiteti në arsim, sidomos në periudhën e dy decenieve të fundit, ka zbehur (për të mos thënë troç humbur) kuptimësinë e vet. Deri sa vendet e përparuara, të cilët shumë më herët kanë vendosur standarde të definuara arsimore dhe stabile, udhëhiqen me maksimën se “Koha ideale për të filluar formimin e karakterit të një fëmije është njëqind vjet para lindjes së tij”, vendi ynë edhe më tej është në kërkim të asaj që njihet Mbijetesë arsimore.
Çka në fakt nënkuptojmë me arsim(im) kualitativ? Çka, në esencë, ngërthen në vete një kuptim i tillë? Çka përfshin arsimi(mi) kualitetiv? Mbi cilat shtylla duhet të ngritet, zhvillohet dhe pushojë arsimi(mi) kualitativ?
Përcaktimi i definicionit koherent, përmbajtësor dhe kuptimor i nocionit terminologjik arsim kualitativ, është një punë e vështirë. Në kontekst të kësaj, duhet të përcaktohet edhe kuptimësia e kuptimit validitet i kontrollit dhe vlerësimit të kualitetit të arsimit. Në të kundërtën, nëse një detyrë e tillë nuk kryhet në mënyrë adekuate, profesionale dhe institucionale, edhe atë që në fillim të përcaktimit të prioriteteve shtetërore dhe shoqërore në sferën e arsimit, atëherë më se e pritshme është shfaqja e rrezikut, në shkallë të lartë, që të matim, kontrollojmë dhe vlerësojmë diçka krejtësisht tjetër, duke menduar se jemi duke vlerësuar kualitetin e arsimit (dhe arsimimit). Përgjithësisht, mund të thuhet se kualiteti nënkuptohet si tërësi e veçorive me të cilat pasqyrohen prodhimet dhe shfaqjet (shërbimet) dhe të cilat e shprehin thelbin e tyre. Psikologu dhe punëtori eminent i arsimit, amerikani William Glasser, autor i teorisë së kontrollit, duke u nisur nga fakti se kualiteti është thelbi i asaj që për gjithë kohën e dëshirojmë, konsideron se “kualitetin nuk mund ta definojmë në atë mënyrë që të gjithë njerëzit do të pajtoheshin me atë definicion. Por, mund të jetë e pranueshme në atë kuptim që, secili prej nesh, çdo herë ta ketë të qartë se çka është kualitative për vetën e vet”.
Me fjalë të tjera, kualiteti është një koncept mjaft i lirshëm, të cilën shumëkush e ndjen, shumë kush e dëshiron, por të paktët janë ata që e posedojnë.
Kur bëhet fjalë për kualitetin në arsim, shoqëria akademike, por edhe opinioni më i gjerë publik, individ nga të gjitha shtresat, kualifikimet, moshat, përkatësia kombëtare e fetare, janë të kyçur në debate permanente për një arsim kualitativ, për një arsim që i kënaq nevojat e gjëra shoqërore, arsim që hap perspektiva për gjeneratat e reja dhe për shoqërinë në përgjithësi. “Luftë” e madhe idesh zhvillohet përmes dy koncepteve mbi kualitetin në arsim, atij absolut dhe atij relativ, apo atij primar dhe atij sekondar, apo atij objektiv dhe subjektiv. Një “kacafytje” e tillë idesh, debatesh e veprimesh, tani më një kohë të gjatë zhvillohet edhe lidhur me atë se ç’duhet të (ndër)merret për (re)definimin e sistemit arsimor në Republikën e Maqedonisë, në të gjitha nivelet e tij.
Nga më të zjarrtat dhe më jehonprurëse është debati që kohëve të fundit po zhvillohet lidhur me sjelljen e Ligjit të ri të arsimit të lartë, i cili tani më kaloi të gjitha fazat e diskutimit publik (që filloi diku nga fundi i vitit të kaluar kalendarik). Nevoja për krijimin e një politike të përbashkët të arsimit të lartë daton që nga viti 1955. Aso kohe, Bashkësia evropiane filloi me promovimin e një politike e cila kishte për qëllim që të shfrytëzohet potenciali intelektual dhe ai shkencor evropian për të mirat e përbashkëta të shoqërisë së gjerë. Në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, këto përpjekje shkuan në drejtim të vendosjes së kornizës institucionale adekuate për jetësimin e atyre qëllimeve, që të vazhdohet me fazën e dytë, në vitet e 70-ta të shekullit që lamë pas, në hartimin e planeve për ndërtimin e “aparateve” adekuate profesionale dhe të përbashkëta në Komisionin evropian, si trup ekzekutiv i Bashkësisë Evropiane. Format e vendosura të bashkëpunimit në drejtim të avancimit të kualitetit të arsimit të lartë, filluan të jetësohen më vitin 1987, kur Këshilli evropian lejoi programin ERAZMUS, me çka u krye një cikël i politikave arsimore të Unionit evropian. Në këtë mënyrë u hap rruga për krijimin dhe zhvillimin e Procesit të Bolonjës.
Kështu, me të drejtë konstatohet se dhjetëvjetëshi i shekullit të kaluar dhe dy dekadat e këtij shekulli, në sferën e arsimit të lartë në Evropë janë të identifikuara si procese me të mëdha reformuese në historinë më të re, përmes të ashtuquajturës “Proces i Bolonjës”. Gjeneza e këtyre reformave paraqet një ambicie legjitime të Evropës për përforcimin dhe konsolidimin e institucioneve të arsimit të lartë, në të cilat shihet si kryesore për zhvillimin e shoqërisë të bazuar në dije, me synim që të jenë konkurrente me sistemet e fuqishme amerikane të arsimit të lartë dhe ekonomive aziatike që dallohen për nga trendi i përshpejtuar i rritjes dhe zhvillimit. Aspiratat e tilla tërheqin me vete edhe implikime të shumta, në veçanti ato të cilat janë të lidhura me sigurimin e kualitetit të nevojshëm dhe adekuat. Deklarata e Bolonjës, një dokument i përbashkët që i dedikohet reformave në sistemin e arsimit të lartë në Evropë, u nënshkruar nga ministrat evropian të arsimit, më 19 Qershor 1999. Ky dokument, përveç tjerash, si esenciale kishte formimin e një Hapësire të përbashkët evropiane të arsimit të lartë (i cili do të përmbyllej deri më vitin 2010). Përveç principeve mirë të njohura, Deklarata e Bolonjës e promovon bashkëpunimin evropian në sigurimin e kualitetit në arsimin e lartë, nga aspekti i zhvillimit të kritereve dhe metodologjive për krahasim, siç janë krijimi i diplomave lehtë të krahasueshme, zhvillimin e sistemit të arsimit të lartë të bazuar në dy cikle të studimit, me tendencë të shtimit edhe të ciklit të tretë të studimeve, sistem të përbashkët evropian të transferit dhe të akumulimit të kredive, i njohur me shkurtesën ECTS (European Credit Transfer and Accumulation System), si dhe mobilitet të studentëve dhe të mësimdhënësve.
Republika e Maqedonisë i bashkëngjitet procesit të Bolonjës më vitin 2003, edhe pse veprimtaria e arsimit të lartë në këtë vend, në pikëpamje normative, për herë të parë, filloi të rregullohet më vitin 2000, me sjelljen e Ligjit për arsim të lartë, i cili mes tjerash kërkonte që institucionet e arsimit të lartë të fillojnë me vendosjen e Sistemit evropian të transferit dhe akumulimit të kredive dhe ta rregullojnë mënyrën e të studiuarit dhe të programeve studimore në përputhje me Procesin e Bolonjës.
Në Republikën e Maqedonisë, në Ligjet e arsimit të lartë, në Ligjin e arsimit të lartë të sjellur më vitin 2000, që shoqërohen edhe me dy ndryshime tjera (më 2003 dhe 2005) nga ana e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, parashihej sistem unik dhe i vetëm për sigurimin dhe vlerësimin e kualitetit të arsimit të lartë. Deklarata e Bolonjës dhe principet mbi të cilat pushon ky dokument, në sistemin juridik në Republikën e Maqedonisë, respektivisht në arsimin e lartë në këtë vend, në mënyrë të tërësishme gjen jetësimin e saj, me sjelljen e Ligjit për arsim të lartë, një ligj krejtësisht i ri, të sjellë nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, më 26 Shkurt 2008, në variantin fillestar dhe më pastaj edhe me 21 ndryshime dhe plotësime të tij (deri më sot).
Duke pasur parasysh faktin se kualiteti i arsimit është proces mjaft dinamik, se nevojat e shfrytëzuesve të shërbimeve arsimore në vazhdimësi ndryshojnë dhe zhvillohen, se pikërisht arsimi kualitativ i nxit nevojat, kërkesat, interesat, tendencat, aftësitë, shkathtësitë, dituritë e tjera të atyre të cilët arsimohen, shoqëria dhe institucionet kompetente në Republikën e Maqedonisë u vunë para një detyre mjaft të rëndësishme dhe jetike: Atë të marrjes së hapave për vendosjen e standardeve të reja në arsim. Me ndryshimet e reja në skenën politike në Republikën e Maqedonisë, që pasuan me zgjedhjet parlamentare të 18 tetorit 2016, respektivisht me formimin e Qeverisë së re reformatore, më 31 Maj 2017 (të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev), gjatë definimit të politikave arsimore filloi të dominojë një koncept dhe qasje e re mbi arsimin dhe ecuritë e tij, e mbështetur mbi standarde të definuara, të ndërtuara mbi principin e zhvillimit të negociatave me shfrytëzuesit e shërbimeve arsimore, në mënyrë që standardet e tilla që përcaktojnë kualitetin e arsimit të paraqesin faktorë zhvillimi. Indikatorët e gjertanishëm që pasqyronin kualitetin e diturive të nxëna, jetëzgjatjen e tyre, shkathtësitë e fituara, aftësitë e mishëruara, qëndrimet e ndërtuara, kompetencat e absorbuara dhe interesat tjera që i përkasin personalitetit të studentit, na bëjnë me dije se në arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë duhet të intervenohet në mënyrë sistemore, thelbësisht dhe rrënjësisht, në tërë sistemin e arsimit të lartë (në realizimin e veprimtarisë dhe në praktikimin e tij).
Mbi këtë bazë dhe duke pasur para vetes një varg analizash të kryera, gjendjesh të përjetuara dhe reaksionesh aktuale, në të gjitha segmentet dhe nivelet e arsimit në vendin tonë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, iniciuan dhe iu futën ndryshimeve rrënjësore në drejtim të arritjes së njërit nga qëllimeve prioritare në programën për punë të Ministrisë për arsim dhe shkencë për vitin 2018, e në funksion të realizimit të Prioriteteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për vitin 2018: Reforma në arsim dhe investim në inovacione dhe teknologji informatike, rritjen e efikasitetit dhe transparencës nëpër universitete, investime në shkencë dhe në hulumtim, zhvillim të teknologjive dhe industrive të reja, përmirësimi i standardit të studentëve, stimulimi i masave për punësim të parë etj. Një nga hapat e parë në këtë drejtim ishte ofrimi, apo më mirë thënë rishqyrtimi i rregullativës ligjore që rregullon veprimtarinë arsimore, shkencore dhe asaj hulumtuese, në të gjitha nivelet, në institucionet e arsimit dhe në ato institucione që ofrojnë shërbime arsimore, apo shfrytëzojnë të mirat e institucioneve arsimore (inovacionet, patentat…).
Një hap në këtë drejtim ishte sjellja e një Ligji të ri të arsimit të lartë. Qeveria e Republikës së Maqedonisë, respektivisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në interes të tejkalimit të problemeve të konstatuara në arsimin e lartë dhe në veprimtarinë shkencore-hulumtuese, për këtë qëllim, hapi një dialog konstruktiv dhe një debat publik të gjerë, me të gjithë aktorët dhe faktorët që e faktorizojnë arsimin e lartë (shoqëria akademike, studentët, bashkësia e biznesit, prindërit, intelektualët, asociacionet,…), për të ardhur deri tek tejkalimi dhe përmirësimi i rrethanave në këtë nivel të arsimit. Ligji i ri i arsimit të lartë, që në inicimin e tij, e më vonë edhe përgjatë hartimit të tij, pretendonte që, duke respektuar para se gjithash standardet homoteknike të hartimit të ligjeve, të paraqesë një tekst konzistent, të qartë, preciz dhe i kuptueshëm, e me të edhe lehtë të zbatueshëm (si akt juridik), i cili nuk do të jep hapësirë për interpretim dhe implementim selektiv dhe të shumëndryshëm. (vijon nesër)