Për fat të keq, fate si të Tonit ka ende në këtë shtet. Uroj që jeta e tij mos të mbesë pa mision. Uroj që këta zyrtarë të ndjejnë peshën e rastit e tij japin të drejtë për jetë rasteve të ngjashme. Duhet ta kenë detyrim barrën dhe peshën që ua la ky djalë i pa fat, i cili edhe pa qenë mes nesh do të duhet t’u bëjë presion për zgjidhjen e fateve njerëzore që shteti nuk i sheh…
Nga Nazim RASHIDI
Ende nuk ka mbaruar jehona e vdekjes të 19 vjeçarit Toni Sali, i cili për sa kohë kishte jetuar nuk kishte numër amzë e si rrjedhojë as librezë shëndetësie e as mundësi për të marrë të gjitha ndihmat që i takojnë si qytetar i Maqedonisë së Veriut. Djali i notave të shkëlqyera nuk ekzistonte për shtetin. Vetëm shkolla e “njihte” zyrtarisht, për shkak të konventave për të drejtat e fëmijëve. Por për shtetin, institucionet, burokratët, ai nuk ekzistonte. Vdekja e këtij të riu, por edhe rasti i tij që ishte një betejë e gjatë dhe e mundimshme për t’i thënë shtetit dhe burokracisë se, heeej, unë janë këtu ekzistoj! Rasti që ndiqej nga media e sidomos nga portali sdk.mk vuri në vëmendje të opinionit anomalinë tonë jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. Rrethanat familjare, për të cilat ai s’kishte asnjë faj, e bënë që mos të ketë një numër amzë për 19 vjet, pa të cilin numër në shtetin tonë s’mund të bësh asnjë gjë. Por fatkeqësia e tij vazhdon edhe pas vdekjes. Nuk mund të kishte as edhe një certifikatë vdekjeje. Realisht pa këtë dokument nuk dihet edhe si është varrosur. Që sërish mund të hapë dilemën e raportit të individit me shtetin, madje edhe kur nuk je më në këtë botë.Ishte i lindur në një bashkëjetesë, nga një nënë e pa divorcuar nga martesa e parë, çka krijonte për ligjin problemin.
Por shpjegimi i rrethanave, familjare, ligjore dhe faktike ishte bërë para institucioneve. Fakti që asnjë nuk merrte parsysh fatin e të riut, jetën e tij, ngre dilema të mëdha. Prandaj emri i Toni Salit nuk duhet të mbesë i shënuar vetëm në lajme, apo rubrika njoftimesh fatkeqe. Në fakt rasti i tij duhet të ngrihet në kauzë për të ndihmuar individin, sidomos atë nevojtarin, që është pa ndihmë, pa përkrahje e pa mbështetje. Prandaj Toni Sali me gjithë vështirësitë e jetës të tij të shkurtër vazhdon të na bëjë pyetjet esenciale:
Çfarë shteti duam? Në çfarë shoqërie duam të jetojmë?
Që kur se lexova lajmin dhe rastin e këtij djali u trondita. Tragjike gjithçka. Tragjike ikja e tij e hershme. Tragjike lufta e tij e me burokracinë. Tragjike edhe pas vdekja. S’ka detaje për arsyet e vdekjes (për sa kohë shkruhet ky tekst). S’kishte as certifikatë vdekjeje. Nëse lexon dhe dëgjon zyrtarët, të gjithë japin shpjegime juridike të cilat mbase mbajnë. Të cilat duken dhe të argumentuara. Të cilat unë të paktën nuk i sfidoj dot. Por të gjithë me radhë përshfaqin një arrogancë të madhe, madje një cinizëm dhe mospërfillje për jetën.
Asnjë nga institucionet e shtetit, në të gjitha letërkëmbimet që janë aq të akullta e të pamëshirshme kur i shikon e lexon, nuk kishte marrë parasysh jetën. JETËN e njeriut. E ky moment bën që Toni Sali ende të jetë mes nesh, sepse s’mund të ikë në paqe pa marrë përgjigjen e pyetjes që vazhdon: Çfarë shteti duam?
Përvoja e njerëzve me shtetin në këtë vend ka qenë problematike, thënë më butë kjo. Ende dëgjojmë për raste se percepsionet janë aty padyshim se nëse s’ke të njohur nuk mbaron dot punë. Nëse ke kaluar në semafor të kuq, ta rregullon dënimin i njohuri te policia. Por vijojnë raste e percepsionet edhe më të rënda ku në gjykatë si pjesëtar i një grupi etnik mund të marrësh dënim më të madh, ose mund të dënohesh më pak se tjetri. As që dua të futem në historinë e hershme të këtij shteti, ku dominanca në burokraci fuste me vite burg jo maqedonasit për çfarë do arsyeje, por jo vetëm për shkak të drejtësisë.
Ky është narracioni dhe perceptimi i qytetarit për drejtësinë e si rrjedhojë për shtetin. Krye këput i njëanshëm. E tani imagjinoni Tonin. Pjesëtar i komunitetit rom, familje me rrethana problematike, kushte jetese që kërkonin ndihmë, avokat që punonte vullnetarisht. Po nëse shteti si ndihmon këto kategori njerëzish, ç’kuptim ka ekzistenca e tij? Narracioni jonë si shoqëri duhet nga ky rast të ndryshojë, e shteti të merret përgjegjës, sepse nuk ndihmon nevojtarin. Fatkeqësisht shteti shikohet ende si ndëshkues dhe jo shërbyes. Por sovrani jemi ne. Kjo nuk kuptohet. As nga njerëzit e sidomos jo nga aparatçukët e zyrave. E gjithë kjo pamje e sjellë nga fati tragjik i një të riu, vijon me pyetjen për shoqërinë tonë. Në çfarë shoqërie duam ne të jetojmë? Ajo hesht. Përgjithësisht i vrojton këto situata dhe assesi t’i kanalizojë në kauzë e cila do të duhej të përmirësonte veten, jetën dhe shtetin si institucione. Sigurisht ka disa zëra medial, shoqëria civile, por kryesisht heshtje. Hesht dhe politika e cila gjithçka prej kohësh shikon transaksion. As edhe një reagim nga institucionet e rëndësishme si kryeministria, presidenca, për rastin, për Tonin, i cili në thelb është duke i goditur të gjithë edhe me mungesën e tij.
Gjasat janë se nuk shihet si rast me të cilin mund të kapitalizohen vota. Sepse do duhej veç një vendim, një guxim për të parë ligjin dhe ligjet me një frymë më të gjerë, me një vizion më njerëzor që rasti të mbyllej. Një gjykatë, një ministër, një institucion e një zyrë diku do të mjaftonte të thoshte 19 vjet janë dëshmi e mjaftueshme për ekzistencën e një njeriu për shtetin. Por jo. Sepse nevojtari mbetet i pa vërejtur para dyerve të zyrave edhe pse pret me orë të tëra para tyre. Toni Sali nuk është më. Të vetmit që kanë vizituar familjen e të ndjerit kanë qenë kolegët gazetarë të portalit sdk.mk që kanë ndjekur rastin e tij me vite. Toni Salit me gjasë askush s’do i kërkojë falje, as dikush do t’i kërkojë falje familjes. Asnjë zyrtar që ia ka përmendur emrin në dokumente e shkresa s’do e vizitojë, sigurisht as titullarët e as politikanët që janë në krye të zyrave. Kjo është pamja e tmerrshme dhe e shëmtuar që na shfaq Toni Sali. Zyra e zyrtarë të akullt e pa mëshirë dhe njerëz e shoqëri moskokëçarëse dhe indiferentë për fatin e individit dhe madje për vetë jetën.
Për fat të keq, fate si të Tonit ka ende në këtë shtet. Uroj që jeta e tij mos të mbesë pa mision. Uroj që këta zyrtarë të ndjejnë peshën e rastit e tij japin të drejtë për jetë rasteve të ngjashme. Duhet ta kenë detyrim barrën dhe peshën që ua la ky djalë i pa fat, i cili edhe pa qenë mes nesh do të duhet tu bëjë presion për zgjidhjen e fateve njerëzore që shteti nuk i sheh. Të gjitha ligjet e kësaj fushe që zgjidhin çështjet juridike të njerëzve pa numra amzë, pa shtetësi, apo me probleme të ngjashme statusi ndaj shtetit nga ky moment më së paku duhet të quhen ligjet “Toni Sali”, kështu ikja e tij shumë para kohe s’do jetë e kotë. Dhe sa herë të përmendet emri i tij, në parlament, në presidencë, në qeveri, të jetë si një çekiç i cili do t’i bjerë kokës shtetit, e ta kujtojë se ai duhet të jetë aty për njerëzit, për të gjithë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)