Athinë, 14 maj – Komisioni për siguri nacionale dhe çështje të jashtme në Parlamentin grek në orën 10:00 sipas kohës lokale do të mbajë mbledhje, në të cilën do t’i shqyrtojë projekt ligjet e parashtruara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë për hapjen e vendkalimeve të reja kufitare afër Majdenit dhe “Markova noga”, si dhe për ngritjen e Zyres për lidhje në Shkup në nivel të ambasadave dhe të Zyres për punë konsullare, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së përgjithshme.
Projekt ligjet dalin nga marrëveshjet e nënshkruara në Shkup në mars dhe prill të këtij viti, ndërkaq raportues në Komision janë deputetët Jorgors Ximanis nga SYRIZA dhe Jorgos Kumucakos nga Demokracia e Re.
Njëri propozim ligj është nën titullin “Ratifikimi i Marrëveshjes mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendosjen e vendkalimit të ri kufitar mes dy vendeve, që do t’i lidhë Promahin në Republikën e Greqisë me Majdenin në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa i dyti nën titullin “Ratifikimi i Marrëveshjes mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendosjen e vendkalimit të ri kufitar në rajonin e Liqenit të Prespës dhe dispozita të tjera”.
Pasi që projekt ligjet të marrin dritë të gjelbër nga Komisioni kompetent për mbrojtje nacionale dhe punë të jashtme në Parlamentin grek, më pas do të dërgohen për ratifikim në mbledhje plenare në Parlament.
Projekt ligjet e parashtruara në Parlamentin grek, të cilat janë akte të posaçme i përfshijnë marrëveshjet e lidhura në Shkup, njëra më 8 mars 2019, tjetra më 2 prill 2019, janë nënshkruar nga ministrat e: Punëve të Jashtme, Jorgos Katrugallos, Mbrojtjes Civile, Ollga Gerovasili, Financave, Evklidis Cakallatos, Transprotit dhe Lidhjeve, Hristos Spirxis dhe ministrja alernative për Punë të jashtme, SIa Anagnosopulu.
Në pajtim me marrëveshjet e nënshkruara, për ndërtimin dhe hapjen e vendkalimit afër Majdenit do të shfrytëzohen fonde nga Bashkimi Evropian, ndërsa në marrëveshjen për vendkalimin kufitar afër Prespës, janë prëfshirë edhe nene për ngritjen e nivelit të Zyres për lidhje në Shkup në ambasadë dhe të Zyres për punës konsullare, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së përgjithshme.
Sipas dy marrëveshjeve të nënshkruara në Shkup, është paraparë të formohet Komision i përbashkët i ekspertëve nga të dy vendet me më së shumti nëntë përfaqësues nga secila palë të cilët do të jenë kompetentë për temat teknike dhe juridike, për funksionimin e vendkalimeve kufitare dhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët lidhur me zbatimin e marrëveshjeve.
Në afat prej 30 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, të dyja palët me anë të rrugës diplomatike do t’i këmbejnë listat me anëtarët e Komisionit, i cili për herë të parë do të takohet në afat prej tre muajve pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, ndërsa do të mbajë takime në çdo dy vite.
Komision i këtillë është paraparë edhe për vendkalimin kufitar afër Majdenit dhe për vendkalimin kufitar afër “Markova Noga”.
Projekt ligji “Ratifikimi i Marrëveshjes mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendosjen e vendkalimit të ri kufitar mes dy vendeve, që do t’i lidhë Promahin në Republikën e Greqisë me Majdenin në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, përmban tre nene, ndërsa projekt ligji “Ratifikimi i Marrëveshjes mes Republikës së Greqisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendosjen e vendkalimit të ri kufitar në rajonin e Liqenit të Prespës dhe dispozita të tjera”, ka shtatë nene.
Draft ligj për vendkalimin kufitar në Prespë
Konform marrëveshjes së nënshkruar në Shkup, vendkalimi kufitar tek “Markova noga” do të përdoret kryesisht për persona dhe automjete deri në 5 ton. Në propozim ligjin dorëzuar deri te Parlamenti grek, nenin 1 e përmban në tërësi në gjuhë greke dhe angleze, marrëveshjen e nënshkruar në Shkup më 8 mars 2019 mes ministres alternative për Punë të Jashtme të Greqisë, Sia Anagnostopulu dhe ministrit për Punë të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.
Neni i dytë i draft ligjit u referohet vendimeve të Komisioneve të përbashkëta të ekspertëve, konform neneve 3 nga marrëveshja e nënshkruar në Shkup.
Neni i tretë i referohet ngritjes së nivelit të Zyrës për lidhje në Shkup në ambasadën dhe Zyrën për punë konsullore, ekonomike dhe tregtare në Manastir në nivel të Konsullatës së përgjithshme.
Në këtë nen 4 dhe 5 detajisht është shpjeguar përbërja e personelit i cili do të punojë në ambasadën në Shkup dhe konsullatën në Manastir.
Draft ligji për vendkalimin kufitar në Majden
Neni 1 përmban në tërësi në gjuhë greke dhe angleze, marrëveshjen e nënshkruar në Shkup më 2 prill 2019 mes ministres alternative për Punë të Jashtme të Greqisë, Sia Anagnostopulu dhe zëvendësministrit për Punë të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Andrej Zhernovski.
Neni i dytë i draft ligjit u referohet vendimeve të Komisionit të përbashkët të ekspertëve, konform nenit 3 të marrëveshjes së nënshkruar në Shkup.
Neni 3 i draft ligjit i referohet hyrjes në fuqi të ligjit, pasi të publikohet në Gazetë zyrtare.
Për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve, është paraparë e njëjta procedurë si edhe për ligjet e tjera greke, ose votim në Parlament, publikim në Gazetë zyrtare dhe dhënien e dekretit presidencial, të nënshkruar nga presidenti grek. (koha.mk)