Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska thotë se në bazë të mekanizmave ekzistues institucional, të parapara me zgjidhjet aktuale gjyqësore, fuqia për zgjidhjen e problemit me “savrovski gjyqtarët” është në duart e Prokurorisë Publike dhe Këshillit Gjyqësor dhe këto mekanizma janë të mjaftueshëm
Destan JONUZI
Shkup, 10 janar – Nëse dëshironi të jeni pjesë e konstelacionit evropian, patjetër se duhet të punoni shumë. Kohën në dhomën e pritjes nuk e shpenzojmë duke pritur me duar të palosura, por me përgatitje dhe harmonizim të legjislativit vendor me atë evropian, edhe pse ende formalisht nuk kemi datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kështu thotë në prononcimin e saj për gazetën KOHA, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ndërsa flet mbi harmonizmin e legjislativit vendor me atë evropian.
“Ligjet nga fusha e gjyqësorit i kemi harmonizuar me Komisionin e Venedikut, ndërsa ato për luftën kundër korrupsionit – me Komisionin Evropian dhe GREKO-n. Po përpiqemi që ekspertët ti përgatisin ligjet dhe të hapim debat për ndryshimet e propozuara. Lista e reformave prioritare po zvogëlohet, por sfidat ende janë të pranishme. Pjesa më e madhe e ndryshimeve ligjore duhet të miratohen me 2/3 e votave të deputetëve dhe për këtë arsye është e nevojshme të gjithë faktorët relevant politik të tregojnë në vepër angazhimin e tyre për procesin eurointegrues. Bëhet fjalë për harmonizimin e ligjeve vendore me standardet e Bashkimit Evropian, dhe padyshim se kjo është rruga të cilën duhet ta kalojmë. Por, peshën e rrugës në të cilën ecim e përcakton ç’do faktor politik në shtet”, thotë Deskoska.
Ajo thekson se në bazë të mekanizmave ekzistues institucional, të parapara me zgjidhjet aktuale gjyqësore, fuqia për zgjidhjen e problemit me “savrovski gjyqtarët” është në duart e Prokurorisë Publike dhe Këshillit Gjyqësor dhe këto mekanizma janë të mjaftueshëm. Kohë më parë, shton mëtej ajo, kam deklaruar diçka për të cilën vlerësojë se duhet ta them edhe njëherë: “Ligjet nuk i zgjidhin problemet vetvetiu, por krijojnë mundësi për zgjidhjen e problemeve. Faktori kyç është njeriu”. Pikërisht për këtë, në rast kur institucionet do ngecin, me zgjidhjet e reja ligjore duam që të arrijmë që të aktivizohet mekanizmi për përgjegjësin e tyre”.
Deskoska thekson se Ministria e Drejtësisë, gabimisht, por shumë shpesh është adresa e parë në të cilin qytetarët kërkojnë përgjigje lidhur me procese gjyqësore pa marrë parasysh a është ai rast i montuar politik apo jo.
“Megjithatë, mbajmë një barrë në raport me funksionalitetin e sistemit juridik në Republikën e Maqedonisë dhe në këtë drejtim mund të them se po punojmë në përmbushjen e të gjitha rekomandimeve për të siguruar pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve. Përkundër kësaj, çfarëdo komenti i vendimeve gjyqësore apo procesi, do të konsiderohet si ndërhyrje në punën e gjyqësorit”, nënvizon Deskoska.
GRUPI I KUMANOVËS NUK DO TË EKSTRADOHET NË KOSOVË
Lidhur me informacionet që po qarkullojnë në opinion për ekstradimin e mundshëm të të dënuarve nga Kosova në rastin e Kumanovës, ministrja Deskoska thotë për KOHA se nuk beson në mundësi ekstradimi. “Ekstradimi aplikohet kur një person i cili akuzohet në Maqedonia dhe i cili është shtetas i huaj, shteti amë kërkon që të ekstradohet për shkak të procesit gjyqësor. Në këtë rast nuk ka një situatë të tillë”, sqaron Deskoska. Ndërsa, për rikthimin e rastit të Almirit të vogël në rigjykim, ministrja Deskoska thotë se qëllimi i saj nuk është që të ndërhyjë në proceset apo vendimet e gjyqësorit. “Qëllimi im nuk është që të ndërhyjë në proceset dhe vendimet gjyqësore. Kjo vlen edhe për të gjitha rastet pa marrë parasysh sa sensitive janë për opinionin”, thekson Deskoska. (koha.mk)