Laura PAPRANIKU
Shkup, 30 mars – Sfidat me të cilat përballet arsimi janë shumë të gjera dhe shpeshherë të pa kapërcyeshme nga ligjet, të cilat nxirren në emrin e reformave. Kësisoj, edhe Propozim-ligji për arsim të lartë është para përgjegjësisë të ofrojë zgjidhje nëse jo për të gjitha për shumicën prej problemeve me të cilat ballafaqohet arsimi i lartë në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Kjo është njëra prej porosive që dje doli nga Tryeza e rrumbullakët “E ardhmja në arsim mbi themelet e reformave” organizuar nga organizoi Unioni Studentor Shqiptarë. Por, prof. dr. Avzi Mustafa thotë se “problemi është se mungon debati i mirëfilltë, se universitetet janë të politizuara “ ose ende më keq “sepse politizimi, nepotizmi dhe problem të ngjashme janë të fundit në listë. po ti krahasojmë me nivelin në të cilin ka zbritur kriteret akademike”, pohon profesori tjetër universitar Gadaf Rexhepi.
Pavarësisht të gjithave, deputetja Gjulimsere Kasapi thotë se ka ende vend për ndryshime. Në cilësinë e anëtares të Komisionit për reforma në arsim, ajo ka ftuar për javën e ardhshme USSH-në të debatojnë në Parlament rreth Propozim- ligjit për arsim të lartë.
“Ditën e mërkurë ose të enjten, përfaqësues të Unionit do të vini në debatin që do të zhvillohet rreth Ligjit për arsim të lartë dhe kërkoj që aty ta jepni mendimin e juaj. Kur do të ngrini zërin drejtpërsëdrejti, kështu sikurse bëni tani, besoni se do ta arrini edhe rezultatin dhe suksesin”. Këtë ftesë Kasapi, deputete e radhëve të LSDMS-së ua drejtoi publikisht studentëve gjatë Tryezës së rrumbullakët që ata organizuan në kuadër të aktiviteteve “Java studentore”. Propozim-ligji, sipas saj, ka shumë ndryshime interesante të cilat do ta fuqizojnë autonominë e universiteteve, do të shtojnë aktivizimin e studentëve në forma të ndryshme dhe do të risin pjesëmarrjen e tyre në organet vendimmarrëse. Do të ketë ndryshime edhe në drejtim të përmirësimit të kushteve dhe cilësisë, tha ajo edhe pse problematike po sipas saj mbesin financat. “Kam kërkuar personalisht prej ministres të Arsimit, Renata Deskovskës që të kërkon më tepër financa për reforma, sepse pa para nuk mund të bëhet asgjë, nuk mund të ofrohen kushte më të mira në shkolla”, u shpreh deputetja. Por, kritika për mungesën e debatit dhe mënyrës se si nxirren ligjet drejtoi profesor Mustafa.
Teksa përgëzoi studentët për organizmin e debateve mbi problemet në arsim, ai tha se debate të këtilla do të duhej të organizonin edhe institucionet e thirrura pikërisht për këtë punë. “Nuk di që deri tani dikush tjetër përpos studentëve të ketë diskutuar mbi arsimin. Nuk kanë organizuar debate as Ministria, as Qeveria dhe as universitetet”, u shpreh ai. Në analogji me anekdotën për serbin Nikolla Pashiq, i cili u bë politikan, sepse u tërhoq nga profesioni i arkitektit për shkak se kishte harruar shkallët në projektimin e një shtëpie mjaft të bukur, edhe Ligji i ri për arsim të lartë që pritet të nxitet së shpejti në Maqedoni sipas profesor Mustafës është si puna e “shtëpisë së Pashiqit”, e bukur por brenda pa shkallë. “Nxjerrin Ligje, por nuk bëjnë analiza, nuk konsultohen me ekspertë dhe as me grupet e interesit”, shpjegoi ai.
Prof.dr.Gadaf Rexhepi ngriti si problemin më shqetësues lehtësinë me të cilën në Maqedoni merren thirrjet akademike dhe titujt shkencor.
“Propozim-ligji i mundëson secilit të jetë profesor. Është shumë e lehtë në jesh profesor në Maqedoni. Mund ti dëshmoj secilit se me një muaj punë mund të marrësh cilin titull. qoftë prof. ordinar, qoftë prof. inordinar, qoftë docent. Sepse, të duhen maksimumi gjashtë punime që cilat mund ti botosh ku të kesh qejf, në Prishtinë, Tiranë ose Prilep. Niveli i kratereve për të bërë karrierë akademike është jashtëzakonisht i ulët”. Ky është shqetësimi që Rexhepi tha se dëshironte ta ndante me ministren Deskovaka për të cilën thotë është e politizuar, gjithashtu. Një prej argumenteve me të cilën mbështet këtë konstatim është ndryshimi i neneve që rregullon çështjen e organizmit të studimeve të doktoraturës. “Kur u nxor varianti i parë i Propozim-ligjit kërkohej që këtë të drejtë ta kenë vetëm universitetet e ranguara në pesë vendet e para në Maqedoni. Me ndryshimet që pësuan, u ndryshua edhe ky nen i cili lejon që studimet e dokoraturës të organizojnë tanimë jo pesë universitetet e ranguara më mirë por shtatë universitetet. Dhe, e gjithë kjo që të përfshihet edhe Universiteti ‘Kolegji Amerikan’ ku ministria Deskovska ka interesa private”, akuzoi profesori Rexhepi.
I ftuar për pjesëmarrje në panelin e diskutimeve ishte edhe zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, por që sipas drejtuesve të USSH-së, nuk e ka parë të arsyeshme ti vendos studentët në agjendën e angazhimeve të tij, për çka edhe mungoi në tryezën organizuar nga USSH-ja. (koha.mk)