Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë pranë Universitetit të Tetovës, me iniciativë të Grupit shkencor dhe Parlamentit Studentor të UT-së u mbajt dje ligjëratë shtesë nga profesori amerikan, Dr. Timoti Gol me temë: “Integrimi i mjekësisë në mijëvjeçarin e ri”. Ligjërata, siç njofton Universiteti i Tetovës u realizua në kuadër të projektit të përbashkët që ky universiteti e realizon me mjekët amerikanë.
Dr. Timoti Gol, në ligjëratën e tij u fokusua në zhvillimet e reja se si mjekësia si shkencë e rëndësishme çdo ditë e më shumë avancohet dhe i shtohen shumë njohuri të reja që janë sfidë përparimtare për profesionin e mjekut. Sipas tij, mjeku mbetet student i përjetshëm në misionin e tij që kryen, për hulumtimin dhe fitimin e njohurive efektive, që në mënyrë sa më të përsosur ta ushtroj profesionin e mjekut dhe t’u ndihmojë pacientëve në nevojë.