Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 tetor – Duhanpirja vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit në botë, prej të cilëve më shumë se 600.000 janë jo-duhanpirës, të vdekur nga qëndrimi në mjedise me tym duhani apo nga duhanpirja pasive, tregojnë analizat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, vetëm në Evropë për çdo vit vdesin 650 mijë njerëz nga sëmundjet dhe komplikimet e shkaktuara apo të lidhura me cigaret. Në ndërkohë, në të gjitha vendet anëtare të BE-së, politikat kundër duhanit janë të tilla që ndalojnë plotësisht konsumin e duhanit në vende publike, duke përcaktuar dispozita rigoroze ligjore për paketimin e marketingun e cigareve, përfshirë këtu edhe kundër-reklama në sipërfaqe të konsiderueshme të paketimit. Për më tepër, për shumë vite me radhë kompanive prodhuese dhe shpërndarëse të cigareve, ju ndalohet të reklamojnë produktet e tyre në mediat publike. Përkushtimi i BE-së në luftën kundër duhanit shkon edhe më tej, duke ju caktuar vendeve anëtare kuota të sipërfaqeve të subvencionuara që mbillen me duhan si dhe politika dekurajuese për prodhuesit.
NË VEND 700 MIJË DUHANPIRËS
Në botë, por edhe në shtetet evropiane në 10-12 vitet e fundit në favor të mbrojtjes së shëndetit janë ndërmarrë masa të shumta, duke filluar nga shtrenjtimi i cigareve, rritja e tatimit për cigaret, ndalimi i reklamimit të cigareve si dhe ligjeve që ndalojnë pirjen e duhanit jo vetëm në hapësira publike, por edhe objektet e ndryshme hotelerie. Ligjet e tilla antiduhan, me kalimin e kohës kanë pësuar ndryshime duke u bërë sa vjen e më rigoroze. Në Maqedoni, shkruan KOHA – gjysma, gjegjësisht 45 deri 50 për qind e popullatës në Maqedoni janë duhanpirës. Sipas analizave të Institutit për sëmundje të mushkërive, në vend janë regjistruar 700 mijë duhanpirës që në vit harxhojnë 11 tonë cigare apo 5.5 kilogramë duhan për kokë banori. Bile, analizat e tjera tregojnë se qytetarët e Maqedonisë harxhojnë çdo ditë nga 240 mijë euro për cigare apo 80 milionë euro në vit. Gjithashtu, analizat e Institutit për Shëndet Publik tregojnë se në vitin 2002 kishim 42 për qind të popullatës duhanpirëse, ndërsa tani kemi rritje të kësaj popullate në 46 për qind. Pra, të dhënat tregojnë se përkundër masave rigoroze të Ligjit anti-duhan që ndalon tërësisht pirjen e duhanit në objektet hotelerie, megjithatë në rritje është numri i duhanpirësve në Maqedoni. Nga vendosja e rregullave të rrepta të Ligjit anti-duhan, nuk ka të dhëna relevante për uljen e sëmundjeve të shkaktuara nga duhani apo uljen e numrit të duhanpirësve, andaj vite me radhë edhe kërkohet liberalizimi i pirjes së duhanit, së paku në hapësirat e objekteve hotelerie.
Në ndërkohë, një grup deputetësh nga shumica propozoi ndryshime në Ligjin antiduhan. Propozimi, sipas tyre, bëhet për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike në shtet si dhe uljes drastike të punës së objekteve të ndryshme hotelerie. Sipas deputetëve, një pjesë e kafiterive dhe diskotekave kanë lëshuar nga puna një pjesë të personelit, ndërsa sektori i hotelerisë shënon ulje të punës, prej bile 75 për qind, sidomos gjatë periudhës së dimrit apo edhe vjeshtës kur kushtet atmosferike nuk janë të përshtatshme për punë. Një nga ndryshimet kyçe që parashikohen me ndryshimet ligjore, është t’u jepet mundësi hotelierëve që të përcaktojnë hapësirë të veçantë për duhanpirësit, ndërsa në të gjithë pjesët e tjera të përcaktohen si të ndaluara për konsumin e cigareve. Ndryshimet në Ligjin aktual u japin mundësinë pronarëve për të caktuar një dhomë të veçantë për duhanpirësit dhe të gjitha pjesët e tjera të lokalit të vendosin etiketa që tregojnë në mënyrë të qartë ndalimin e pirjes së duhanit. Në ndërkohë, sipas Ligjit që ndalon konsumimin e duhanit nëpër ambientet e mbyllura hotelerie në Maqedoni, duhanpirësit për mosrespektim të Ligjit paguajnë 100 euro në vetë vendin e ngjarjes, ndërsa dënimet për mosrespektim nga hotelieret dhe bizneset janë prej 2.500 deri 4.500 euro, ndërsa për personat përgjegjës është prej 100 deri 300 euro. Sipas Ligjit për veprimtarinë hotelierie është parashikuar edhe mbyllja e objektit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
GJOBAT
Në ndërkohë sipas një përllogaritje, kosovarët shpenzojnë rreth 2300-2500 cigare për kokë banori në vit, raporton KOHA. Kjo shifër është aproksimative edhe me vendet tjera të rajonit. Serbia është e para me 2861 cigare për kokë banori; Bullgaria 2822; Greqia 2795; Rusia 2786; Moldavia 2479; Ukraina 2401; Sllovenia 2369; Bosnje dhe Hercegovina 2278; Bellorusia 2266; Mali i Zi 215. Nga muaji maj i vitit 2013, edhe në Kosovë ka hyrë zyrtarisht në fuqi Ligji i ri mbi kontrollin e duhanit, i cili ndalon rreptësishtë pirjen e duhanit në zona të mbyllura si dhe ekspozimin e pakove të duhanit nëpër të gjitha lokalet afariste. Ky Ligj parashikon edhe gjoba të larta për ‘kapadainjtë” që thyejnë Ligjin. Me këtë Ligj, në të gjitha vendet publike të mbyllura, në vendet e punës dhe mjetet e transportit publik, ndalohet pirja e duhanit. Ndërkaq, personi fizik i cili shkel Ligjin duke pirë duhan në vendet publike, ku është e ndaluar pirja e duhanit, gjoba do të jetë 50 euro. Nëse një person nuk vendos shenjën “Ndalohet pirja e duhanit”, në hapësirën që ai menaxhon, atëherë për këtë person vlera e gjobës do të jetë nga 500 deri në 3000 euro.
Ndërkaq, nëse personi juridik-subjekti afarist, nuk respekton Ligjin e duhanit, atëherë ai mund të dënohet deri në 20 mijë euro. Me Ligjin e kaluar që vlente para vitit 2013, në Kosovë në ambientet afariste duhani mund të konsumohej në 30 për qind të hapësirës së rezervuar për këtë, ndërsa me Ligjin aktual, pirja e duhanit ndalohet në qind për qind të hapësirës. Duke filluar nga 24 gushti i vitit 2014, edhe në Shqipëri në të gjitha ambientet e mbyllura publike, institucione shtetërore, biznese private, bare dhe restorante nuk lejohet konsumi i duhanit. Por, një tjetër risi në ndryshimet e bëra në Ligj është se konsumi i duhanit nuk lejohet edhe në ambientet e përbashkëta, siç janë shkallët e pallatit, apo institucionet si dhe në ashensorë. Po kështu, konsumi i duhanit nuk lejohet edhe në taksi. Nëse inspektorët sanitare, por edhe inspektorët e inspektorateve të tjera do të konstatojnë raste të konsumimit të duhanit në këto ambiente kanë të drejtën e vendosje së gjobave.
Qytetari i thjeshtë mund të dënohet nëse nuk respekton ligjin me gjoba deri 5000 lekë apo afër 2500 denarë. Gjoba më të forta ka edhe për pronarin apo administratorin e një lokali, si dhe për titullarët e institucioneve, apo edhe për administratorët në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme. Gjoba prej 300 000 lekë apo 150 mijë denarë parashikohet për një subjekt të tatueshëm, 50 000 lekë apo 25 mijë denarë mund të dënohet personi përgjegjës në institucionet publike, 50 000 lekë, administratori në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme dhe 5 000 lekë mund të dënohet duhanpirësi. Masa e parë për uljen e pirjes së duhanit në Evropë u vendos në Itali në vitin 2004, përmes shtrenjtimit të tyre dhe shtrenjtimit të tatimeve.
Ndalesa totale për pirjen e cigareve në kafene, përveç në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri është e zbatueshme edhe në 14 shtete evropiane. Hapësirë e veçantë për pirjen e duhanit parashikohet në Kroaci, Itali, Francë, Belgjikë, Slloveni, Norvegji dhe Finlandë.
Ndalesë të tërësishme në restorante të pirjes së duhanit, ekziston edhe në 15 shtete si Spanja, Britania e Madhe, Irlanda dhe Islanda dhe shumica e shteteve ballkanike. Pirje në hapësirë të veçantë në restorant lejohet në Itali, Francë, Belgjikë, Holandë, Sllovaki, Suedi dhe Finlandë.
Nga ana tjetër, me ndryshimet e fundit të Ligjit antiduhan në Kroaci, që vlejnë nga muaji maj i këtij viti, bile barazohet ndalesa e konsumit edhe të cigareve të zakonshme dhe atyre elektronike në të gjitha hapësirat publike. Gjithashtu, përjashtohen nga shitja cigaret pa aromë light, mild dhe slim. Risi është edhe dispozita për kafiteritë se në hapësirat e caktuara ku lejohet duhanpirja se në displejin e lokalit hotelerik, në rast se nuk ka mjaftueshëm ajër apo ndryshim të mjaftueshëm të ajrit do të dalë mesazhi” Ndalohet duhani për shkak të prishjes së aparatit të ventilimit” që do të mund të shikohet nga vizitorët e kafiterisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.