Shumica e qytetarëve shumë pak janë konsultuar para miratimit të ligjeve të ndryshme, ndërsa kryesisht gjatë procesit të miratimit të legjislacionit, më shumë dëgjohet zëri i biznesit dhe fare pak i ai i organizatave të ndryshme joveqeritare, sindikatave…
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 mars – Shumica e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut shumë pak janë konsultuar para miratimit të ligjeve të ndryshme, ndërsa kryesisht gjatë procesit të miratimit të legjislacionit, më shumë dëgjohet zëri i biznesit, dhe fare pak i ai i organizatave të ndryshme joveqeritare, sindikatave e kështu me radhë. Sipas Anketës së realizuar nga ana e Institutit për Demokraci dhe Qendrës për Analiza Ekonomike, në vitin 2018, perceptimet apo përshtypjet e qytetarëve për procesin e ndikimit të rregullativës si proces që duhet të zbatojë çdo qeveri, në përgjithësi mbetet i panjohur për qytetarët.
Thënë ndryshe, anketa tregon se në mënyrë të pamjaftueshme zbatohen konsultimet me të gjitha palët para miratimit të ligjeve të ndryshme. Njëherësh, 60 për qind e të anketuarve vlerësojnë se nuk bëhet përllogaritja nga ana e Parlamentit dhe Qeverisë lidhur me harxhimet e ndryshme që mund të shkaktojnë miratimi i legjislacionit.
“Gjetjet e analizës udhëzojnë se në mënyrë shtesë është përforcuar perceptimi se gjatë përgatitjes së ligjeve, nuk shfrytëzohen hulumtimet dhe analizat dhe se konsultimet me palët e prekura janë të rralla. Është përforcuar edhe perceptimi se ligjet nuk duhet të miratohen me procedurë të përshpejtuar, ndërsa qytetarët dhe organizatat joqeveritare çdoherë duhet të kenë mundësi të komentojnë propozim-ligjet”, thonë Jane Dimeski nga Instituti për Demokraci. Sipas tij, nga qytetarët e anketuar bile 87 për qind janë përgjigjur se nuk kanë dëgjuar për një proces të tillë që është për 9 për qind më shumë se në vitin 2017, 12 për qind janë përgjigjur pozitivisht, apo 2 për qind më shumë se në vitin paraprak. Ai shton se në raport me vitin 2017, në vitin 2018 vërehet trendi i njohjes më të madhe të të punësuarve në institucionet publike për procesin e vlerësimit të ndikimit ndaj rregullativës.
Dimeski më tej shton se anketa për vitin e kaluar ka treguar se për qytetarët, në 2018 gjatë miratimit të ligjeve, më me rëndësi është ndikimi ekonomik se sa ai social, për dallim prej vitit 2017, kur anketa ka treguar se ndikimi ekonomik dhe social kanë vlerë të njëjtë.
Andaj, tha Dimeski, në të ardhmen sugjerohet që institucionet shtetërore ti kushtojnë një vëmendje më të madhe fushatave informative dhe trajnimeve për të punësuarit në administratë për procesin, përfitimet dhe pasojat e zbatimit të vlerësimit të ndikimit të rregullativës. Njëherazi, institucionet shtetërore nevojitet të publikojnë draft versionet apo ndryshimet ligjore si dhe të përfshijnë opinionin publik në përgatitjen e legjislacionit të ri që nga fillimi. Nevojitet edhe sa më pak të shfrytëzohet miratimi i ligjeve me procedurë të shpejtë.
Vlerësohet se me realizimin e procesit të vlerësimit të ndikimit të rregullativës, do të kontribuohet për një cilësi më të lartë të legjislacionit, do të rritet përfshirja e qytetarëve, do të rritet niveli i sigurisë ligjore, do të ketë një planifikim më të mirë dhe do të rritet edhe llogaridhënia e proceseve politike.
Nga ana tjetër, analizat e organizatës “Analitika” tregojnë se në këtë periudhë, kur qeveritë janë të ballafaquara me sasi të mëdha rregullativash, është përtej pyetjes se regullativa duhet në mënyrë imperative t’u jepet një trajtim dhe konsideratë e veçantë. Roli i aktorëve politik duhet të konsistojë në të siguruarit që rregullativa në fuqi plotëson kriteret e një rregullative efikase dhe garanci që ajo prodhon efekte pozitive në drejtim të palëve të interesuara ose më gjerë ndaj të gjithë qytetarëve. Me fjalë të tjera, mekanizma për të parashikuar ndikimet e politikës së propozuar, të tilla si Vlerësimi i Ndikimit Rregullator (VNR), duhet të vihen më fuqishëm në praktikë.
Shtetet më të zhvilluara të botës apo vendet e OECD – SHBA-të dhe Australia, kanë aplikuar rregullisht VNR si mbi politikat e reja, ashtu edhe mbi ato ekzistuese me dekada të tëra. Që nga viti 1974 kur u bë prezantimi i parë i VNR, VNR ka shënuar vazhdimisht rritje të padiskutueshme popullariteti, duke u bërë një element përbërës në proceset e politikë-bërjes së vendeve të përmendura më lart. Nga ana tjetër në Maqedoninë me më pak apo më shumë sukses një praktikë e tillë zbatohet prej vitit 2009. Për këtë qëllim në funksion është edhe ENER, apo Regjistri unik kombëtar elektronik i ligjeve në Maqedoninë e Veriut. Ai paraqet një vegël kryesisht për informimin elektronik të qytetarëve, OJQ-ve, odave ekonomike dhe zyrtarëve të ndryshëm. (koha.mk)