“Ligjërisht është e obligueshme që çdo student të kryej praktikë, ndërsa çështja e pagesës varet nga universitet dhe kompanitë ku mbarojnë punën praktike. Ndërkaq për punën praktike në shkollat e mesme profesionale është paraparë që përfaqësues të kompanive të jenë edhe mentorë të nxënësve, ku do te kryejnë praktikën por edhe do të paguhen”, thonë nga MASH-i
Remzije BILALLI
Shkup, 4 tetor – Përvoja e parë profesionale mund të fitohet duke qenë student. Çdo student dhe nxënës i shkollës së mesme profesionale gjatë pushimit verorë është i obligueshëm të kryej 1 muaj punë praktike. Mirëpo interesimi i nxënësve është i dobët për shkak se ata nuk paguhen aspak dhe bëjnë harxhime shtesë për të kryer punën praktike, shkruan gazeta KOHA.
Nxënësit e shkollave të mesme profesionale dhe studentët vlerësojnë se vëmendje të veçantë duhet ti kushtohet praktikës, sepse është një ndihmesë e madhe për të përvetësuar profesionin e tyre. Por si motiv për të nxitur interesimin e tyre duhet të ketë një pagesë minimale për ti mbuluar shpenzimet. Si rezultat i mungesës së pagesës nxënësit nuk shprehin interesim për pune praktike dhe për këtë arsye shumë profesorë e kanë hequr si obligim punën praktike. Ndërkaq shumica e studentëve dhe nxënësve vërtetimin e marrin pa shkuar as edhe një ditë në praktikë, gjë që hendikepon profesionalisht rininë tonë.
“Nuk është se kemi një shtet i cili motivon rininë me mjete financiare, sepse shteti jonë ka mangësi në plotësimin e gjërave themelore ndaj nxënësve. Praktika me pagesë sigurisht se do ti motivonte nxënësit dhe studentët, ndërkaq perspektiva e shkollave profesionale dhe universiteteve do të ishte më e madhe si dhe gjendja e institucioneve do të përmirësohej”, deklaroi për gazetën tonë, Sejhane Alimi, nxënëse në shkollën e mesme të mjekësisë “Nace Bugjoni” në Kumanovë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në një sqarim për KOH-ën ka thënë se kompetencat e tilla nuk janë në kuadër të ministrisë sepse puna praktike rregullohet nga ana e vetë universitetit në bashkëpunim me kompanitë.
“Ligjërisht është e obligueshme që çdo student të kryej praktikë, ndërsa çështja e pagesës varet nga universitet dhe kompanitë ku mbarojnë punën praktike. Ndërkaq për punën praktike në shkollat e mesme profesionale është paraparë që përfaqësues të kompanive të jenë edhe mentorë të nxënësve, ku do te kryejnë praktikën por edhe do të paguhen”, thonë nga MASH.
Për kompanitë është e nevojshme që me anë të një shume simbolike të motivohen studentët për të punuar. Nga Dauti Komerc për gazetën Koha theksuan se target kanë të gjitha profilet sidomos ato deficitare mirëpo shpesh herë nuk munden ti mbulojnë harxhimet e tyre për më shumë se 2-3 muaj. Ata shtuan se kompanitë janë në bisedime me universitete që praktikat gjithmonë të mbahen në muajt e verës sepse janë në favor të dy palëve, studentët nuk kanë ligjërata ndërkaq shumica e të punësuarve në kompani janë në pushime.
“Tradicionalisht çdo vit marrim disa studentë në punë, ndërsa këtë vit kemi filluar të bashkëpunojmë edhe me disa kompani tjera në mënyrë që të përfshihen studentët në më shumë fusha. Studentëve u paguhet rruga, ushqimi dhe marrin një shumë simbolike prej 6.000 den”, deklaroi Nehar Aliu nga Dauti Komerc. Aliu tha se së bashku me MASH dhe kompani tjera kanë formuar një grup punues për të hartuar një rekomandim për Qeverinë e Maqedonisë në lidhje me punën praktike, ku si target primar do të jenë nxënësit e shkollave të mesme profesionale dhe më pas studentët që përveç teorisë të ndjekin dhe praktikën. Ai shtoi se shumica e kompanive shqiptare kanë filluar ti bashkojnë forcat ekonomike për t’i siguruar praktikantëve praktikë të paguar dhe bursë.
ÇFARË PARASHEH LIGJI PËR PRAKTIKANTËT
Puna e praktike e cila nuk është nën ombrellën e ligjeve normative të MASH, gjithashtu do të rregullohen me ligj. Autoritetet janë të bindur se të rinjtë deri në moshën 29 vjeçare të cilët do të kryejnë praktikën në kompani, duhet të mbrohen nga çdo lloj abuzimi.
Angazhimi maksimal do të jetë 6 muaj, dhe për këtë praktikantët do të marrin kompensim parash. Për angazhim deri në 3 muaj do të arrijë në 5000 denarë, nëse qëndrojnë dhe tre muaj të tjerët do të marrin 12,000 denarë. Sektori i biznesit argumenton se fondet që do të ofrojnë për kompensimin e praktikantëve nuk do të jetë barrë financiare për firmat.
Sipas autoriteteve kompetente në botë si dhe në Maqedoni, praktika ka dhënë rezultate të mira, vetëm se në vendin tonë nuk ka qenë ë rregulluar me ligj. Në vitin 2017 gjithsej 900 të rinj ishin të përfshirë në programin e praktikës ndërsa prej tyre 445 njerëz janë punësuar. Ndryshimet e reja në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës paraqesin disa inovacione që i referohen drejtpërdrejtë kontratës së punës, pushimi vjetor, pagesës së praktikantëve, punës testuese, shpërblimi dhe të tjera. (koha.mk)