Fisnik NUHIU
Shkup, 21 nëntor – Pas një pauze dy javore, rikthehen ndeshjet në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, me përballjet e javës së 12, njofton gazeta KOHA. Me këto ndeshje fillon edhe raundi i dytë, ku ndeshja e parë do të luhet sot (e shtunë) në Veles midis Borecit dhe Vardarit.
Ndërkaq, të dielën në program do të jenë 5 ndeshje e ku pa dyshim se e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në Tetovë në derbin shqiptarë, ku takohen lideri i tabelës Shkëndija dhe ndjekësi i tyre FC Shkupi, aktualisht dy skuadrat e para në renditje.
Kjo përballje do të jetë një ndër ndeshjet më interesante viteve të fundit mes këtyre dy ekipeve, pasi për herë të parë në historikun e futbollit vendor bashkë pretendojnë për titullin e kampionit.
Të dy klubet punuan shumë gjatë këtij mini pushimi, Shkupi ishte madje në përgatitje një javore në Dojran. Por skuadra kuqezi nga Tetova ka probleme, pasi që tre futbollistë të saj ishin të angazhuar në ekipin e përfaqësues së Maqedonisë, përkatësisht Bejtullai, Dorievi dhe Totre.
“Gjatë kësaj pauze dy javore të kampionatit jemi munduar që të përmirësojmë lojën dhe të evitojmë disa gabime që kemi pasur në ndeshjet paraprake. Besoj se kemi punuar mjaftueshëm mirë. Në ekip ka atmosferë pozitive dhe nga ndeshja në ndeshje kemi thënë se do të kërkojmë në secilën përballje pikë dhe rezultat pozitiv. Ndeshjet me Shkëndijën gjithmonë kanë qenë të vështira, por kemi ditur të fitojmë dhe të barazojmë, andaj edhe kësaj radhe shkojmë në Tetovë për të marrë pikë”, theksoi kapiteni i FC Shkupit, Besar Iseni.
Te Shkupi shkaku i pesë kartonëve të verdhë do të mungon mbrojtësi i krahut Ardit Iljazi.
Nga ana tjetër, mbrojtësi i kuqezinjve Mevlan Murati thekson se takimi ndaj Shkupit nuk do të jetë i lehtë pasi i dimë objektivat e tyre, por se në fushë do të japim maksimumin për të arritur te fitorja e dëshiruar.
“Më në fund rikthehemi ndeshjeve pas pauzës ndërkombëtare dhe na pret takim i rëndësishëm për kreun e tabelës. Shkupi e dimë që vjen me llogaritë e veta dhe këtë sezon është duke bërë mirë duke treguar edhe kontinuitet të rezultateve pozitive, por ne kemi vetëm një objektiv në kokat tona, dhe ajo është vetëm fitorja. Neve do të japim gjithçka nga vetja për t’ia arritur qëllimit, natyrisht nuk do të jetë e lehtë por besoj që të gjithë sëbashku të japim maksimumin të jemi në nivelin tonë optimal dhe nga kjo ndeshje të dalim me fitore që do të na vlejnë shumë në vazhdimin e kampionatit”, theksoi mbrojtësi i Shkëndijës, Mevlan Murati.
Një tjetër ndeshje interesante do të zhvillohet në qytetin e Strugës midis dy skuadrave shqiptare, Struga Trim Lum dhe Renovës. Vendasit kërkojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive, ndërsa në anën tjetër “gjipspunuesit” do të kërkojnë ti japin fund serisë pa fitore, e cila zgjat tashmë plotë 8 xhiro.
Në përballjet tjera që do të zhvillohen ditën e diel do të takohen Rabotniçki – Makedonija GJ.P, Sileksi në shtëpi pret Bellasicën, ndërkohë në Strumicë, Akademia Pandev do të mirëpret Pelisterin
Të gjitha ndeshjet do të startojnë në ora 13:00.