Lideri i Katalonjës, Karles Puçdemon deklaroi se nuk frikësohet nga arrestimi i mundshëm për shkak të organizimit të referendumit për pavarësi të rajonit të tij nga Spanja. “Perosnalisht nuk frikësohem nga diçka e tillë”, deklaroi Puçdemon në intervistën për “Bild”-in gjerman. “Tashmë edhe nuk jam i befasuar nga ajo që po bën Qeveria spanjolle. Arrestimi im gjithashtu është i mundshëm, por ai do të ishte një hap barbar”, theksoi ai.
Qeveria e Puçdemon të hënën do të kërkojë parlamenti të shpallë pavarësi, pasi që rezultatet nga referendumi për pavarësi treguan se mbi 90 për qind e votuesve u deklaruan pozitivisht për shkëputje nga Spanja.
Tani për tani as Qeveria spanjolle, as gjyqësia nuk u kërcënuan me arrestimin e tij, por Madridi e akuzon për mosrespektim të ligjeve, përkatësisht se e ka injoruar Gjykatën kushtetuese, e cila ndaloi mbajtje të referendumit. Puçdemon thotë se referendumi e ka treguar dëshirën e njerëzve në Katalonjë për ta braktisur Spanjën dhe thekson se do të vazhdojë me aksionet për secesion edhe krahas deklaratave vendimtare nga Madridi zyrtar se kjo nuk do të ndodhë.