Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është besnik ndaj takimit të planifikuar me presidentin amerikan, Donald Trump dhe për “pastrimin e plotë të Gadishullit Korean nga armët bërthamore”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Moon i cili dje ka zhvilluar një takim me Kim në Panmunjom, sot në një deklaratë për gazetarët ka bërë të ditur se Kim në takim ka konfirmuar angazhimin për pastrimin nga armët bërthamore.
Presidenti i Koresë së Jugut gjithashtu theksoi se takimi është zhvilluar me kërkesë të liderit të Koresë së Veriut dhe se Kim është i gatshëm të bashkëpunojë për një samit të suksesshëm Kore e Veriut-SHBA.
Po ashtu edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se “po shkojnë shumë mirë” negociatat me liderin e Koresë së Veriut për një samit të mundshëm.
Trump në një deklaratë për gazetarët ka theksuar se ende po mendojnë për zhvillimin e një samiti në Singapor më 12 qershor për të cilën ka “një qëllim shumë më të mirë” dhe se pastrimi i Gadishullit Korean nga armët bërthamore do të jetë “një gjë e mrekullueshme”.
Moon Jae-in dhe Kim Jong-un janë takuar gjithashtu edhe më parë më 27 prill në fshatin e armëpushimit Panmunjom.
Liderët e dy shteteve në një deklaratë të përbashkët të publikuar në fund të samitit njoftuan se kanë arritur marrëveshje për fillimin e bisedimeve për pastrimin e plotë të Gadishullit Korean nga armët bërthamore dhe për shndërrimin e armëpushimit aktual në një marrëveshje të përhershme të paqes.