Liderët e partive politike kanë rejting më të ulët nga partitë të cilat i drejtojnë, thonë njohësit e proceseve politike. Ata thonë se retingu i liderëve të partive varet nga ajo nëse partia është në pushtet ose në opozitë, dhe nëse lideri është kryeministër apo udhëheqë parti opozitare
Xhenur ISENI
Shkup, 25 shtator – Sipas anketës së publikuar nga “Brima”, kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev gëzon mbështetje prej 11.8 për qind nga qytetarët, ndërsa kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ka rejting prej 7 për qind. Kjo do të thotë se kryeministri ka besim nga çdo i nënti qytetarë në shtet, ndërsa lideri i VMRO-DPMNE-së nga çdo i 14-ti. Rejtingu i partive është thuajse dyfish më i madh, dhe kështu partia në pushtet gëzon mbështetje prej 19.5 për qind, ndërsa VMRO-DPMNE ka rejting prej 17.5 për qind.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski udhëheqë në anketën e “Organizatës për aktivizim dhe pavarësim qytetarë”. Sipas kësaj anketa, 15.9 për qind nga të anketuarit janë deklaruar se i besojnë Mickoskit, ndërsa 13.4 për qind Zaevit. Por, nëse mblidhen përqindjet e të dy liderëve, përsëri do të jetë më e vogël nga ajo që kishte Nikolla Gruevski kur ishte kryeministër. Sipas anketës së “Brima Gallup” që është publikuar në dhjetor të vitit 2015, parashikimet ishin se kryeministri i atëhershëm gëzon mbështetje prej 32.3 për qind, ndërsa Zoran Zaev, i cili ishte në opozitë, ka gëzuar mbështetje prej 9.1 për qind nga të anketuarit. Agjencia e njëjtë në anketën e muajit prill të vitit 2007, ka publikuar se rejtingu i Gruevskit ka qenë 30.8 për qind. Ndërsa, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka një rejting konstant gjatë këtyre viteve prej rreth 6 për qind. Liderët e partive politike kanë rejting më të ulët nga partitë të cilat drejtojnë, thonë njohësit e proceseve politike. Ata thonë se retingu i liderëve të partive varet nga ajo nëse partia është në pushtet ose në opozitë, dhe nëse lideri është kryeministër apo udhëheqë parti opozitare.
“Së pari këtu ka një diskrepancë metodologjike. Ne në metodologjitë pyesim se cili është politikani më i preferuar për ju. Dhe në thelb rejtingu i LSDM-së përbëhet nga gjithë politikanët që janë emëruar në LSDM, kështu që nuk mund të shihet vetëm lideri, sepse ata nuk mund të thonë edhe lideri edhe të tjerët. E dyta është se Maqedonia shpejtë harxhon politikanë, ballafaqohen me sfida, nuk kanë narrativë të mirë dhe ne shpejtë i harxhojmë politikanët. Nga arsye të ndryshme njerëzit e identifikojnë politikanin e preferuar. Nuk është ajo një varijabël homogjene. Por, për shembull atë që është në pushtet e duan për implementimin, ose për ndonjë rrugë të drejtë në të cilën ecë vendi, ndërsa liderin e opozitës e duan pikërisht për atë të kundërtën sepse vendin do ta udhëheqë në drejtim tjetër, dhe gjithë njerëzit nuk mendojnë njëjtë”, ka deklaruar për KOHA, Petar Arsovski, analist.
Sipas anketave të IRI-t, rejtingu i kryeministrit Zoran Zaev në vazhdimësi po bie gjatë katër viteve të fundit. Në pyetjen se cilin politikan e shihni si më të favorshëm, pa u ofruar emra, por që qytetarët të përgjigjen spontanisht, për kryeministrin Zaev në mars të këtij viti janë përcaktuar 10 për qind të të anketuarve. Në shkurt të vitit të kaluar për të janë përcaktuar 13 për qind të qytetarëve, ndërsa në vitin 2017 dhe 2018, ai ka qenë i favorshëm për 16 për qind të të anketuarve. Për liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në mars të këtij viti janë përcaktuar 6 për qind e qytetarëve, ndërsa ish kryeministri Nikolla Gruevski i cili u arratis për në Hungari, ende ka rejting prej 4 për qind të qytetarëve.
Politikanët në Maqedoninë e Veriut në përgjithësi gëzojnë rejtingje më të ulëta se politikanët në rajon, sipas një sondazhi të IRI nga shkurti i vitit 2020. Në Serbi, politikani më i vlerësuar është Presidenti Aleksandar Vuçiç me 29 për qind, dhe në Mal të Z, Presidenti Milo Gjukanoviç me 17 për qind. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gëzon mbështetjen më të madhe me 25 për qind. Politikanët në BeH janë në nivelin e politikanëve në Maqedoninë e Veriut, me një rejting të ulët. Ndryshe, zgjedhjet lokale janë caktuar për më 17 tetor. Të hënën fillon fushata zgjedhore. Edhe Zaevi edhe Mickoski janë të bindur në fitore në këto zgjedhje. Kryeministri thotë se LSDM është favorit sepse e ka ofertën më të mirë të kandidatëve dhe këshilltarëve komunal. Mickoski thotë se VMRO-DPMNE dhe koalicioni do të dëshmojnë se nuk janë të gjithë të njëjtë dhe se ka njerëz që e duan shtetin. (koha.mk)