Fatos RUSHITI
Shkup, 11 tetor – Mbajtja e zgjedhjeve të rregullta fer dhe kredibile, si dhe me rezultate të pa manipuluara dhe të pranuara nga të gjitha palët, do të jenë testi kryesor i Maqedonisë për shkurtimin e rrugës së integrimeve euroatlantike, shkruan gazeta KOHA. Zgjedhjet lokale për Maqedoninë pritet të kenë një vend të veçantë edhe në raport-progresin e Komisionit Evropian për vitin 2017, ndërsa jo pa impakt do të jenë edhe për Samitin e ardhshëm të paktit NATO vitin e ardhshëm, ku Maqedonia ka gjasa të marrë sinjale pozitive për anëtarësim. Keqpërdorimi i votës, për të cilin Prokura Speciale po bën hetime aktualisht, pastaj frikësimi i votuesve, votimi familjar, dhe përdorimi i resurseve shtetërore gjatë zgjedhjeve – ndër vërejtjet kryesore të raporteve të OSBE-ODHIR-it, pothuajse në çdo cikël zgjedhor. Lidhur me mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor, Qeveria ka përgatitur një sërë masash ndëshkuese mes tyre dhe dënime në të holla për personat që shfrytëzojnë resurset shtetërore ditën e zgjedhjeve, ndërsa lidhur me keqpërdorimin e votës, Qeveria zotohet se do të respektojë me përpikmëri Kodin penal, i cili parasheh dënim të rënda deri në 5 vite burgim për ata që vjedhin vota. Por pastrimi i Listës zgjedhore lë shumë për të dëshiruar dhe ende mbetet një hije e zezë edhe për Qeverinë e re, ashtu siç ishte edhe për qeveritë e kaluara. Afër 30 mijë votuesit që ishin kontestuar nga LSDM në zgjedhjet parlamentare dhe që u hoqën nga Lista zgjedhore me aminin e të katër partive me të mëdha politike dhe që nuk pati kritika nga ndërkombëtarët, ndonëse u llogarit nga shumica e ekspertëve si veprim antiligjor dhe antikushtetues. Të njëjtit nuk po kontestohen nga LSDM që tani është në pushtet dhe duket se Qeveria e re pak ka bërë ose hiç për të hulumtuar më tej si qëndron problem me këta votues. KSHZ, që ashtu si Qeveria, është në sprovë të vërtetë për organizimin e zgjedhjeve pa probleme të natyrave të ndryshme, së fundmi ka miratuar Listën zgjedhore e cila ka mbi 1 milionë e 800 mijë votues për këto zgjedhje. Një numër i konsiderueshëm i tyre – mbi 70 mijë kanë vetëm pasaporta e nuk kanë letërnjoftime, ndërsa mbi 1800 janë nga të burgosurit që do të votojnë një ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Sa i përket përfaqësimit partiak në Këshillat Zgjedhor, ngaqë Komisionet komunale janë të përbërë nga punonjësit administrativ, Lëvizja BESA si partia e dytë më e madhe opozitare do të zëvendësojë PDSH-në përmes anëtarëve të vetë në Këshillat Zgjedhor. Kujtojmë se PDSH nga partitë opozitare e kishte primatin e përfaqësimit në këshillat zgjedhor në të gjitha ciklet zgjedhore që nga viti 2002 e këndej. Kur jemi tek numërimi i votave, ndonëse vazhdimisht ka kritika nga ndërkombëtarët dhe nga partitë opozitare në Maqedoni, ende nuk kemi një proces transparent deri në fund siç ka ndodhur vite më parë në Shqipëri, ku votat nuk numërohen në qendra e votimit, por dorëzohen në qendra të posaçme numërimi në nivel komunal dhe çdo votë paraqitet në skener dhe është e njohur për publikun. Në Maqedoni në çdo cikël zgjedhor nuk kanë pushuar zërat në opinion dhe vërejtjet e partive të papërfaqësuara në Këshillat Zgjedhor se rezultati real i votave të numëruara nuk është paraqitur në procesverbale, duke pasur vërejtje se fletëvotimet e mbetura janë ndarë proporcionalisht në vendvotime, ku nuk ka pasur monitorim të duhur të shtetit dhe organizatave joqeveritare, sidomos në zonat me të thella malore. Sa i përket fushatës parazgjedhore, deri më tani ka pasur disa incidente të vogla më shumë thyerje shtabesh lokalesh të partive politike, por që menjëherë masa ka marrë Ministria e Punëve të Brendshme. Incidenti i fundit ndodhur në Haraçinë mbrëmjen e së shtunës, ku një person më veturë Golf u raportua se ka gjuajtur në ajër në afërsi të aktivistëve të Lëvizjes BESA duke ngjitur pllakata nëpër mure. Incident tjetër pati dhe në Manastir, siç kanë njoftuar nga MPB, 15 min pas mesnatës së të shtunës është paraqitur edhe një rast tjetër ku në bulevardin “1 Maji” në Manastir janë parë tre persona deri sa kanë hedhur ngjyrë të zezë në pllakatën e kandidatit për kryetar komune të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM). Incident është raportuar edhe në lagjen Draçevë, ku sipas MBP-së, një kryerës i panjohur me gur e ka dëmtuar xhamin e shtabit të partisë politike “Të bashkuar për Maqedoninë”. Në aspektin e garës politike, fushata parazgjedhore pesë ditë para fundit të saj është bërë më intensive nga paraqitjet e liderëve dhe kritikat që japin njëri-tjetrit. Ditëve të fundit po dëshmohet se sigla partiake dhe figura e liderit të artisë po lë nën hije kandidatët edhe programet e tyre zgjedhore për komunat përkatëse. Mes liderit të BDI-së, Ali Ahmetit dhe atij të ASH-së, Ziadin Sela, po zhvillohet një luftë verbale në distancë lidhur për qytetin e Strugës. Ali Ahmeti i BDI-së në tubimin e partisë së tij në Strugë tha se para se të nisë fushata parazgjedhore, i ka thënë liderit të ASH-së, Ziadin Sela se në këtë komunë do ti matin forcat veçmas dhe nuk do ta ndihmojnë Selën siç e ndihmuan gjatë zgjedhjeve të kaluara, ku Sela që fitoi në rrethin e parë kundrejt kandidatit të BDI-së, Arben Llabunisht, në rrethin e dytë u ndihmua nga BDI kundrejt kandidatit të VMRO-së. Por i menjëhershëm ka qenë kundër-reagimi i Selës gjatë një tubimi në Shkup, duke i thënë Ahmetit se ai nuk është personi që mund ti jap atij mejdan në Strugë dhe duke ironizuar me Ali Ahmetin se elektorati i tij në Shkup nuk do të votojë një kandidat shqiptar ashtu siç do të votojë elektorati i ASH-së shqiptarin nga Shkupi, Naim Bajrami. BDI, ndonëse në koalicion me LSDM-në, ditë më parë kishte kritika ndaj Lëvizjes BESA së është në koalicion të heshtur me VMRO-në për Çairin dhe Tetovën – pretendime këto që u mohuan nga lidershipi i Lëvizjes BESA. Ndërkaq lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjatë një tubimi në Gostivar – duke potencuar se e vetmja parti opozitare shqiptare është PDSH, bëri edhe një pyetje publike deri te partitë tjera shqiptare: “Ku do të fshiheni kur ditën e zgjedhjeve do të del në pah realiteti i koketimit me partitë maqedonase?”. Në taborin politik maqedonas, lideri i VMRO-së Nikolla Gruevski vazhdon të paraqitet si mbrojtës i interesave shtetërore të Maqedonisë, duke thënë se vetëm me fitoren e partisë së tij Maqedonia është e fortë dhe stabile. Gruevski gjatë një tubimi partiak në Strumicë akuzoi Qeverinë e Zaevit se po ndikon në rënien drastike të investimeve të huaja në vend. Nga ana tjetër, rivali i tij Zoran Zaev vazhdon më premtime para elektoratit të vetë. Së fundmi, ai premtoi mbështetje nga 30-50 për qind për investimet e reja të kompanive vendase, 70 milionë nga buxheti për vitin 2018 dhe 100 milionë nga Banka Botërore për zhvillimin e biznesit. Siç mund të vërehet tek dy blloqet maqedonase, tubimet elektorale mbahen me mijëra simpatizantë por e njëjta nuk vërehet edhe tek partitë shqiptare. Në qytete e mëdha – VMRO dhe LSDM dhe partitë që kanë në koalicion bëjnë tubime zakonisht me rreth 5 mijë veta, ndërsa shihet një atmosferë impozante të pjesëmarrësve me pllakata dhe fotografi të liderëve partiak. Para zgjedhjeve, opinionin e kanë intriguar dhe anketa e fundit e Institutit për hulumtimin e opinionit “Dimitrija Çupovski”, e cila e nxori VMRO të parën me 38 % kundrejt 21% për LSDM-në. Tek partitë shqiptare – e para është BDI me 4.2% të votave, gati e barazuar me Lëvizjen BESA me 3.9%. Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, sipas anketës, është me mbështetje 2%, ndërsa për partitë tjera do të votonin. 2.9%.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.