Bruksel, 17 tetor – Kryetari i Këshillit të Evropës Donald Tusk deklaroi se liderët e Bashkimit Evropian njëzëri e miratuan marrëveshjen e rishikuar për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Kjo domethënë se marrëveshja zyrtarisht mund të dorëzohet deri te Parlamenti britanik për ratifikim. Është paraparë që marrëveshja për Bregzitin të hyjë në fuqi më 1 nëntor.
“Këshilli i Evropës i bëri thirrje Komisionit Evropian dhe Parlamentit të Evropës që të mundësojnë që marrëveshja të hyjë në fuqi më 1 nëntor të vitit 2019”, theksoi Tusku.
Ai vlerësoi se marrëveshja “do të mundësojë që të shmanget kaosi dhe atmosfera e konfliktit mes BE-së dhe Britanisë së Madhe”.
“Versioni i ri i marrëveshjes është pranuar sepse fillimisht ishte miratuar nga ana e Irlandës, por edhe nga KE-ja, që domethënë se është e sigurt dhe në interes të qytetarëve të BE-së”, tha Tusku.
Parlamenti britanik sot vendosi që të shtunën të mbajë seancë në të cilën deputetët do të votojnë për marrëveshjen e re për bregzitin. Kjo do të jetë seanca e parë e mbajtur të shtunën që nga viti 1982, gjatë Luftës së Fonklandit të Britanisë së Madhe kundër Argjentinës.
Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian sot kanë arritur marrëveshje të re për Bregzit, që kryeministri Boris Xhonson e vlerësoi si “të shkëlqyer”.
Pritet Xhonsoni të ketë vështirësi gjatë votimit të marrëveshjes në Parlament sepse kundër janë Partia Demokratike Unioniste, e cila e mbështet Qeverinë e pakicave, Demokratët liberalë, Partia për Bregzit dhe Partia Kombëtare Skoceze.
Marrëveshja paraprake për Bregzit me Brukselin, që ishte dakorduar nga ish-kryeministrja britanike Tereza Mej, Parlamenti tre herë e ka hedhur poshtë. Nëse marrëveshjen e re për Bregzit nuk e votojnë deputetët Xhonsoni do të duhet të kërkojë shtyrje të re për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Kryetari i Komisionit Evropian Zhan-Klod Junker sot në Bruksel pas arritjes së marrëveshjes për Bregzit e përjashtoi mundësinë nga çfarëdo qoftë prolongimi.