Liderët botërorë kundër formimit të Superligës Evropiane

54

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, janë bërë liderët e parë botërorë që kanë reaguar në lidhje me formimin e Superligës Evropiane. Të dy janë kundër kësaj ideje.

Presidenti francez e konsideron atë “një kërcënim ndaj parimit të solidaritetit dhe meritës sportive”. Si pasojë, “shteti Francez do të mbështesë çdo iniciativë të Lidhjes Profesionale të Futbollit, Federatës Franceze të Futbollit, UEFA-s dhe FIFA-s për të mbrojtur integritetin e garave të federatës kombëtare dhe evropiane”.

E kryeministri britanik përmes Twitterit shkroi se “këto plane do të ishin shumë të dëmshme për futbollin dhe ne mbështesim autoritetet e futbollit të marrin masa. Ata do të godasin në zemër të garave të brendshme dhe do të shqetësojnë tifozët në të gjithë vendin”.

As Komisioneri Evropian për Mënyrën e Jetës, Margaritis Schinas, nuk ka kursyer kritikat drejt Superligës Evropiane, të cilat ai i konsideron në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian. “Ne duhet të mbrojmë një model sportiv të bazuar në vlera. Universaliteti, përfshirja dhe diversiteti janë elemente qendrore të sportit evropian dhe mënyrës së jetës së evropianëve”, theksoi ai.

Nga Italia, Enrico Letta, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri, nuk u përmbajt kur përshkroi situatën e re që shfaqet në futboll. Dhe se Juventusi, Interi dhe Milani janë bashkuar që nga fillimi në këtë nismë. “Ju duhet t’i jepni mundësi ekipeve të tjera në vend që t’i mbyllni ato. Përndryshe, ne nuk do të kishim histori të bukura si Atalanta, Leicesteri, Ajaxi … dhe të tjera që po vijnë”, nënvizoi ai.

Real Madrid, Barcelona, Atletico, Manchester City, Manchester United, Arsenal, Chelsea, Tottenham, Liverpool, Juventus, Milan dhe Inter janë 12 klubet që kanë nënshkruar kontratën për formimin e Superligës Evropiane, që do t’i sillte fitime të majme klubeve të lartpërmendura.