Nëse nga ky regjistrim, përqindja e etnitetit maqedonas del më e ulët sesa ishte dhe sa disa prej tyre e presin dhe e dëshirojnë, atëherë kjo do të jetë e shpjegueshme me natalitetin e ulët të tyre dhe natalitetin e lartë të shqiptarëve, ndërsa nëse përqindja e shqiptarëve nuk del aq sa statistikisht dhe objektivisht mund të parashikohet, atëherë kjo mund dhe do të shpjegohet vetëm me paaftësinë e faktorit shqiptarë në qeveri për ta mbrojtur interesin e shqiptarëve. E nuk do të jetë e papritur nëse ndodh kjo e fundit!
Nga Omer AJDINI
Procesi i regjistrimit gjithkund në botë është proces politik, ose të paktën rezultatet e procesit të regjistrimit të popullatës gjithmonë ndikojnë në vendimet politike të vendeve përkatëse. Për shembull, në SHBA, procesi i regjistrimit tregon që vetëm 44% të familjet afro-amerikane i posedojnë shtëpitë në të cilat banojnë, për dallim nga familjet e bardha ku 73.7% e tyre i posedojnë shtëpitë në të cilat banojnë, gjë e cila ngre në diskurs pabarazinë ekonomike brenda ShBA-ve dhe ndikon në politikbërje. Pra të dhënat që mblidhen nga censusi krijojnë efekt politik si në rrafshin e diskursit dhe mobilizimit politik, po ashtu edhe në politikat publike me çka synohet intervenimi në status-kuonë dhe përmirësimi i gjendjes. Mirëpo, për dallim nga shtetet tjera ku ekziston fleksibilitet dhe mendjehapësi për t’i pranuar rezultatet e regjistrimit të popullit dhe për t’i përdorur ato të dhëna për të zhvilluar politika publike adekuate, (si për shembull në ShBA) në Maqedoninë e Veriut siç duket nuk ekziston ajo mendësi tek klasa politike e etnisë më të madhe në shtet e cila vazhdimisht refuzon t’i pranojë ndryshimet natyrale demografike, dhe prandaj tek ne procesi i regjistrimit nuk është vetëm proces politik por edhe problem real shoqëror dhe politik.
Në Maqedoninë e Veriut gjithnjë kanë ekzistuar dyshime dhe dilema sa i përket numrit të sakt të popullatës dhe përqindjes së etniteteve në shtet sepse proceseve të regjistrimit në vazhdimsi u ka munguar kredibiliteti ngaqë ka munguar inkluziviteti dhe transparenca, dhe ato thjeshtë janë manipuluar për të fshehur realitetin demografik i cili mund të impononte ndryshime politike. Shtytjet ideologjike prapa manipulimit të procesit të regjistrimit nuk është e vështirë të identifikohen. Mjafton të marrësh librin e Sociologjisë për vitin e dytë të gjimnazit të reformuar dhe aty, në një paragraf të vetëm mund të gjesh të përmbledhur të gjithë shpjegimin e nevojshëm përse që nga viti 1992 regjistrimi pësoi stërkëmbëza të njëpasnjëshme të cilat asnjëherë nuk u mundësua pasqyrimi i qartë i realitetit demografik në Maqedoninë e Veriut. Sa për informatë, në faqe 116 të librit të Sociologjisë thuhet se “Shkallë të lartë të lindjeve kemi te romët, shqiptarët dhe turqit. Një përqindje e madhe e kësaj popullate, e veçmas atyre të cilët nuk janë mjaft të arsimuara, reproduktohet në mënyrë të vjetër tradicionale, pa një kontroll të vetëdijshme të lindjeve. Në lidhje me këtë duhet të merren masa konkrete dhe të gjenden mënyrat që nataliteti të vijë në suaza normale. Te ato grupe etnike (maqedonët) ku shtimi natyror i popullsisë është i ulët, duhet të stimulohet sepse disproporcioni i natalitetit prezent te grupet e ndryshme etnike negativisht shprehet në planin politik, ekonomik dhe social.”
Ky paragraf fatkeqësisht është tregues i shumë të vërtetave trishtuese që ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut. Përveç tjerash, ky paragraf vë në pah mentalitetin shovinist dhe racist të autorëve Zoran Matevski, Nellko Stojanovksi dhe Mileva Gjurovska, të cilët për ironi kanë tituj shkencor “Doktor”, gjë e cila tregon që racizmi kundër shqiptarëve nuk është prezent vetëm tek shtresa e paarsimuar maqedonase ashtu siç shpesh pretendohet, por përkundrazi, racizmi duket qartazi të jetë thellë i ngulitur tek shtresa elite dhe intelektuale e popullatës maqedonase, gjë e cila e bën edhe më të frikshme situatën meqë racizmi në këtë rast është edhe më i sofistikuar dhe vështirë për tu identifikuar, si dhe më nxitës dhe mobilizues në të ardhmen meqë këta njerëz dinë të artikulojnë dhe të ndikojnë të tjerët. Së dyti dhe mjerisht, ky paragraf flet qartë për paaftësinë e palës shqiptare për t’i parandaluar dhe larguar këto skandale edhepse shqiptarët për dy dekada pothuajse në vazhdimësi ka qeverisur me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E mbi të gjitha, gjëja më e rëndësishme të cilën e vë në dukje ky paragraf me përmbajtje ksenofobe është fakti i pamohueshëm që Maqedonia e Veriut që nga pavarësia e saj ka pësuar ndryshime të mëdha demografike falë natalitetit të lartë tek shqiptarët dhe natalitetit të ulët tek maqedonasit, fakt të cilin elita ‘intelektuale’ dhe politike tek pala maqedonase e ka të pamundur ta pranojë për shkak të mendje-ngurtësisë dhe urrejtjes patologjike ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve tjera jo-maqedone, e cila ua pamundëson atyre ta imagjinojnë një Maqedoni të Veriut e cila do të kishte më shumë shqiptar dhe etnitete tjera sesa maqedonas. E kjo siç duket është edhe arsyeja pse autorët janë në gjendje të propozojnë edhe metoda jonjerëzore për parandalim të shtimit të shqiptarëve, dhe po ashtu arsyeja pse nga elita politike maqedonase në vazhdimësi ka tendenca që proceset e regjistrimit të shtyhen dhe sabotohen.
Prandaj edhe këtë herë, sikur anulimi i regjistrimit në vitin 2011, shtyrja e regjistrimit deri tani mbetet mister i pashpjegueshëm. Të gjitha arsyet që janë dhënë duket të mos kenë bazë të fortë logjike dhe argumentuese për tu besuar nga njerëzit racional. Për shembull, shpjegimi që regjistrimi u shty për shkak të numrit të madh të të infektuarve me COVID-19 është sa i paarsyeshëm aq edhe banal. Procesi i regjistrimit nuk kërkon tubime të mëdha e as kontakt fizik me njerëzit. Ky proces mund të realizohet në distancë dhe me mjete mbrojtëse nga virusi pa asnjë problem. Fundja, zgjedhje u mbajtën e regjistrim nuk mbaheshka?! E dyta, shpjegimi që shtyrja e regjistrimit u bë si këmbim për pranimin e VMRO-së për të participuar në regjistrim dhe për të pranuar rezultatin e regjistrimit. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë lind pyetja përse vallë a nuk kishte VMRO-ja presion ndërkombëtar për ta pranuar regjistrimin para se të filloj ai?! Po për çfarë i duhet VMRO-së kohë deri në tetor?! Po përse vallë Hristian Mickovski që nga dita e takimit (përjashtues ndaj shqiptarëve!) me Kryeministrin Zoran Zaev ka filluar ta përmend “evidentimin” e diasporës?! Dikush mund të thotë që ai e bën atë për ta justifikuar pranimin e regjistrimit para votuesve të VMRO-së, megjithatë neve asgjë nuk na siguron që metodologjia nuk do të pësoj ndryshime apo që nuk do të ketë ndërhyrje në të dhënat në databazën e regjistrimit për t’i modifikuar të dhënat, pra për të shtuar numra të “etnitetit të preferuar” dhe për të fshirë njerëz të “etniteteve të padëshiruara”. Nënshkrimi i lidhur nuk nënkupton asgjë nëse mungojnë njerëzit e nevojshëm për ta bërë kontrollin adekuat aty ku duhet, e Enti Shtetëror Statistikor dihet që nuk ka mjaftueshëm shqiptarë në radhët e veta!
Sidoqoftë, fatkeqësia është që edhe ky proces i regjistrimit nuk po kalon pa dyshime dhe stërkëmbëza, dhe me shumë gjasë – në fund do të ketë shumë të pakënaqur nga rezultati. Në fund, nëse nga ky regjistrim, përqindja e etnitetit maqedonas del më e ulët sesa ishte dhe sa disa prej tyre e presin dhe e dëshirojnë, atëherë kjo do të jetë e shpjegueshme me natalitetin e ulët të tyre dhe natalitetin e lartë të shqiptarëve, ndërsa nëse përqindja e shqiptarëve nuk del aq sa statistikisht dhe objektivisht mund të parashikohet, atëherë kjo mund dhe do të shpjegohet vetëm me paaftësinë e faktorit shqiptarë në qeveri për ta mbrojtur interesin e shqiptarëve. E nuk do të jetë e papritur nëse ndodh kjo e fundit!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)