Libri me kujtime i ish-zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, po bëhet njëri ndër librat më të shitur të vitit. Sipas statistikave të para, ditën që doli në shitje, të martën e kaluar, u shiten përafërsisht 9 kopje të përmbledhjes së kujtimeve, e titulluar “Becoming”, në çdo sekondë. Vlerësime të larta ky libër ka marrë edhe nga mediumet prestigjioze. “The New York Times” e cilëson librin si “margaritarë të lëmuar kujtimesh”, kurse “The Guardian” shkruan se ky libër është dinjitoz dhe reflekton ndershmëri, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Me një tirazh prej 1.8 milion kopjesh të shpërndara në SHBA dhe në Kanada botuesi Penguin Random House ka urdhëruar tashmë që të shtypen edhe 800.000 kopje të tjera. Të hënën kompania përgjegjëse për librin deklaroi se kishte shitur 725.000 kopje në 24 orët e para të shitjes dhe se me këtë rekord ky ishte bërë libri me shitjen më të madhe brenda ditës për vitin 2018.
Shefi ekzekutiv i kësaj shtëpie botuese, Madeline McIntosh, e quajti interesimin për këtë libër “të jashtëzakonshëm”. Shitjen masive të këtij libri e ka komentuar edhe rrjeti më i madh i librashitjes në SHBA, “Barnes & Noble”. Përfaqësues të këtij rrjeti kanë deklaruar se ky libër po ecën me hapa të sigurt drejt të qenët libri më i shitur i këtij viti që po lëmë pas. “Ky libër pa dyshim është ngjarja më emocionuese botuese e këtij viti. Historia e saj e mrekullueshme e rritjes në Çikagon Jugore dhe pastaj përmes dy mandateve të saj si zonja e parë në Shtëpinë e Bardhë na ofron të gjithëve, në këto ditë polarizimi dhe urrejtjeje, një shpresë alternative të freskët”, thekson “Barnes & Noble”. Pozitive janë edhe vlerësimet e para të dhëna nga lexuesit në platforma të famshme, siç është “Amazona.com”. Vetë autorja librin e përshkruan si një përvojë tërësisht personale. Libri flet për rrënjët e Michelle dhe si e gjeti ajo zërin e saj në jetë, si dhe kohën që kaloi në Shtëpinë e Bardhë, fushatën e saj të shëndetit publik dhe rolin e Michelle si nënë.
Libri “Becoming”, i botuar nga Crown, do të përkthehet në 24 gjuhë të botës. Është bërë e ditur se 1 milion kopje do t’i dhurohen organizatës “First Book”, një organizatë jofitimprurëse amerikane që ofron libra falas për fëmijët. Zëri