Libri i “Gjeografisë” a.k.a bazat e doktrinës shoviniste!

73

U bënë njëzet vite dhe tani edhe po të hiqet nga përdorimi libri i Gjeografisë – është vonë për t’i zhbërë këto bazamente të ideologjisë shoviniste në mendjet e shumë ish-nxënësve maqedonas pasi ato veçmë janë indoktrinuar me ato ide fashiste. Le të shpresojmë që një ideologji e tillë asnjëherë nuk merr fuqi politike, megjithatë ministrat e BDI-së do të duhej ta kishin këtë parasysh dhe duhej ta dinin që ne jetojmë në Ballkan, edhepse ata jetën mund ta kenë pasur sikur në Dubai!

Nga Omer AJDINI

Popujt në Ballkan kanë qenë dhe janë aq të përçarë, paragjykues e agresiv ndaj njëri tjetrit saqë në fjalorin e anglishtes fjala “ballkanizim” nënkupton ndarje të shoqërive dhe të rajoneve në rajone më të vogla të cilat janë agresive ose jomiqësore ndaj njëri-tjetrit. Pra Ballkani është jo më pak se vatra e racizmit, e për këtë së fundmi më ka bindur edhe libri i “Gjeografisë” për vitet e dyta të gjimnazeve të reformuara, i cili në 20 vitet e fundit paska shërbyer si një manual indoktrinimi fashist për nxënësit e shkollave të mesme.

Në një analizë pak më të thellë, është lehtë e hetueshme se libri i Gjeografisë i cili sot e kësaj dite mësohet në shkollat e mesme përmban të gjitha parakushtet doktrinore për mbajtjen gjallë apo ngritjen e lehtë të një ideologjie dhe lëvizje fashiste e cila nesër, ashtu siç ka ndodhur dhe përsëri mund të ndodh në Ballkan, pritshëm mund të ndërmarrë si iniciativë shfarosjen e shqiptarëve nga këto troje. E këto kushte janë: tëhuajësimi, demonizimi, dhe armiqësimi i shqiptarëve, në njërën anë, dhe viktimizimi i maqedonasve në anën tjetër- shtylla ideologjike përmes së cilave historikisht është ngritur çdo veprimtari gjenocidale.

Tëhuajëzimi dhe shpallja e shqiptarëve si armiq të maqedonëve ndodh në faqe 99 ku bukualisht thuhet që “Prej shqiptareve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin vetveten si autokton. Kryesisht ata janë popullsi maqedone që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe nga ndonjë fis që ka prejardhje turke, rome ose çerkeze.”. E pikërisht në këtë paragraf ndodh shpallja e shqiptarëve si të huaj dhe inferiorë karshi maqedonasve. Meqë autorët, por edhe popullata maqedone në përgjithësi i llogarisin romët si inferior ndaj tyre, turqit si armiq të përbetuar e çerkezët si të huaj, autorët me këtë paragraf mundohen që shqiptarët t’i fusin në të tre kallëpet e paragjykimeve të tyre: pra mundohen t’i paraqesin si inferiorë (rom), si armiq (turq) po edhe si të huaj (çerkez) në këto troje.

Natyrisht qeniet njerëzore në përgjithësi e kanë të vështirë të vrasin e persekutojnë njëri tjetrin pa e arsyetuar dhe justifikuar mirë në mendjet e tyre një akt të tillë barbar, prandaj edhe çdo lëvizje për shfarosje të një grupacioni njerëzish fillimisht ka bërë shpëlarjen e trurit të agresorëve që pala tjetër janë inferiorë dhe jo të denjë të jenë gjallë. Hitleri i konsideronte hebrenjtë si gjakpirësit e njerëzimit, terroristët i konsiderojnë viktimat si prishës së rendit të Zotit, ndërsa të bardhët i konsideronin të zinjtë si gjysëm njerëz apo si kafshë, dhe prandaj skllavërimi dhe vrasja e tyre nuk ishte moralisht problematike. Pra edhe në këto libra, nga prizmi i autorëve racist ndaj romëve e turqve, përshkrimi i shqiptarëve si rom e turq mundëson tek mendësia e tyre që shqiptarëve t’u zvogëlohet rëndësia e qenies së tyre, pra të shpallen si më pak të vlefshëm si qenie njerëzore me çka pastaj eliminimi i tyre nuk do të ishte akt shumë i gërditshëm moral. Ky është pra një ndër parakushtet që çdo ideologji fashiste i ka plotësuar dhe të cilin e propagandon ky libër!

Mirëpo një ideologjie fashiste nuk do t’i mjaftonin tëhuajësimi dhe armiqësimi, sepse do të mungonte elementi që do të siguronte gatishmërinë për sakrificë tek shfarosësit e ardhshëm fashist, prandaj edhe duhet që të viktimizohen maqedonët dhe tokat autoktone shqiptare të shpallen si të maqedonasve të cilët kinse u përzunë dhe u pushtuan dhunshëm nga shqiptarët, me çka njëkohësisht bëhet demonizimi i shqiptarëve dhe shpallet edhe misioni thuajse i shenjtë i maqedonasve. E kjo ndodh pikërisht në faqe 104 të librit ku thuhet që “Imigrimi i popullsisë shqiptare në Maqedoni nuk është bërë spontanisht, por në masë të madhe me dhunë, i planifikuar, me ndihmën e qeverisë turke ose të agallarëve dhe bejlerëve turq, të cilët e kishin lejuar vendosjen e popullsisë shqiptare-muslimane. Për ketë ekzistojnë dëshmi autentike. Maqedonasit i kanë përzënë nga vendbanimet e tyre me metoda të ashpra, si me vjedhje, kidnapime, vrasje, maltretime fizike-rrahje, djegie e të tjera.”. Pra në këtë paragraf qartë shihet se si viktimizohen maqedonët dhe demonizohen shqiptarët, të cilët paraqiten si agresorë që përzunë dhunshëm maqedonët nga tokat e tyre. Për një mendje shoveniste në të ardhmen kjo nënkupton misionin në vijim: “një ditë duhet marrë hak ndaj shqiptarëve për atë që ata ua kanë bërë maqedonasve dhe herët apo vonë tokat e pushtuara maqedone duhet të çlirohen nga pushtuesit shqiptarë”. Asgjë më pak nuk thoshte Millosheviçi kur lansoi fushatën shfarosëse kundër shqiptarëve të Kosovës!

Përveç komponentëve të tëhuajësimit, armiqëzimit e demonizimit të shqiptarëve dhe viktimizimit të maqedonëve, për ta mbajtur gjallë misionin e lartpërmendur, ideologjisë fashiste i duhet t’i shpallë shqiptarët si rrezik konstant kundrejt të cilëve maqedonët duhet të jenë gjithnjë vigjilent dhe të përgatitur. Prandaj në faqe 99 shqiptarët paraqiten si rrezik i vazhdueshëm dhe gjithnjë aktual për Maqedoninë dhe maqedonët, me ç’rast thuhet se “…vendosja e re e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë nuk është proces i mbaruar, ai bëhet edhe sot – në fillim të shekullit XXI. Vendosja e këtillë në momente e pakontrolluar, vendosja në mënyra të ndryshme mund t’i dëmtojë të gjithë në Republikën e Maqedonisë.”. Pra, pasi t’i kesh shpallur të huaj, inferiorë, të poshtër e agresorë, duhet patjetër t’i mbash gjallë gjithë ato ndjenja kundër shqiptarëve, e këtë e bën pikërisht paragrafi i lartpërmendur përmes së cilit shqiptarët paraqiten si armiq të përjetshëm dhe të përhershëm kundrejt të cilëve në çdo moment duhet të ruhen maqedonët!

Për t’u legjitimuar tek maqedonasit, një ideologjie, lëvizje apo fushate fashiste në të ardhmen doemos do t’i duhej edhe një komponentë i rëndësishëm: konfirmimi dhe legjitimimi nga ana shqiptarëve i “vërtetësisë” së asaj që thuhet në këto libra. Pra me doemos duhej të sajohet ky lloj miratimi i kësaj teorie nga vet shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë ishte që të liheshin vet shqiptarët t’i legjitimonin këto libra dhe teori. Prandaj siç duket u deshën gati 20 vite që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të udhëhiqet nga shqiptarët të cilët do të duhej të mbyllnin gojën dhe mos t’i ndryshonin këto tekste në mënyrë që liderët e ardhshëm të ndonjë lëvizje potenciale shoviniste të thonë që “edhe shqiptarët e kanë pranuar që kjo është e vërteta, prandaj edhe 5 ministra shqiptarë të Arsimit dhe Shkencës nuk e kanë ndryshuar librin e Gjeografisë”! U bënë njëzet vite dhe tani edhe po të hiqet nga përdorimi libri i Gjeografisë – është vonë për t’i zhbërë këto bazamente të ideologjisë shoviniste në mendjet e shumë ish-nxënësve maqedonas pasi ato veçmë janë indoktrinuar me ato ide fashiste. Le të shpresojmë që një ideologji e tillë asnjëherë nuk merr fuqi politike, megjithatë ministrat e BDI-së do të duhej ta kishin këtë parasysh dhe duhej ta dinin që ne jetojmë në Ballkan, edhepse ata jetën mund ta kenë pasur sikur në Dubai!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)