Uashington, 1 korrik – Rusia nuk paraqet vetëm kërcënim ushtarak, por edhe politik-ideologjik për vendet perëndimore, ndërsa sjellja e saj bazohet në pasigurinë e rrënjosur gjeostrategjike pas kolapsit të Bashkimit sovjetik, thuhet në raportin e përpiluar nga disa qendra analitike nga SHBA-ja, të publikuar mbrëmë nga Pentagoni.
Sipas tyre, situata konfliktuoze politike në SHBA është e volitshme për Moskën dhe i parandalon politikanët amerikanë ta kuptojnë seriozitetin e kërcënimit.
Raporti i ri prej 167 faqesh i titulluar “Qëllimet strategjike ruse” është në cilësinë e librit të bardhë, të përpiluar nga autoritete të qendrave kryesore hulumtuese dhe ushtarake arsimore të SHBA-së dhe jep udhërrëfime të Administratës se si t’i përgjigjet kërcënimit rus. Për dallim nga raportet e rregullta të ekspertëve nga institucionet ushtarake, librat e bardhë janë dokumente zakonisht tek të cilat opinioni mund të ketë qasje.
Konflikti me Perëndimin me qëllim të uljes së hegjemonisë së SHBA-së, respekti nga Evropa dhe partneriteti strategjik me Kinën, janë caqet kryesore të politikës së jashtme ruse, ndërsa Vlladimir Putin fuqishëm i përmbahet strategjisë globale të kahëzuar drejt asaj që Rusia ta kthejë ndikimin në skenën ndërkombëtare”, tregojnë autorët.
Shtohet se politika e jashtme ruse ka disa qëllime, Ta “kthejë dhe ruajë ndikimin në ish-republikat sovjetike, ta kthejë imazhin e shtetit të madh në skenën ndërkombëtare”… e më pas “të shfaqet si partnere e përgjegjshme, lojtare kyçe në politikën rajonale, por edhe ndërmjetësuese e suksesshme e cila mund të arrijë suksese ekonomike, ushtarake dhe politike në arenën ndërkombëtare”.
Shtohet se në strategjinë nacionale amerikane për siguri, për mbrojtje dhe në strategjinë nacionale ushtarake tregohet se në konfliktet e ardhshme mes fuqive të mëdha gjithnjë e më pak do të përdoren mjete ushtarake dhe se rol të madh do të luajë konkurrenca ekonomike, fushata për ndikim, operacionet paraushtarake, sulmet kibernetike, si dhe manipulimi propagandues dhe spiunazhi.
Të gjitha ato mjete i shfrytëzon Moska dhe “shërbimet speciale amerikane nuk mund t’u përgjigjen veprimeve të Rusisë” për shkak të “mungesës së koordinimit mes shërbimeve”.
Sipas raportit, shkak për sjelljen e këtillë të Rusisë është “pasiguria e saj e rrënjosur gjeostrategjike” pas kolapsit të bashkimit sovjetik.
Libri i bardhë për kërcënimin rus është pjesë e vlerësimit amerikan strategjik të titulluar “E ardhmja e konkurrencës dhe konfliktit”.(koha.mk)