Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 shkurt – Është bërë thuajse e zakonshme që nëpër studimet e ndryshme për cilësinë në arsimin fillor shkaqet për performancat e dobëta të kërkohen në mosfrekuentimin e institucioneve të parashkollore, shkruan gazeta KOHA. Për të argumentuar këtë, shfrytëzohen çdoherë të dhëna që flasin për përfshirje jo shumë të lartë të fëmijëve nëpër kopshte dhe çerdhe. Megjithatë, studime të tjetra flasin se argumenti i ndjekjes ose jo të arsimit parashkollor nuk mjafton për të mbështetur tezën se ky është faktor i rëndësishëm për cilësinë e mësimit, sidomos të nxënësve të ciklit të ulët të arsimit fillor.
Kopshtet dhe çerdhet, sipas një pjese të mirë të ekspertëve të fushës, nuk janë më të rëndësishme se familja dhe biblioteka. Madje, këta të fundit, sikurse shprehet Elizabeta Bajrami Ollogu, profesoreshë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, janë faktorë të cilët kanë impakt shumë më të madh në socializmin e fëmijëve dhe zhvillimin e aftësive kongitive të tyre krahasuar me kopshtet dhe çerdhet. Institucionet e arsimit parashkollor, thotë më tej ajo, sigurisht se kanë rol pozitiv, por nuk ka asnjë tezë të mbështetur shkencërisht se janë më të rëndësishme se familja. Përkundrazi, shumë sociologë ndajnë mendimin se familja, respektivisht ambienti familjar janë shumë më të ndikueshëm në zhvillimin e fëmijëve se sa çerdhet.
“Në një familje ku libri është pjesë e përditshmërisë, ku flitet me respekt për shkollën dhe ku vijnë në shprehje pretendimet e prindërve për konsumim të dijeve dhe njohurive, është shumë e natyrshme që gjithë kjo klimë pozitive që krijohet në familje për librin dhe shkollën të reflektojë te fëmijët duke krijuar një shtesë të dallueshme në zhvillimin psikologjik të fëmijëve”, sqaron profesoresha Ollogu.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që fëmijët të familjarizohen me librin që në shtëpi. E, kur ky familjarizim vjen në mënyrë të natyrshme, spontane, u krijojmë atyre shumë më tepër lehtësira në krijimin e shprehive për mësim dhe paralelisht kësaj edhe në prirjet për ta konsideruar librin “shokun më të mirë”. Të gjitha këta faktorë, pa injoruar edhe cilësinë e kopshteve, shkollave apo mundësive që u krijohen fëmijëve për shkollimin e mëtejmë, sipas saj ndikojnë në cilësinë e arsimimit të përgjithshëm. Madje në një hulumtim të bërë disa muaj më parë nga UNT-ja për lidhjet mes arsimit parashkollor me arsimin fillor nuk kishte asnjë tregues bindës se nxënësit e përfshirë nëpër çerdhe dhe kopshte janë më të sukesshëm se ata që nuk kanë qenë përfshirë në arsimin parashkollor.
“Një arsye për këtë mund të jetë edhe niveli i përkushtimit të edukatorëve vizavijë përkushtimit të mësimdhënësve, ashtu sikurse edhe kushtet dhe cilësia që ofrojnë kopshteve tona. Kjo mbetet për tu analizuar në hulumtime të tjera”, shpjegon Ollogu, e cila kishte udhëhequr me atë hulumtim të realizuar në tre shkolla fillore të Shkupit. Por, për gjetje të përafërta flasin dhe hulumtime nacionale, me përfshirje të lartë të shkollave fillore, siç është ai i Fondacionit për iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi” në Maqedoni.
Në këtë hulumtim, ku janë përfshirë 8000 nxënës të 336 shkollave fillore del se numri më i madh i faktorëve që ndikojnë në cilësinë e mësimit te nxënësit e ciklit të ulët kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shtëpinë. Konkretisht, nga shtatë faktorët e evidentuar lidhur me çështjen e cilësisë pesë kanë të bëjnë me familjen dhe dy me shkollat. Në rend të parë, qëndron shkalla e arsimimit të prindërve, pastaj nëse mësimi ndiqet në shkolla urbane apo rurale, nëse nxënësi ka ndjekur arsim parashkollor, nëse ka krijuar shkathtësi të zhvilluara për lexim para se të regjistrohet në klasë të parë, nëse shtëpia e banimit ka ose jo bibliotekë, nëse huazohen ose jo librave nga biblioteka të tjera (të qytetit ose shkollës) si dhe nëse nxënësit kanë traditë leximi në shtëpi, qoftë në mënyrë të pa varur apo me dikë tjetër.
Gjetja e këtyre faktorëve tregon se familja dhe libri, krahas shkollës janë faktorët kryesor që ndikojnë në cilësinë e mësimit të nxënësve. As ky hulumtim nuk përjashton përfshirjen në institucionet e arsimit parashkollor si faktor relevant. Por ai nuk është as i vetmi dhe as më i rëndësishmi në zhvillimin e fëmijëve dhe qasjen që do të kenë ndaj mësimit. (koha.mk)