Një sistem shkollor, që duke mësuar keq, që duke fshehur fakte, e që duke krijuar projeksione të rreme, që merren nga e kaluara e shfaqen në të ardhmen, krijojnë në vazhdimësi probleme. Pse? Sepse, asgjë nuk është e bazuar në shkencë. Kjo është e pafalshme. E para, sepse s’mund të lejohet që nxënësit të pranojnë të pavërteta nga librat. E dyta, sepse të gjithë dalin qesharakë, kur do përballen me botën e shkencën globale. Por më e rëndësishmja, sepse askush nuk mban përgjegjësi
Nga Nazim RASHIDI
Maqedonia e Veriut është në procese rishikimi librash me dy fqinjët e saj, Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat kanë të bëjnë me trajtimin e historisë. Marrëveshja e Prespës, e cila çoi deri tek ndryshimi i emrit nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika Maqedonia e Veriut”, parashikon gjithashtu edhe ngritjen e komisionit të përbashkët për rishikimin e programeve mësimore të historisë në të dyja vendet.
Një komision i ngjashëm ekziston edhe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë. Edhe ky në fokus ka librat e historisë. Ballkani është i fokusuar pas historisë. Fraza e Churchuill-it se Ballkani prodhon më shumë histori se sa arrin të konsumojë, është e rraskapitur duke u përdorë, por shkëputja nga historia që krijon histeri pastaj nuk ndodh dot. Dhe kjo histeri kryesisht ka dalë nga librat. Libra që janë përhapur, janë marrë si model, kanë krijuar mendësi dhe kanë nxitur përplasje. Prej vitesh shfaqen dallimet mes vendeve fqinje, e kur erdhi momenti që të zgjidhen filluan nga librat. Sepse, libri nuk është thjesht një medie në faqet e të cilave ka informacione qoftë me fjalë ose fotografi, por sjell dije dhe dritë për miliona njerëz, por njëkohësisht, kur janë të pasakta, të shkruara me tendencë, apo propagandë ata bëjnë edhe dëme.
Historia njeh libra që kanë frymëzuar miliona ndjekës, e deri tek ato që kanë shkaktuar luftëra apo dhe nxitur urrejtje e shfarosje. Por nuk është qëllimi i kësaj që shkruaj për të bërë historinë e librit. Është thjesht një rikujtim i vogël se çfarë efekti krijon qoftë edhe një faqe e një libri të shkruar keq, me pasaktësi dhe me tendencë. Dhe do të mbes edhe pak tek realiteti jonë, ai i komisioneve që rishikojnë histori dhe efektet që lënë librat pa fije dinjiteti shkencor.
Më kujtohet një artikull që kam lexuar nga kolegët e prizma.mk që kishin intervistuar dy Aleksandër, njëri në Manastir – e tjetri në fshatin Niki, në vijë ajrore vetëm 30 kilometra larg. Por njëri në Maqedoninë e Veriut e tjetri në Greqi, që sigurisht kishin mësuar nga libra të ndryshëm e që interpretonin historinë krejt ndryshe. Sigurisht ju mund ta kuptoni se bëhej fjalë për Aleksandrin e madh dhe çfarë mendonin ata për trashëgiminë historike të tij. Pa hyrë në detajet e argumenteve, atë që dua të them është se janë librat që krijojnë realitete që pastaj ndiqen me pasion nga përdoruesit, e sidomos kur janë shkollor, që në vetvete presupozohet se janë të një niveli edhe më të lartë, sepse efekti i tyre mbetet përjetë.
As grekët e as maqedonasit, po as shqiptarët e as të tjerët nuk rrinë e të lexojnë histori, gjeografi e shkenca të tjera në vazhdimësi. Gjitha dijet, argumentet, kulturën, emocionet i kanë marrë kryesisht nga librat shkollor. Në një të tillë, në Gjeografinë e vitit të dytë, kishte një fjali të tillë: “Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin veten si autokton. Kryesisht ata janë popullsi maqedone që gjatë sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe nga ndonjë fis që ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”.
Papërgjegjësia e rreshtave të tillë në libra shkollor është e frikshme. Më së paku është burimi i nxitjes së tensioneve e që çon edhe deri në përplasje etnike, siç kemi parë. Fjalia që shqiptarët janë maqedonas të turqizuar keq, është jashtë çdo baze shkencore. As që dua të mendoj se cilat janë motivet e autorëve kur thonë se shqiptarët janë maqedonas, që kanë marrë islamin e më pas janë shqiptarizuar. Po do e lë këtë budallallëk. Ajo që më shqetëson është se maqedonasit që me breza i kanë mësuar këto histori, po me breza nuk do ta pranojnë se në librat shkollorë ka pasur budallallëqe. Unë e di se mësuesit shqiptarë ose e kanë anashkaluar këto pjesë, ose madje edhe i kanë grisur ato faqe të librave. Por edhe kjo në vetvete është shqetësuese. Nxënësi shqiptar mësohet ta urrejë librin, ta grisë, ta hedhë. E këtë e shikon të bërë edhe nga mësuesit. Kurse ai maqedonas mëson keq, pa shkencë e pa bazë fakte të rreme që i konsideron të vërteta.
Dhe këta nxënës kanë kaq dallim e kaq pikëpamje të ndryshme, jo duke mësuar nga libra të ndryshëm si rasti i dy Aleksandërve, por duke qenë në të njëjtën shkollë, e nga i njëjti libër.
Një sistem shkollor, që duke mësuar keq, që duke fshehur fakte, e që duke krijuar projeksione të rreme, që merren nga e kaluara e shfaqen në të ardhmen, krijojnë në vazhdimësi probleme.
Pse? Sepse, asgjë nuk është e bazuar në shkencë.
Kjo është e pafalshme.
E para, sepse s’mund të lejohet që nxënësit të pranojnë të pavërteta nga librat.
E dyta, sepse të gjithë dalin qesharakë, kur do përballen me botën e shkencën globale.
Por më e rëndësishmja, sepse askush nuk mban përgjegjësi.
Këtu pastaj dështojmë të gjithë.
Politika, ata zyrtarë të lartë, ministra, por edhe ata nëpër zyra e korridore që kanë pasur mundësi të ndërhyjnë e t’i përmirësojnë këto tmerre, e që kanë heshtur. Dështon sistemi arsimor me gjithë shkollat, profesorët, nxënësit e prindërit që nuk reagojnë në vazhdimësi. Dhe krejt ne si shoqëri, që me gjasë se konsiderojmë librin, librat me peshën e duhur.
Por gjithçka fillon me librat, jo faqet, por idetë dhe dijen që japin, e ne lexojmë pak. Lexojmë keq. E reagojmë me vonesë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)