Librat janë, mungojnë lexuesit

Patriot LUMANI

Strugë, 5 maj – Edhe pse në Strugë funksionojnë dy biblioteka modeste, njëra në kuadër të Pallatit të Kulturës, ndërsa tjetra pranë Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, të pajisura me një fond deri diku të kënaqshme titujsh dhe me literaturë të gjinive të ndryshme artistike, është evidente se mungojnë lexuesit, ankohen nga këto shtëpi të librit, shkruan gazeta KOHA.
Sipas pohimeve që morën nga këto institucione të kujdesit, promovimit dhe leximit të librit në Strugë, një fenomen shqetësues po ndodhë kohëve të fundit me to. Në masë të madhe ka rënë frekuentimi dhe interesimi për librin, dukuri e cila po thellohet dita ditës dhe të vetmit lexues të pakët duhet thënë janë mësuesit e pensionuar apo veteranët e arsimit si dhe nxënësit e shkollave që interesohen vetëm për lektura të detyruara për lexim në bazë të programit shkollor.
Jashar Pollozhani nga “Nënë Tereza” në disa raste për gazetën KOHA ka thënë se pavarësisht që biblioteka që funksionon në kuadër të shoqatës së tij disponon një fond prej 14 mijë titujsh në gjuhën shqipe dhe atë të huaj, është faktuar, sipas tij, rënia e interesimit për të lexuar dukuri e cila nga viti në vit po bëhet shqetësuese .
“Në masën më të madhe punojmë me nxënës të shkollave të mesme dhe fillore, të cilët zakonisht interesohen për libra të cilat i kanë me detyrim nga shkolla. Ndërkohë, një problem shqetësues është fakti që një pjesë e lexuesve, pasi marrin librat nuk i kthejnë fare ato, duke i sjell një problem shtesë bibliotekës sonë”, thotë ai.
Ndërkohë Pollozhani përmend se përveç veteranëve dhe nxënësve, mungojnë plotësisht kategoritë e tjera të lexuesve, të cilët nuk hasen në këtë shtëpi të librit. Gjithashtu, edhe nga Biblioteka e qytetit, e cila funksionon në kuadër të Pallatit të Kulturës konfirmojnë se ndeshen me një mungesë të theksuar të lexuesve, edhe te ata të vetmit lexues janë nxënësit e shkollave të cilët interesohen për lekturat e detyruara nga shkolla, ndërsa mungojnë plotësisht kategoritë e tjera të lexuesve potencial, siç mund të jenë studentët, intelektualët apo dhe të tjerë.
Biblioteka e qytetit disponon sallë leximi si dhe një fond librash që kalon mbi njëzet e pesë mijë tituj në gjuhën shqipe, tregon një nga të punësuarit në këtë bibliotekë. Pavarësisht arsyeve që mund të jenë të natyrave të ndryshme, për këtë situatë duhet thënë se ky fenomen është shqetësues dhe me pasoja të pallogaritshme për një qytet si Struga. (koha.mk)