Ajo që është e qartë, është se as prindërit, e as opinioni i gjerë, nuk duhet të kenë frikë nga e ardhmja. Ajo është digjitale, e s’ka dilemë. Por shpjegime për librat digjitalë duheshin e duhen. Me shembuj dhe konkretisht. Që pastaj të merremi me më të rëndësishmen, përmbajtjen e tyre e sigurisht dhe nxitjen për t’i lexuar. Këtu besoj do pajtohemi pastaj, se të printuar ose digjitale, nëse s’lexohen ose nuk janë cilësor sërish asgjë s’kemi bërë, e sërish kemi diskutuar veç për formën
Nga Nazim RASHIDI
A keni lexuar libra në kompjuter, ose në formë tjetër digjitale? Unë për vete shumë rrallë. Veç disa që mbase nuk i gjeja dot të printuar. Kam lexuar diçka në tablet, ku libri elektronik, dukej si libër real, ku edhe faqet lëviznin si një libër i botuar. Sigurisht ndër librat digjital, ata që kanë aparatin kindle, kanë lexuar në formë më të sofistikuar sepse ky aparat i kompanisë Amazon, pikërisht ka për qëllim sofistikimin e leximit në formë digjitale. Por përvoja ime e viteve të fundit është leximi në kompjuterë ose telefonë të mençur të gazetave dhe revistave, sidomos të huaja.
Pa diskutim e ardhmja do jetë digjitale.
Aq më shumë do të përshpejtohet ky proces sepse pandemia dhe ndryshimi i mendësisë së punës, sidomos i të punuarit nga shtëpia por edhe mësimit online, do detyrojë shoqëritë të adaptohen më shpejtë në komunikime digjitale. E bëj këtë hyrje sepse ditëve të fundit po diskutohet shumë, madje kishte dhe protesta rreth idesë të botimit të librave shkollorë në formë digjitale. Por nga ajo që vë re, fjala “digjitale” ka bërë që menjëherë prindërve tu asociojë mësimin online, dhe si rrjedhojë vështirësitë që kishte ky proces, e të krijojë një revoltë rreth nismës për botimin e librave digjitalë.
Por përtej politizimeve, që janë aq zakon e që nuk e çojnë çështjen në thelb, reagimet tregojnë se çështja e shkollës dhe shkollimit duhet të dikutohet mirë. Sa e shoh dhe me të drejtë, ajo duhet parë në dy aspekte.
E para, është shkollimi online. Përvoja e detyruar e këtij shkollimi ishte traumatike për prindërit, por edhe nxënësit. Sidomos fillimi i saj. Dhe me të drejtë tani shtrohen pyetjet, si do vijohet më tej? Tani është koha të flitet për shtatorin. A do ketë sërish mësim online? Nëse po, si do të jetë ai? Autoritet mjekësore nuk duan që tani të bëjnë parashikime dhe kjo i vështirëson përgjigjet. Për një pjesë të madhe të prindërve, por sidomos nxënësve, mësimi online pa prezencë në shkolla, pa komunikimet, pa mësuesit, pa shoqërimin ishte tejet problematik. Ende nuk ka një analizë të cilësisë si ka ndikuar ky vit tek nxënësit. Dhe gjithë këto të panjohura bëjnë që të gjithë të kthehen e të kërkojnë mësimin fizik, ku sistemi siç ishte jepte rezultate që njiheshin.
Nga ana tjetër, po aq e rëndësishme, nuk dihet se çfarë pasojash do ju lë mësimi i munguar edhe fizik edhe online i një numri nxënësish, të cilët për mungesë kushtesh s’kanë ndjekur shkollimin fare. Edhe kjo një arsye e fuqishme që të shtohet presioni që të rikthehet, ose të merren masa për mësim fizik.
Por sërish, askush nuk guxon të parashikojë, të paktën deri më tani se ç’do bëhet më tej. Dhe paralelisht me këto dilema, erdhi dhe debati për librat digjitalë. Që mbase krijuan përshtypjen se meqë ato do botohen edhe në formë elektronike, atëherë është e sigurt se do vijohet mësimi online. Por me sa kuptojmë nga sqarimet e zyrtarëve, kjo nuk është çështja. Botimet digjitale sipas tyre janë prirje e kohës, që ndoshta nuk lidhen me pandeminë, por ajo ka përshpejtuar procesin. Dhe prandaj kjo është çështja e dytë që duhet diskutuar e që lidhet edhe me dilemën, nëse do të duhet mësmi të jetë sërish online, si do duhet të jetë kësaj here?
Po ja një herë për librat. Kur filloi mësimi online dhe kur si prindër kërkuam, meqë për disa lëndë s’kishte ende libra të printuar, të përdoren verzionet digjitale, na u tha se një gjë e tillë nuk lejohej. Sepse në një nga shpjegimet thuhej se shtëpitë botuese ashtu kanë pasur kontratat dhe nuk lejonin përdorimin e librave në formë digjitale. Sigurisht ky ishte një moment absurdi, për shkak edhe të situatës. Por u bë e qartë se verzionet digjitale në mungesë të atyre të botuar do kryenin shumë punë.
Nëse shikon propozim ligjin, në nenin, 1 dhe 2 në të thuhet:
Neni 1
Me këtë ligj rregullohet përmirësimi i përdorimit të teksteve shkollore dhe përdorimi i teksteve shkollore dhe materialeve tjera mësimore dhe didaktike në arsimin fillor dhe të mesëm.
Neni 2
(1)Termat e caktuara të përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.) “Teksti shkollor” është mjet mësimor dhe burim njohurish për arritjen e rezultateve nga mësimi / qëllimet sipas planeve dhe programeve mësimore për arsimin fillor dhe të mesëm.
2). “Materiale të tjera mësimore dhe didaktike” janë mjetet mësimore dhe ndihma të cilat janë në përdorim të mësimdhënësit dhe nxënësit në procesin e të mësuarit dhe janë të disponueshme në formë të shtypura ose elektronike (siç janë: fletoret e punës, fletët e punës, doracaku i mësimdhënësit , detyrat / testet, mjetet konkrete).
3). ” Tekst shkollor digjital” është tekst shkollor në formë elektronike i cili sipas strukturës është identik me atë shkollor në formë të shtypur, por është i pasuruar me përmbajtje multimediale të cilat përfaqësojnë plotësimin e tekstit në bazë/leksione; filmit , animacione, tregime me video, galeri të pikturave dhe detyrave , të cilat mundësojnë arritjen më të shpejtë të rezultateve / synimeve të pritura të mësuarit në përputhje me programet mësimore për arsimin fillor dhe të mesëm.
(2) Tekstet shkollore dhe materialet e tjera mësimore dhe didaktike mund të jenë në formë të shtypur dhe / ose në formë elektronike.
Sipas sqarimit edhe të Ministrisë së Arsimit nuk sugjerohet heqja e librave të botuar. Por të ketë edhe libra digjitalë. Kjo për mua, nëse bëhet ashtu dhe siç parashikohet, që librat digjitalë të ndihmojnë edhe personat me aftësi të kufizuar dhe sidomos të kenë edhe pjesë vizuale, video, loja, muzikë, pjesë audio, atëherë jo që s’ka gjë të keq, por është e mirëseardhur. Këto nisma, në të gjitha format do ndihmojnë arsimin, e sidomos, edhe pse askush se dëshiron, nëse mësimi do të vijojë online.
Megjithatë, dilemat s’mund t’i heqim. Dhe duhet t’i adresojmë.
Ministra e Arsimit mbase do duhej të shfaqë një version të një libri digjital që të gjithë të kenë idenë se për çfarë botimi bëhet fjalë. Kjo mund të jetë edhe vetëm disa faqe, por përderisa ka frikë, duhet ta bëjë. Tjetra, Ministria e Arsimit duhet, nga përvoja e marrë dhe analizat që besoj i ka, të adresojë kushtet e përdorimit të botimeve të tilla. Sa fëmijë do privohen nga mësime të tilla me mjete të avancuara. Nuk i shkon fare një qeverie të majtë, të lë anash shtresat më në nevojë. U bë e qartë se do ketë dhe libra të printuar, por nëse digjitalet përdoren nga një pjesë e të tjerët jo, a krijon kjo dallime në cilësinë e arsimit? Pra është e qartë se e gjitha lidhet sërish me mjetet, internetin, kompjuterët dhe gjithë atmosfera e mësimit online. Dakord, duhen parë si të ndara, se mund të ketë mësim me prezencë fizike, e librat digjitalë sërish të jenë aty. Por si do të përdoren, veç në shkollë? Apo edhe nëpër shtëpia?
Krejt në fund, ajo që është e qartë, është se as prindërit, e as opinioni i gjerë, nuk duhet të kenë frikë nga e ardhmja. Ajo është digjitale, e s’ka dilemë. Por shpjegime për librat digjitalë duheshin e duhen. Me shembuj dhe konkretisht. Që pastaj të merremi me më të rëndësishmen, përmbajtjen e tyre e sigurisht dhe nxitjen për t’i lexuar. Këtu besoj do pajtohemi pastaj, se të printuar ose digjitale, nëse s’lexohen ose s’janë cilësor sërish asgjë s’kemi bërë, e sërish kemi diskutuar veç për formën.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)