Evis HALILI
Shkup, 22 shtator – Nëse gjatë 15 viteve të fundit financimi i aktiviteteve të programit të kulturës ka pësuar një rënie graduale, Ministria e Kulturës nuk ka kursyer për të financuar sektorë të veçantë, si librin, apo filmin, shkruan gazeta KOHA. Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të këtij institucioni i është dedikuar edhe projekteve kapitale, si ndërtimi i objekteve të reja, e më pas edhe për funksionimin e tyre. Sipas një analize për situatën e përgjithshme në kulturë që gjendet në draftin “Strategjia për zhvillimin e kulturës 2018-2022”, versioni jozyrtar i përpiluar dhe publikuar nga Ministria e Kulturës konstatohet se pavarësisht se Qeveria ka akorduar më shumë para për kulturën, dedikimi i tyre është bërë në formë të gabuar, pa koncept, duke penguar zhvillimin e barabartë të kulturës. Të parat e kanë pësuar aktivitetet programore. Nëse në vitin 2001 për këtë segment shpenzohej më shumë se gjysma e buxhetit të përgjithshëm, në vitet që pasuan programi vjetor ka marrë nga 18 deri në 22 për qind nga buxheti i përgjithshëm i kulturës. Më të privilegjuarat kanë qenë dy sektorë, botimi dhe filmi. Ndërsa pjesa tjetër e buxhetit ka qenë e orientuar në shpenzimet që lidhen me ndërtimi ne objekteve kapitale, muze, teatro…, e më pas për mirëmbajtjen e tyre.
“Shpërndarja e shpenzimeve publike për kulturën, në kushtet kur vetëm një pjesë e vogël e financave i dedikohet implementimit të programeve kulturore nuk e mundëson avancimin në planin e kulturës. Ky model i deritanishëm i financimit nuk përmban asnjë instrument për motivimin e sektorit privat, që do të lehtësonte rolin e shtetit si një financues kryesor i kulturës”, konstatohet në raport, raporton KOHA. Buxheti që ndahet për kulturë çdo vit ka pësuar luhatje. Nëse në vitin 2007, vit kur nisën disa projekte kapitale, arrinte mbi 1,21 për qind të buxhetit të përgjithshëm, në vitin 2010 u dyfishua duke arritur në mbi 2,2 për qind nga buxheti i përgjithshëm. Sipas hartuesve të kësaj analize rritja e buxhetit konsiderohet si jonormale, sidomos kur krahasimi bëhet me vendet e tjera të rajonit. Për shembull, Kroacia, në buxhetin e vitit 2011 ka ndarë 0, 71% për buxheti duke e reduktuar disa vjet më pas edhe në 0,48%. Pak para për kulturë ka ndarë edhe Serbia, gjatë 2012-2016 pjesa për kulturë luhatet nga 0,40% deri në 0,48%.
Nga ana tjetër është evidente edhe disproporcioni në sektorë të caktuar, si edhe variante të pashpjegueshme të ndarjes procentuale. Për shembull, veprimtaria bibliotekare ka pësuar rënie, duke arritur në 12 milionë denarë për këtë vit. Ndërkohë që për botimet financimi i programit është rritur në formë të vazhdueshme dhe rapide, nga 44 milionë denarë në vitin 2006, në 178 milionë denarë vitin e kaluar. Absurdi qëndron në mbështetjen për talentet e reja, buxheti për të cilën për gati 15 vite ka mbetur i pandryshuar – vetëm dy milionë denarë.
Ministria e Kulturës financon 112 institucione, prej të cilave vetëm 63 janë nacionale, ndërsa të tjerat lokale. Numri i punonjësve është mbi 3 mijë dhe pjesa më e madhe e tyre, mbi dy mijë punojnë në institucionet nacionale. Shifra këto që flasin për shpërndarjen e zhdrejtë institucionale dhe kadrovike. Numri më i madh i punësimeve ka ndodhur në teatro ku janë regjistruar për dhjetë vjet mbi 430 punësime, kryesisht artistë, ndërsa rrogat e tyre u rritën me 60 për qind. “Përshtypja e përgjithshme është se e ashtuquajtura kultura institucionale është e mbyllur, nuk ka konkurrencë, kompaktibilitet dhe në shumë raste joprofesionale. Në të mungon, madje edhe në një shkallë të domosdoshme, logjike edhe bashkëpunimi ndërinstitucional, bashkëpunimi me sektorin joqeveritar është minimal, madje as që shqyrtohen mundësitë e një bashkëpunimi eventual”, konstatohet në analizë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.