Në një kamp emigrantësh në Libi ku zhvillohet një ankand i mirëfilltë për blerjen e emigrantëve, sikur në kohërat e tregtisë së skllevërve. Blerësit kërkojnë kryesisht djem të rinj, të fortë e të aftë për të punuar tokën. Dy të rinj shiten për 400 dollarë secili. Ishte rrjeti televiziv CNN që denoncoi shitjen e emigrantëve, të cilët janë në kërkim të një jete më të mirë në Evropë, larg masakrave dhe luftimeve në vendet e tyre, por që përfundojnë si objekt i skllavo-pronarëve të rinj të shekullit të 21-të.
“A i nevojitet ndokujt një punëtor fushe? Po pres oferta, – thërret një tregtar. S’kalon shumë dhe një nigerian i dorëzohet një pronari të ri, i cili është i interesuar në blerjen e një njeriu të fortë për punë në fusha. Kjo skenë përsëritet përditë në Libi, pak kilometra nga deti Mesdhe, ku mijëra njerëz vdesin të mbytur gjatë përpjekjeve për të gjetur një jetë më të mirë në Evropë. Subjektet e shitura nuk flasin, janë të traumatizuar”, thonë reporterët e CNN-it.
Kontrollet në portet libiane vështirësojnë rrugën e emigrantëve, nga ana tjetër trafikantët kanë gjetur këtë zgjidhje për përfituar nga persona që kanë udhëtuar nga vende të tjera dhe nuk kanë mundur të nisen siç u ishte premtuar. Skllevërit kryejnë punë agrare të përditshme dhe shpërblimi i mbetet në dorë tregtarit, i cili kërkon edhe pagën e shpagimit për prishje pakti. Shitjet shkojnë rreth 1200 dinarë libianë ose rreth 800 dollarë. Victory, një nigerian 21 vjeç, ka harxhuar të gjitha kursimet për t’u larguar dhe mbërritur në Evropë. “Nëse i shihni njerëzit do të vini re shenjat, janë goditur, gjymtuar”, thotë 21-vjeçari. Kushtet janë të këqija dhe mungon ushqimi dhe ka abuzime fizike.
Ai na rrëfen se trafikantët u premtojnë të ndajnë fitimet bashkë, ata duhet të paguajnë borxhin, pavarësisht se nuk i çuan në Evropë, megjithatë paratë duket se nuk janë kurrë të mjaftueshme. Ata shiten ditë pas dite. Kur arratisen ose çlirohen nga autoritetet – kthehen në pikën zero. Deportohen në vendin e origjinës, kanë humbur të gjitha kursimet dhe kanë jetuar një ferr. Kthehen në pikën nga ku u nisën për të ikur, me çantat bosh dhe nganjëherë me familje që ka kërkuar hua për të paguar lirimin e tyre. “U ktheva në fillim. Është shumë e dhimbshme, shumë e dhimbshme! Unë nuk mbërrita në Evropë. Falënderoj Zotin për ata që ia dolën!”, psherëtin Victory.
Përmes një investigimi, CNN zbuloi një rrjet të vërtetë të trafikut të qenieve njerëzore, madje edhe një prej personave që shiste emigrantët. Në video duket trafikanti i njerëzve që shet një djalë që konsiderohet i fuqishëm, në gjendje për të gërmuar. Disa prej emigrantëve e pranojnë hapur përpara kamerave që janë shitur për një grusht parash tek persona që as nuk i njohin.
Ata rrëfejnë gjithashtu se janë dhunuar fizikisht. Situata e rëndë e emigrantëve në kampet libiane ka ngjallur reagimin e OKB-së, që kritikon ashpër BE për menaxhimin e fluksit dhe paktin me qeverinë libiane. Trajtimi i emigrantëve në kampet e emigrantëve është çnjerëzor, vlerësoi OKB. Nuk vonoi reagimi i Brukselit që u shpreh se qëllimi kryesor i misionit në Libi është shpëtimi i jetëve, por duke nënvizuar se ekzistenca e kampeve që i përngjajnë burgjeve është e papranueshme.