Rreth 36 mijë fëmijë emigrantë në Libi kanë nevojë për ndihmë, bëri të ditur të hënën Misioni Mbështetës i Kombeve të Bashkuara në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga rreth 400 mijë emigrantë, 9 për qind janë fëmijë, ndërsa tronditëse është ajo se më shumë se 14 mijë fëmijë gjithashtu janë të pashoqëruar, thuhet në një njoftim në faqen e tyre të internetit.
Shifrat u zbuluan nga UNICEF dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).
“Këtë vit, gati 15 mijë fëmijë të pashoqëruar kanë arritur në Itali përmes detit, duke udhëtuar përgjatë rrugëve të rrezikshme të Mesdheut nga Libia. Udhëtimi i tyre zakonisht lehtësohet nga kontrabandistët dhe trafikantët”, thuhet më tej.
“UNICEF vlerëson se që nga fillimi i vitit mbi 400 fëmijë kanë humbur jetën në përpjekjet që ta bëjnë këtë udhëtim, ndërsa shumë të tjerë kanë pësuar abuzime, shfrytëzim, skllavërim dhe paraburgim”, shtohet më tej.
UNICEF dhe IOM kanë bashkuar forcat në një plan veprimi për të rritur mbështetjen për fëmijët emigrantë në Libi, duke u fokusuar në mbrojtjen e tyre, arsimin, ujin, kanalizimet dhe shëndetin. Ky bashkëpunim do të sigurojë që të drejtat e fëmijëve të vihen në qendër të ndihmës në Libi.
Libia ka mbetur në një gjendje të trazuar që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme çoi në përmbysjen dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi, pas më shumë se 40 vitesh në pushtet.