Do të vazhdojë kjo shoqëri të fshehë njëri-tjetrin dhe do të vazhdojmë të lodhemi ende duke zbuluar njëri-tjetrin. Sinqerisht është e tepërt. Aq më shumë lodhës është liberalizmi fals. Mbase liberalë fallco ka nga të dyja anët. Por sërish, sado i njëanshëm të tingëllojë, vazhdimi të fshihen “të fshehurit” konstant, ndërkohë gjithçka që ndodh rreth dhe brenda kësaj shoqërie ka aq shumë prezencë të njëri-tjetrit, tregon se roli i strucit bëhet me qëllim. Dhe kjo nuk mund të jetë diçka OK!
Nga Nazim RASHIDI
“Minoriteti i padukshëm i Greqisë – Sllavët Maqedonas” ose në origjinal “Greece’s invisible minority – the Macedonian Slavs” është një artikull i botuar nga BBC, që po përhapet shumë në rrjetet sociale. Sigurisht ka një ngazëllim nga maqedonasit, sidomos ata që janë mbështetës të Marrëveshjes së Prespës, sepse teksti vjen si rrjedhojë pikërisht e kësaj marrëveshjeje, por shpjegon dhe historinë, ku autori tregon për prezencën e njerëzve në Greqi që flasin një gjuhë tjetër përveç asaj greke.
Teksti gjithashtu nëpërmjet një 92 vjeçari, z. Fokas tregon edhe represionin, ndalesën për të përdorur gjuhën në periudha të ndryshme historike, madje dhe një sekuencë ku autoritetet kanë shkuar edhe në varrime për të parë se në çfarë gjuhe bëhen edhe vajtimet. Sigurisht rrëfime të njohura për shqiptarët. Gjithsesi, për mos të përshkruar tekstin plotësisht, ai flet edhe për arrestime e vuajtje dënimesh me burg, humbje jetësh, fate njerëzish të vështira, që kujtojnë sagat ballkanike, por edhe kontekstin e sotëm me Marrëveshjen e Prespës. Por si në çdo rrëfim ballkanik, teksti ka shkaktuar reagime. Autoritetet greke kanë akuzuar për “falsifikim të historisë” nga ana e BBC-së, etj… etj… si këto që ne i kemi të njohura. Por ajo që dua të vë në dukje me këtë shpjegim është efekti i një shkrimi për “të fshehurit” në Greqi dhe gëzimi i madh për artikullin në Maqedoni. Pashë te njerëzit satisfaksionin e mirënjohjes, e një dëshmie për prezencën, por edhe një krenarie për të vërtetën. Sepse shumë njerëz që shpërndanë artikullin këtë thoshin: “E shihni, kemi pasur të drejtë”, për disa gjëra që i kemi thënë.
Por paralelisht me këtë artikull, muri i Facebook-ut tim u mbush me një manifestim kulturor “Zllatna bubamara” në të cilin vlerësohen arritjet në fusha të ndryshme kulturore e sportive. Sigurisht duke qenë se duam të jemi një shoqëri, hapa për të parë se çka ka ndodhur dhe kush është vlerësuar. Normal, si përherë kisha habi. A po edhe një diçka, ky manifestim është privat. Pra organizatori bën dhe nderon kë të dojë dhe për këtë ka të drejtë. Por efektet shoqërore ama sërish i lëshon, dhe unë për këtë flas. Ku ishte habia? Ndër evente, shfaqje, koncerte, emra, arritje që ishin vlerësuar kishte veç evente, shfaqje, koncerte, arritje që i njihnin e kishin parë veç maqedonasit.
Tani unë e di se shoqëria jonë është relativisht e ndarë. Dhe thashë, ky event është privat, por nëse pretendohet të vlerësohen efektet që janë lënë në shoqëri, mund të kishte një përpjekje më shumë. Për shembull kështu në mend më vjen shfaqja “Gratë”, e Qëndrim Rijanit, që nuk la festival pa u vlerësuar. Interpretimi befasues dhe tejet i arrirë i Vjollca Bekteshi Hamitit në shfaqjen e fundit “Duet për një”. Apo përvjetori i 30 i “Elita 5”, apo shumë e shumë arritje e vlerësime që më vjen keq që s’po i përmend tani. Dhe kjo mospërmendje dhe mosdije e këtyre arritjeve mbase dhe nuk do të më bënte edhe aq përshtypje nëse disa njerëz nuk do të kishin përhapur në rrjetet sociale edhe artikullin për minoritetin e fshehur në Greqi edhe lajmet për vlerësimet në manifestimin “Zllatna Bubamara” që ka dhe prapashtesën “na popullarnosta”, pra të popullaritetit.
Por që nuk njeh dhe nuk sheh popullarët e një pjesë të madhe e të rëndësishme të shoqërisë ku jetojmë. Këto ditë për shembull është “hit” Talat Xhaferi me seancën e diskutueshme rreth heqjes së imunitetit të Trajko Veljanovskit. Po mirë, për shembull, këta individë kur shohin këta politikanët shqiptarë, debatet, ministrat, etj. nuk shtrojnë pyetje apo dhe kuriozitet se kush janë popullorët e këtyre “tjerëve”? Sigurisht që përgjigjja është “jo”. Sepse rezultati është i qartë. Megjithatë, ribëhet pyetja sërish natyrshëm për të disatën herë: Si mundet mos të kesh asnjë kuriozitet për të marrë vesh se çfarë krijojnë dhe prodhojnë të tjerët?
Në manifestimin në fjalë, kishte emra të them “jo maqedonas”. Sigurisht jam i bindur që ishin atje me meritë dhe nuk i duhet hequr asnjë vlerësim, por ka një gjë. Janë persona e ngjarje që janë shfaqur brenda gardhit të “tjetrit”. Asnjë emër apo vlerësim nuk është bërë për krijime që kanë ndodhur jashtë terrenit tipik etnik. Dhe kjo nuk është në rregull për një shoqëri që pretendon të ndërtohet si një me gjithë dallimet që ka. Pastaj është shumë kontradiktore me vetë ata njerëz që nga një anë vlerësojnë artikullin e BBC-së për të “fshehurit” dhe nga ana tjetër fshehin të tjerët apo nuk bëjnë asgjë për të zbuluar “të fshehurit” brenda kësaj shoqërie. E dini si, mbase këta “të tjerë” edhe nuk kanë nevojë të zbulohen nga një pjesë e shoqërisë që është tejet e vetëfokusuar. Për shembull, shqiptarët kanë dinamika të tjera në rajon. Artistët shqiptarë në Maqedoni mendojnë me mendjen e një tregu më të madh. Nëse ke sukses, je popullor ndër miliona njerëz. Për disa mbase as që është sfidë të njihen tek maqedonasit kur theksohet aq shumë ky vetëfokusim. Për shembull aktori Xhevdet Jashari, vërtet është pjesë e filmit “Gospod postoi, imeto i e Petrunija” (Zoti ekziston, emrin e ka Petrunia), që pati sukses në Berlinale, një nga festivalet më të njohur në botë, por fama e tij ama në kontekste rajonale kalon çdo aktor maqedonas. Dhe modeli i suksesit të një shqiptari, kur sheh vetëfokusimin maqedonas, mbase as që merr parasysh Maqedoninë, si një.
Por këtu është problemi. Do të vazhdojë kjo shoqëri të fshehë njëri-tjetrin dhe do të vazhdojmë të lodhemi ende duke zbuluar njëri-tjetrin. Sinqerisht është e tepërt.
Aq më shumë lodhës është liberalizmi fals. E di shpesh kundër argumenti është se sa shqiptarët i njohin maqedonasit? I njohim. Se ua dimë gjuhën. I vlerësojmë dhe i gëzohemi suksesit, humorit, arritjeve të tyre. Sidomos ato krijime që reflektojnë sendërtimin e përbashkët të kësaj shoqërie. Po mbase liberalë fals ka nga të dyja anët. Por sërish, sado i njëanshëm të tingëllojë, vazhdimi të fshihen “të fshehurit” konstant, ndërkohë gjithçka që ndodh rreth dhe brenda kësaj shoqërie ka aq shumë prezencë të njëri-tjetrit, tregon se roli i strucit bëhet me qëllim. Dhe kjo nuk mund të jetë diçka OK!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)