Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se shpërthimet e lisë së majmunëve nuk janë të lidhura me majmunët. “Ajo që njerëzit duhet të dinë është se transmetimi që po shohim po ndodh midis njerëzve“, u tha gazetarëve në Gjenevë Margaret Harris, një zëdhënëse e OBSH-së. Harris u shpreh se primatët nuk mund të fajësohen për rritjen e rasteve të lisë së majmunëve në Brazil pas raportimeve në një numër qytetesh për sulme fizike dhe helmime të majmunëve. “The Guardian” raporton se në një rezervat natyror në Rio Preto, në Sao Paulo, 10 majmunë duket se janë helmuar ose plagosur qëllimisht në më pak se një javë. Ekipet e shpëtimit dhe aktivistët dyshojnë se majmunët u helmuan dhe u sulmuan pasi u konfirmuan tre raste të lisë së majmunëve në zonë.
Në nivel global, janë regjistruar më shumë se 28,100 raste dhe 12 vdekje, pasi infeksionet e lisë së majmunëve janë rritur që nga Maji jashtë vendeve të Afrikës perëndimore dhe qendrore, ku sëmundja ka qenë prej kohësh endemike. Deri më sot, Brazili ka regjistruar më shumë se 1700 raste dhe një vdekje, sipas të dhënave të OBSH-së. Por Harris nënvizoi se pavarësisht emrit të tij, majmunët nuk janë transmetuesit kryesorë të sëmundjes dhe nuk kanë asnjë lidhje me shpërthimin. Lia e majmunit mori emrin e saj sepse virusi u identifikua fillimisht te majmunët e mbajtur për kërkime në Danimarkë, por sëmundja gjendet në një numër kafshësh dhe më shpesh te brejtësit. Shqetësimi është se po qarkullon në popullatën njerëzore dhe çfarë mund të bëjnë njerëzit për të mbrojtur veten, por ata nuk duhet të sulmojnë asnjë kafshë, u shpreh Margeret.