Disa elemente karakteristike të leximit me zë në grup janë ruajtur edhe sot në shkollat kuranike ose hebraike, thotë Illich-i, ku trupat e nxënësve i sinkronizojnë lëvizjet e tyre me ato ritmin e recitimit, që këto të rimarrin, në një formë të përshtatshme, lëvizjet e organeve që prodhojnë ligjërimin e folur. Në mënyrë rituale, vazhdon Illich-i, nxënësit e përdorin gjithë trupin për t’i trupëzuar rreshtat e tekstit, çfarë ndihmon edhe të kujtuarit e mëpasëm
Nga Ardian VEHBIU
Leximin jemi mësuar ta konceptojmë si diçka që e kryejmë në prehje – të ulur në kolltuk ose në një stol në park; të shtrirë në divan ose në krevat. Përmes syve, fjalët përftojnë kuptime të lidhura mes tyre në mendje. Është kjo e fundit që punon, makinë për ta riqepur tekstin që kemi përpara, ose për t’i dhënë një formë të kapshme e të kujtueshme; teksa trupi merr pjesë në akt thjesht duke mos ndërhyrë në proces, ose e shumta, duke mbajtur sytë hapur dhe librin (në duar) dhe duke kthyer faqen sipas rastit.
Por nuk ka qenë kështu. Në sprovën me titull “Në vreshtën e tekstit”, që ia kushton veprës Didascalicon të dijetarit mesjetar Hugues de Saint-Victor, filozofi Ivan Illich përshkruan qasjen ndaj leximit në komunitetet monastike të Mesjetës, duke shënuar se, për dijetarë si Hugues-i, leximi ishte para së gjithash aktivitet motor i trupit. Dhe nuk e ka fjalën vetëm për të lexuarit me zë dhe faktit tjetër që lexuesi me zë e përthith tekstin dyfish, nëpërmjet syve dhe nëpërmjet veshëve; por edhe për vetë lëvizjet e gojës, të gjuhës, të nofullave, të fytit, të kordave vokale dhe të mushkërive, që mundësojnë artikulimin e të folurit dhe që, në mënyrën e tyre, e kalojnë tekstin në trupin e lexuesit, ose e trupëzojnë. Edhe sytë marrin pjesë në këtë aktivitet të bashkërenduar, duke i kapur shkronjat e alfabetit nga faqja dhe duke i mbledhur bashkë (legere, khs. me shqipen lidh), për të formuar rrokjet.
Madje jo vetëm: për ta kuptuar tekstin, lexuesi i komuniteteve monastike të Mesjetës ka nevojë të sintonizohet edhe me ritmin e tij; dhe pastaj ta përfytyrojë sikur po e fut këtë tekst në gojë dhe po e përtyp – një metaforë e themeluar mbi muskujt e përbashkët. Prandaj nuk është për t’u habitur, thotë Illich-i, që manastiret e epokës para-universitare na i kanë përshkruar, në burime të ndryshme, si vendet ku jetojnë murmuritësit dhe përtypësit (mumblers & munchers). Paraqitja e shkrimeve të shenjta si ushqim për t’u përtypur nëpërmjet leximit para se të gëlltitet, është kështu dyfish metaforike: në fakt, thuhet se murgjit lexues i mbanin dhe i rrotullonin “skripturat” në gojë. Murmurimën që vinte nga manastiri e krahasonin shpesh me zukatjen e bletëve; dhe produktin e leximeve të teksteve të shenjta me mjaltin – aso kohe praktikisht i vetmi ushqim tërësisht i ëmbël (si e ëmbël jepet rëndom shija e Fjalës së shenjtë). Veç mjaltit, edhe buka dhe vera dalin shpesh si gjymtyrë në këto krahasime.
Dhe jo vetëm. Illich-i vëren se murgu i atyre kohëve, që lexonte dhe meditonte, shpesh krahasohet me lopën ripërtypëse; aq më tepër që, në traditën e periudhës, kafshët ripërtypëse (ruminante) konsideroheshin si të pastra (pure), dhe murgu gjithnjë përqasej me një lopë, dele ose dhi, për nga mënyra si sillej me ushqimin (dhe “ushqimin”). Illich-i citon studiuesin Jean Leclercq, i cili ka citon një pasazh në një dorëshkrim të shekullit të 12-të, ku thuhet se “një murg në manastir është si kafsha e Samaritanit në stallë. Kësaj i japin kashtë që të hajë, ndërsa murgu përtyp me pasion, duke u ushqyer me kujtimin e Jezu Krishtit.” Gjithsesi, në Mesjetë leximi gjithnjë e pat ruajtur një komponente orale(gojore) mbizotëruese.
Hugues-i vetë e afron leximin me vjeljen; një krahasim që merr forcë edhe nga etimologjia e fjalës latine pagina, e cila në atë gjuhë dikur shënjonte “rreshtat e vreshtit” dhe më pas, me metaforë, kolonat e tekstit të shkruar. Teksa lexuesi këput frytet nga fletët e pergamenës, shkruan Illich-i, voces paginarum i del nga goja – si murmurimë e butë, nëse po i lexon vetes (sibi legere) ose si ligjërim e shkoqur (clara lectio) ose në recto tono, nëse po u lexon murgjve të tjerë.
Në fakt, shkruan Illich-i, që në lashtësi të lexuarit konsiderohej si ushtrim i lodhshëm fizik; aq sa mjekët në periudhën helenistike t’ua këshillonin të sëmurëve si alternativë ndaj lojës me top ose shëtitjes në pyll. Aq e vërtetë është kjo, sa ai që do të lexonte, duhej të ish në formë të mirë fizike; përndryshe, të dobëtit ose të pamundurit nuk duhej ta bënin.
Në Mesjetë flitej edhe për manifestimet fizike të eksperiencave spirituale që shoqëronin leximin; një praktikë me rrënjët në traditën religjioze hebraike, vëren Illich-i, edhe pse ishte Regjimi Benediktin që krijoi, sërish në Mesjetë, një kontekst të tillë ku i gjithë trupi i murgut të përfshihej në lexim të përhershëm (lifelong). Një murg mund të jetë edhe i pagdhendur dhe analfabet, por ai i bashkohet korit dhe këndon Psalmet shtatë herë në ditë, aq sa këto bëhen pjesë e qenies së tij dhe ai mund t’i këndojë edhe kur po ruan dhitë. Disa elemente karakteristike të leximit me zë në grup janë ruajtur edhe sot në shkollat kuranike ose hebraike, thotë Illich-i, ku trupat e nxënësve i sinkronizojnë lëvizjet e tyre me ato ritmin e recitimit, që këto të rimarrin, në një formë të përshtatshme, lëvizjet e organeve që prodhojnë ligjërimin e folur. Në mënyrë rituale, vazhdon Illich-i, nxënësit e përdorin gjithë trupin për t’i trupëzuar rreshtat e tekstit, çfarë ndihmon edhe të kujtuarit e mëpasëm.
© 2018, Peizazhe të fjalës.