Leximi ka të bëjë me empatinë

Gëzohuni adhurues të librave për shkak se gabim e ka pasur kush iu ka thënë se për shkak të obsesionit ndaj librave dukeni antisocial. Një studim i ri tregon se njerëzit të cilët rregullisht lexojnë, sidomos fiksion apo beletristikë, në fakt kanë më shumë empati. Hulumtimi i kryer nga universiteti britanik Kingston në Londër u prezantua në një konferencë të Shoqatës Psikologjike Britanike në Brighton. Ai, gjithashtu, tregoi se ata që vetëm e shikojnë televizorin i kuptojnë më pak njerëzit e tjerë. Shkencëtarët i anketuan 123 persona për preferencat e tyre ndaj librave, televizionit dhe shfaqjeve. Gjithashtu ata u pyetën se çfarë preferojnë, nga komedia dhe romanca e deri tek drama dhe publicistika. Pastaj u testuan edhe aftësitë e tyre ndërnjerëzore dhe u pyetën në lidhje me sjelljen ndaj të tjerëve, për shembull, nëse i marrin parasysh ndjenjat e të tjerëve, a i kuptojnë dhe i respektojnë pikëpamjet e të tjerëve dhe a i ndihmojnë njerëzit e tjerë. Bazuar në këto përgjigje, studiuesit i zbuluan disa rezultate interesante. Ata që lexojnë më shumë, dhe atë fiksion, tregojnë shumë më shumë sjellje sociale pozitive dhe aftësi më të mirë për të ndjerë dhembshuri me të tjerët, transmeton Koha.net. “Gjetjet i konfirmojnë studimet e mëparshme se ekspozimi ndaj fiksionit është i lidhur me një varg të aftësive empatike”, tha udhëheqësja e studimit Rose Turner.

Hulumtuesit erdhën në përfundimin se ata që rregullisht lexuan fiksion janë të mësuar t’i shohin gjërat nga një këndvështrim tjetër, gjë që i bën më të mirë në të kuptuarit e njerëzve. Përmes leximit të fiksionit njerëzit përqendrohen në mendimet dhe ndjenjat e personazheve, ndërsa pjesët e trurit që i shërbejnë të kuptuarit të ndjenjave dhe mendimeve të të tjerëve punojnë me ritëm të plotë gjatë procesimit të tregimit që lexohet. Megjithatë, ata e pranojnë se studimi i tyre nuk ka konkluduar se a është në pyetje kauzaliteti – a ju bën leximi më të ndjeshëm apo njerëzit e ndjeshëm kanë tendencë të lexojnë fiksion. Gjithashtu, sado e vogël që ishte mostra e hulumtimit, duhet të pranohet se ajo përkon me studimet e bëra më parë për të njëjtën temë, në vitet 2006 dhe 2013. Më shumë studime nevojiten për ta thelluar këtë çështje, ndërsa ju në ndërkohë mund ta lexoni ndonjë libër. Kush e di, ndoshta e bëni botën një vend më të mirë dhe më empatik.