LEWIS HINE: Fotografi që luftoi për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi (FOTO)

42

Fëmijë 3 ose 4-vjeçarë janë fotografuar duke mbledhur pambuk, duke punuar në fabrika dhe miniera në punë të rriturish. Paratë që fitonin shkonin në ndihmë të familjes, por puna i largonte nga shkolla duke shtuar analfabetizmin

Nga Albert VATAJ

Secili mund ta gjejë vetë shtegun për të hyrë në histori, për të ngjitur emrin dhe veprën e tij në piedestalin e famës, dhe këtë ta bëjë duke mbrojtur një kauzë të lartë, duke përfaqësuar dhe luftuar për të drejtat e fëmijëve. Ai quhet Lewis Hine. Kjo histori është amerikane dhe nuk mund të jetë ndryshe.

Është e tillë sepse vetëm ajo mban mbi vete themelet e lirive dhe të drejtave. Ajo gjithnjë nga pësimet ka pranuar të nxjerrë mësime, duke dëshmuar kështu gjithnjë rritje, gjithnjë energji novative zhvillimi, duke mbetur përherë Amerikë, një trup që rigjenerohet, që rritet, ndryshon, transformohet, për të mbetur gjithnjë ëndrra e të gjithëve.

Është fillimshekulli XX, fëmijët janë kudo ku lëvizin ingranazhet e makinës së përbindshme të zhvillimit ekonomik. Jo vetëm në Amerikë, ku fokusi i aparatit është ndalur, por kudo në botë fëmijëve u është dashur të fitojnë vetë bukën e gojës, dhe jo vetëm. Fillimshekulli XX nuk ishte ajo Amerikë që ne njohim sot. Vendi ku e ëndërrojnë të gjithë filloi rrugëtimin e tij të vështirë drejt zhvillimit, duke patur në vetvete vragën lënguese të shfrytëzimit të fëmijëve të mitur. Ata punonin kudo, në arat e pambukut, në minierë, në fabrikë, etj.

Ata ishin kudo. Kudo ky krah pune përpiqej të kontribuonte në mbështetjen financiare për vete dhe familjet e tyre. Do të ishte puna e një fotografi ajo që do të trondiste nga themelet Amerikën dhe botën, të zgjonte vetëdijen qytetare dhe të ngulmonte mekanizma të ndryshëm social dhe ligjor për mbylljen e këtij kapitulli tragjedie.

Ndalimi i shfrytëzimit të fëmijëve si krah pune, do të fuste në një etapë të re zhvillimet organizmat ndërkombëtare, të cilat këtë alarm e bënë të përbotshëm, duke dalë në mbrojtje të fëmijëve dhe duke ndëshkuar ashpër shfrytëzuesit. Fotografi Lewis Hine është personi që shpëtoi fëmijët amerikanë nga punët e rënda në fillim të shekullit XX.

Koleksioni i tij i fotografive të vogëlushëve duke punuar në ara dhe miniera bënë që të ndryshonte ligji mbi shfrytëzimin në punë të fëmijëve. Fëmijë 3 ose 4-vjeçarë janë fotografuar duke mbledhur pambuk, duke punuar në fabrika dhe miniera në punë të rriturish. Paratë që fitonin shkonin në ndihmë të familjes, por puna i largonte nga shkolla duke shtuar analfabetizmin. Nga viti 1908 deri në vitin 1918, Hine dokumentoi punën e fëmijëve dhe loboi për ndryshimin e legjislacionit amerikan në lidhje me këtë çështje.

Këto personazhe që kanë pozuar për fotografin Hine asnjë nuk janë të gjallë, por të drejtat e fëmijëve në të drejtën e tyre i kanë ngulur rrënjët thellë, duke ardhur tek ne vetëm nëpërmjet këtyre fotove, si dëshmi e gjallë e një tragjedie amerikane, tragjedi e cila ligjërisht mbron fëmijët në mbarë botën, por që nuk i shpëton ata plotësisht nga shfrytëzimi, abuzimi dhe keqtrajtimi. Ky memoar sot dhe mot është një shkundje në vetëdijen e çdo qytetërimi, i cili duhet të mbrojë fëmijët në emër të rritjes së tyre të shëndetshme, në emër të jetës, në emër të civilizimit.

Trashëgimia e vërtetë e fotografit Lewis Hine është jo vetëm grumbullimi i fotove të fëmijëve. Ai dokumentoi me kujdes fotot, emrat, moshën dhe pagën e secilit prej fëmijëve të fotografuar. Ai ngriti dhe gjeneroi një lobim për ndryshimin e ligjeve, duke krijuar kështu një komision më 1904, i cili mund të fitonte betejën për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi në punë vetëm pas 34 vjetësh, pra më 1938. Lewis Hine mbetet një prej veprimtarëve më të përkushtuar të mbrojtjes së fëmijëve nga shfytëzimi në punë, duke rezistuar energjikisht presioneve dhe kërcënimeve të bosëve që majmeshin me fitimet e këtij kontigjenti të punësuarish.

Triumfi i tij e bëri atë të famshëm, jo vetëm si një fotograf, por dhe si një aktivist i të drejtave të fëmijëve. Më shumë se 5.000 fotografi të kësaj dëshmie rrëqethëse ruhen në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Më vitin 1980 për nder të tij u krijua një çmim, të cilin e fitojnë çdo vit pesë profesionistë që kontribuojnë vullnetarisht në ndihmën e të rinjve. Më shumë se 200 vetë kanë marrë “Awards Hine Lewis” në dy dekadat e fundit.

Comments are closed.