Robert Lewandowsi nuk mund ta kishte nisur më mirë se kaq aventurën e re te Barcelona. Performanca e tij është spektakolare, siç e garantojnë edhe numrat. Bomberi polak ka qenë titullar në 5 ndeshjet e luajtura dhe tashmë ka… 8 gola!
Në “Camp Nou” i festojnë dhe shijojnë të gjitha veprimet e tij. Ai është ylli i festës “culé”. Ish-lojtari i Bayern Munich ka shënuar kundër Vicktoria Plzen, në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, “hat-trick” e tij të parë si lojtar i Barçës për kënaqësinë e tifozëve.
“Jam shumë i lumtur për golat, por më e rëndësishmja është fitorja, si është përgjigjur skuadra. Unë jam gjithmonë optimist, por duhet ta lëmë këtë ndeshje të kalojë dhe të mendojmë për të radhës. Sezoni është shumë i gjatë.Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës në La Liga, e cila do të jetë shumë e vështirë”, – tha shënuesi i tre golave pas ndeshjes.
Përshtatja e Lewandowskit në skuadrën katalanase ka qenë po aq e shpejtë sa pritja që ka marrë nga tifozët katalanas ka qenë e dashur. “Camp Nou” këndon emrin e tij, i lumtur që ka tashmë sulmuesin e shkathët dhe të saktë. Në fakt, qysh në prezantimin e tij, polaku mundi të verifikonte vlerësimin, admirimin dhe pritshmëritë e larta që të gjithë kishin për të.
Dhe sulmuesi po i përmbush ato. Ai ka mbetur pa e tundur rrjetën kundërshtare vetëm në ndeshjen e parë, ndaj Rayos. Në dy ndeshje ai ka shënuar dopieta, ndaj Sevilla ka vetëm një gol dhe ndaj Viktoria Plzen “hat-trick”. Është ndeshja e gjashtë në të cilën ai ka shënuar tre ose më shumë gola.
Polaku është gjithashtu lojtari i parë që realizon “hat-trick” në Champions League me tri skuadra të ndryshme: një me Borussia Dortmund, katër me Bayern Munich dhe një me Barçën.
Mbrëmë ndaj Viktoria Plzen shënoi tre gola, dy me këmbën e djathtë dhe një me kokë. Në të tre ka treguar inteligjencë të madhe pozicionale, shkathtësi, sukses në gjuajtje dhe një lidhje të shkëlqyer me shokët e skuadrës. Xavi ka futur rotacionet në skuadër, por Lewandowski nuk pushon. Ai është në formë dhe skuadra ka nevojë për golat e tij.
Golat e tij kundër Viktoria Plzen i kanë mundësuar gjithashtu të kapërcejë Benzema në renditjen e golashënuesve, në kompeticionin më të mirë kontinental për klubet. Leo Messi ende e kalon atë, me 125 gola, dhe Cristiano Ronaldo, me 140 gola. Polaku është në kuotën e 89 golave në Champions, për momentin.
Xavi duartroket veprimet e tij nga pankina. Me polakun në skuadër, ambicia e titujve është më e realizueshme.