LEWANDOWSKI. Nga fushata e presidentit Trump, te vendet e trazuara në Ballkan

“Unë nuk votoj këtu, dhe kur flasim për ndërhyrjet në politikën dhe jetën e vendeve tjera, kjo nuk është rrugë që duhet shkuar. Mund të them se unë votoj në Shtetet e Bashkuara dhe votoj për Trumpin”, ka thënë Lewandowski. Bosnja të dielën, më 7 tetor, mban zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë që përballet me një atmosferë tensionesh ndërmjet dy entiteteve, Federatës së Bosnjës dhe Republikës Serbe

Corey Lewandowski, ish-menaxher i fushatës zgjedhore të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e ka mohuar se është lobist i Kosovës, duke e quajtur këtë si lajm të rremë. Ai, gjatë një debati me studentët e Fakultetit të Shkencave Politike në Banja Llukë, të Republikës Serbe, tha se nuk ka qenë asnjëherë në Kosovë, por as në Shqipëri. “Unë nuk jam lobist. Ky është një lajm i rremë. Unë kurrë gjatë jetës sime nuk kam biseduar me askënd për Kosovën. Unë kurrë s’kam qenë në Kosovë. Unë kurrë s’kam qenë në Shqipëri”, ka thënë Lewandowski, gjatë vizitës së 3 tetorit në Banja Llukë. Në fakt, emri i tij lidhet më shumë me Republikën Serbe të Bosnjës dhe vetë Serbinë.
Corey Lewandowski ka qenë menaxher i fushatës së presidentit të SHBA-së Donald Trump, nga janari i vitit 2015 deri në qershor të vitit 2016. Vizita e tij në Banja Llukë bëhet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje Hercegovinë. Ai në debat me studentët, u paraqit bashkë me kryeministren e Republikës Serbe, Zheljka Cvijanoviq, me ftesë të së cilës edhe ndodhet për vizitë në Banja Llukë.
Cvijanoviq është nga partia Aleanca Social Demokrate e Pavarur e presidentit Millorad Dodik, i njohur për lidhjet e tij të afërta me Rusinë. Dodik është përfshirë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shteteve të Bashkuara, për, siç thuhet, përpjekjet e tij për të penguar zbatimin e Marrëveshjes së Daytonit, marrëveshje kjo e cila u dha fund luftimeve në Bosnjë e Hercegovinë 25 vjet më parë.
Ky nuk është takimi i parë i Lewandowskit me kryeministren e Republikës Serbe, Zheljka Cvijanoviq. Ata u takuan më 25 korrik në Washington. Radio Evropa e Lirë ka raportuar në gusht se partia e zotit Dodik ka angazhuar së fundmi kontratë lobimi me kompaninë “Twin Rocks Global”, e cila udhëhiqet nga dy ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Donald Trumpit, Jason Osborne dhe Mike Rubino. Këtë e ka konfirmuar vetë Jason Osborne për portalin amerikan “Mother Jones”, duke thënë se Qeveria e Republikës Serbe të Bosnjës paguan 10.000 dollarë në muaj për lobim.
Në statutin e kësaj kompanie shkruan se klientëve të saj iu ofrohen “udhëzime strategjike dhe këshilla për aktivitetet qeveritare të ndërlidhura me marrëdhëniet dhe publicitetin në Shtetet e Bashkuara”. Ajo që e ndërlidh këtë kompani me Corey Lewandowskin është fakti se zyrat e Kompanisë “Twin Rocks Global”, ndodhen në shtëpinë në të cilën jeton Lewandowski, në afërsi të Kongresit Amerikan në Uashington.
Megjithatë, Lewandowski e ka mohuar se punon si lobist. I pyetur më 3 tetor në Banja Llukë nëse e përkrahë fushatën e partisë së Millorad Dodikut, ai ka thënë se nuk është me rëndësi se kë e përkrahë ai!
“Unë nuk votoj këtu, dhe kur flasim për ndërhyrjet në politikën dhe jetën e vendeve tjera, kjo nuk është rrugë që duhet shkuar. Mund të them se unë votoj në Shtetet e Bashkuara dhe votoj për Trumpin”, ka thënë Lewandowski. Bosnja të dielën, më 7 tetor, mban zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë që përballet me një atmosferë tensionesh ndërmjet dy entiteteve, Federatës së Bosnjës dhe Republikës Serbe.
Ndryshe, vizita e Lewandowskit në Banja Llukë pason atë që ai zhvilloi në Beograd, në pranverën e vitit 2018, për t’u takuar me pjesëtarë të partisë, e cila udhëhiqet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.​

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com