Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim po ashtu ka kërkuar nga Ministria së Punëve të Jashtme të sigurojë një listë të personave nga Kumanova që janë jashtë vendit, dhe të cilët kanë kërkuar të kthehen në vend
Hekuran JASHARI, Kumanovë
Kumanovë, 6 prill – Pas karantinës prej 56 orëshe, sot në qytetin e Kumanovës janë vërejtur ml shumë lëvizje e tollovi të qytetarëve. Ata kryesisht ishin të grumbulluar pranë institucioneve për të kryer obligimet e tyre. Radhët e shumta janë vërejtur sidomos para NLB Bankës. Për shkak tollovisë së krijuar atje nuk mungonin as fjalosjet, shkruan gazeta KOHA.
Pas lajmit se 15 infermierë dhe mjekë janë nga Kumanova janë infektuar me virusin korona, Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim, sot ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të bëjë një kontroll të plotë të situatës në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës dhe të vlerësojë nëse mund të funksionojë me një numër kaq të madh të sëmurëve dhe stafit shëndetësor. Për rrjedhojë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që dy mjekë, njëri nga Shkupi dhe tjetri nga Shtipi, të angazhohen në Spitalin e Kumanovës.
Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim po ashtu ka kërkuar nga Ministria së Punëve të Jashtme të sigurojë një listë të personave nga Kumanova që janë jashtë vendit, dhe të cilët kanë kërkuar të kthehen në vend. Ndërkohë Shtabi i krizës pranë Qeverisë ka rekomanduar që të angazhohet një punonjës nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, i cili do të përfshihet në punën e Shtabit Komunal të Krizave.
Rajoni i Kumanova nga e premtja deri të hënën ora 5 në mëngjes ka qenë në orë policore, ndërkaq janë regjistruar 20 raste të mosrespektimit të orës policore nga ana e qytetarëve. Nga dita e sotme vazhdon të zbatohet ora policore nga ora 16 deri ora 05 në mëngjes. Të drejtë lëvizjeje do të kenë vetëm të punësuarit në ushtri, polici, mediat, si dhe personat, të cilët kanë marrë leje nga institucionet përkatëse për kryerjen e obligimeve të punës. (koha.mk)