Lëvizja Besa dega Saraj nuk është e brengosur vetëm për shkeljen e ligjit në komunën e Sarajit, ku po realizohen punime infrastrukturore nga komuna edhe pse ka filluar fushata parazgjedhore. Me këto shkelje të ligjit duhet të merren organet kompetente. Mirëpo ne vlerësojmë se këto punime nuk po zhvillohen për interes të qytetarëve, por për propagandë parazgjedhore. Nuk ka se si mos të pyesish se a vazhdon ende bashkëpunimi VMRO – DPMNE – BDI, kur dihet se shumica e këtyre projekteve realizohen nga Koce Trajanovski? Duke pasë parasysh traditën e hidhur që tregon se kryetarët e komunave të BDI-së para zgjedhjeve shtrojnë asfalt jokualitativ, i cili pas zgjedhjeve shndërrohet në gropa, mendojmë se këto punime më tepër janë në dëm të popullatës së fshatrave të Sarajit, se sa në favor të tyre. Një fjalë e urtë që përdoret te shqiptarët e Sarajit por edhe më gjerë, thotë se: “Kurbani nuk trashet ditën e Arifes”. BDI duhet të jetë e sigurt se më 15 tetor qytetarët do ta dënojnë për shkak se katër vite i la në rrugë me gropa dhe me baltë, e assesi nuk duhet të presë që do ta shpërblejnë për shkak se po shtrojnë asfalt të kualitetit më të dobët dy javë para zgjedhjeve. Porosi jonë dashamirëse është që të përmirësoheni, sepse në këtë mënyrë jeni duke e mashtruar vetëm vetveten, sepse qytetarët e Sarajit nuk mund t’i mashtroni. Ndërsa, me fitoren e Lëvizjes BESA në Saraj, komuna do t’u kthehet banorëve të saj, e jo si deri më tani që është e uzurpuar nga BDI-ja.